Hapet sezoni kryesor turistik në Ulqin

Programi i koncertit të titulluar “Rame Lahaj në Ulqinin tonë të bukur” ka qenë i ndërthurur me pjesë të kompozitorëve më të njohur botërorë dhe shqiptarë, të cilat përpos tenorit Lahaj janë kënduar edhe nga mysafirët specialë - sopranoja malazeze Olivera Tiçeviq, sopranoja vendase Egzona Salaj dhe Adhurim Grezda, bariton, të shoqëruar nga orkestra simfonike me dirigjent Gridi Krajën

Ulqin – Me koncertin e tenorit të njohur nga Kosova me famë botërore, Ramë Lahaj, të premten mbrëma, në Molin e Madh, është hapur sezoni kryesor turistik në qytetin e Ulqinit.
Programi i koncertit të titulluar “Rame Lahaj në Ulqinin tonë të bukur” ka qenë i ndërthurur me pjesë të kompozitorëve më të njohur botërorë dhe shqiptarë, të cilat përpos tenorit Lahaj janë kënduar edhe nga mysafirët specialë – sopranoja malazeze Olivera Tiçeviq, sopranoja vendase Egzona Salaj dhe Adhurim Grezda, bariton, të shoqëruar nga orkestra simfonike me dirigjent Gridi Krajën.
Publiku i pranishëm, jo vetëm nga Ulqini por i ardhur edhe nga vende të tjera, ka përjetuar një mbrëmje të paharruar duke shijuar interpretimin mjeshtëror të artistëve.
Tenori Ramë Lahaj është shprehur i emocionuar dhe ka treguar për lidhjet e tij të hershme me Ulqinin, kur si fëmijë ka ardhur me nënën e tij gjatë verës për t’i kaluar pushimet.
Ai ka thënë se i bëhet shumë qejfi, sepse Ulqini e meriton të bëjë një hapje të kësaj natyre të sezonit turistik.
“Për Ulqinin dhe ulqinakët unë kam për të thënë shumë, sepse ne të gjithë e dimë bujarinë dhe dashurinë e tyre për ne kosovarët. Nuk besoj që ka ndonjë fëmijë nga Kosova, të paktën të gjeneratës sime, që nuk ka romancat ose eksperiencat e para me detin e Ulqinit. Ulqini për mua ka një vend të veçantë, sepse ka qenë edhe qyteti i preferuar i nënës kur ka ardhur për t’i bërë pushimet. Mua më kujtohet, herën e parë dhe të fundit e kam shoqëruar në këtë Plazh të Vogël”, është shprehur ai.

Tenori Lahaj është shprehur i emocionuar dhe ka treguar për lidhjet e tij të hershme me Ulqinin, kur si fëmijë ka ardhur me nënën e tij gjatë verës për t’i kaluar pushimet. Ai ka thënë se i bëhet shumë qejfi, sepse Ulqini e meriton të bëjë një hapje të kësaj natyre të sezonit turistik


Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, ka folur për traditën e këtij qyteti në fushën e muzikës.
Ai ka thënë se përgjatë shekujve kemi dëgjuar këtu tingujt dhe ritmet më të bukura, sepse muzika lartëson zemrën e njeriut dhe është pasqyrë e gjendjes së shoqërisë në të cilën është krijuar.
“Ulqini ishte dhe mbetet çerdhe e artistëve, madje edhe e fabrikuesve të violinave, siç ishte maestro Dobreci. Kujtoj se më shumë se 140 vite më parë këtu është shkruar Polka ‘Dulcigno’, e frymëzuar nga vallet tona tradicionale ‘Dum sharaveli’ dhe ‘Nën hije t’limonit’. Këtu jetoj dhe punoj kompozitori i njohur Prenk Jakova, i cili komponoi operën e parë shqiptare. Tani kemi një shkollë të shkëlqyer të muzikës dhe besojmë se ngjarje të tilla do të nxisin të rinjtë e talentuar të studiojnë edhe më shumë artin dhe muzikën”, është shprehur ai.
Tenori Ramë Lahaj konsiderohet si njëri ndër përfaqësuesit më të spikatur të brezit të tij në fushën e muzikës klasike, në hapësirën shqiptare. I lindur dhe i rritur në Kosovë, ai e ka nisur rrugëtimin e tij artistik në moshën 21-vjeçare, duke u ngjitur shpejt drejt skenave botërore. Në rrugëtimin e tij vlen të përmenden disa arritje të rëndësishme, të cilat do të kthehen më pas në një pikë referimi e mbështetjeje jo vetëm për tenorin Lahaj, por edhe për brezin e ri. Ai është fitues i konkursit “Operalia” në vitin 2016, drejtuar nga legjenda operistike Plaçido Domingo. Ka kënduar në disa prej skenave më të rëndësishme evropiane e botërore. Për kontributin e tij në fushën e muzikës tenori 40-vjeçar është dekoruar me çmime të shumta, si me Medalje nga Presidenti i Republikës së Kosovës me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me titullin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” nga kryeministri i Kosovës dhe njëkohësisht është shpallur “Ambasador Global Kulturor i Kosovës në Botë”. Krahas karrierës së tij solistike, Lahaj synon të motivojë talentin e ri. Për këtë qëllim ka organizuar festivalin e parë operistik në rajon “Rame Lahaj International Opera Festival”, edicioni i parë i të cilit është realizuar në vitin 2021, për t’u kthyer tashmë në një traditë të kulturës operistike në Kosovë dhe rajon. Në vazhdën e përçimit të kulturës operistike, në mbështetje të talenteve të reja, por mbi të gjitha në transmetimin e jehonës së Kosovës në mbarë arenën ndërkombëtare, tenori Lahaj ka themeluar edhe fondacionin “Rame Lahaj Foundation”, i cili ka për synim gjetjen, motivimin dhe mbështetjen e talenteve të reja në Kosovë dhe gjithë rajonin.
Koncerti është organizuar dhe mbështetur nga Organizata Turistike e Ulqinit, Qendra e Kulturës – Ulqin, Komuna e Ulqinit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit e Malit të Zi dhe sponsorë të tjerë nga Ulqini dhe më gjerë. i. k.

Të fundit

më të lexuarat