Ulqin – Në Molin e Madh nën Kalanë e Ulqinit, të mërkurën e kaluar (12 korrik 2023) është hapur pika e përkohshme e kalimit kufitar për trafikun detar ndërkombëtar.
I pranishëm në ceremoninë e hapjes, ministri i Punëve të Brendshme, Filip Axhiq, ka thënë se me këtë veprim i jepet mbështetje zhvillimit të ekonomisë turistike në qytetin e Ulqinit.
Sipas tij, në këtë mënyrë Ulqini do të jetë një destinacion turistik më i afërt dhe kjo do të ketë ndikim pozitiv për sezonin turistik veror në Mal të Zi dhe Shqipëri.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, e ka cilësuar hapjen e kësaj pike të kalimit kufitar si një ditë të madhe për Ulqinin, qytetarët dhe turistët, sepse me këtë Ulqini po e rikthen traditën detare.
“Kjo arritje është e rëndësisë kruciale për zhvillimin e turizmit nautik të Ulqinit dhe krijimit të kushteve të volitshme për turizëm sa më cilësor”, ka thënë ai.
Deri tani Ulqini ka qenë e vetmja komunë bregdetare në Malin e Zi, në territorin e së cilës nuk ka ekzistuar asnjë pikë e kalimit kufitar për trafik detar ndërkombëtar. Prandaj anijet dhe pasagjerët kanë qenë të detyruar të shkojnë në qytetet bregdetare fqinje të Ulqinit për të kryer procedurën e regjistrimit të tyre.
Kjo pikë e përkohshme e kalimit kufitar do të jetë e hapur për qarkullimin e udhëtarëve prej 12 korrikut deri më 30 shtator të këtij viti, nga ora 9:00 deri në orën 20:00.
Megjithatë, ministri Axhiq ka thënë se në periudhën e ardhshme kanë si qëllim dhe obligim që të punojnë në krijimin e kushteve për hapjen e portit në Ulqin dhe pikës kufitare për trafik detar ndërkombëtar si Porti i Budvës, që do të funksiononte nga 1 maji deri më 1 tetor.
i. k.