Një grup prej dhjetë vajzash nga Tuzi ishin të kyçura në projektin “Girls-the gamechangers of politics”, të cilin e realizon Shoqata “Instituti Shqiptar për Çështjet Publike” nga Tirana së bashku me Shoqatën “Fëmijët e Malit të Zi” nga Tuzi dhe Rrjetin për Mësim të Përjetshëm nga Tetova.
Me këtë rast, me datë 27 qershor në Kuvendin e Komunës së Tuzit u bë ndarja e çertifikatave për pjesëmarrje të suksesshme.
Në lidhje me këtë projekt, në prononcimin për gazetën “Koha Javore”, drejtoresha ekzekutive e OJQ-së “Fëmijët e Malit të Zi”, Sabra Deceviq shprehet se këto vajza së bashku me vajzat nga Tetova dhe Tirana patën rastin të njoftohen më herët me funksionimin e Kuvendit të Komunës së Tuzit gjatë muajit shkurt, ku u mirëpritën nga kryetari i Kuvendit z. Fadil Kajoshaj dhe nga sekretarja e Sekretariatit për vetëqeverisje lokale, znj. Marina Ujkaj.
“Këtu përveç tjerash është cekur edhe mungesa e pjesëmarrjes aktive të grave në parlament dhe nevoja që vajzat-femrat të luajnë një rol më aktiv në vendimmarrje, pavarësisht se a bëhet fjalë për politikën që bëhet në kuvend dhe partitë politike, apo edhe për jetën e përditshme”, thotë Deceviq.
Ajo më tej shtoi se tek të rinjtë e këtij projekti, të cilët ishin pjesë të Akademisë së Aktivizmit, u theksua problematika e barazisë gjinore, pra mungesa e vetëdijes tek populli ynë mbi avancimin e gruas në shoqëri.
Në kuadër të këtij projekti pjesëmarrëset nga Tuzi patën rastin të bëjnë vizitë pune në Universitetin Marin Barleti në Tiranë, ku u njoftuan me funksionimin e universitetit dhe u takuan me Ina Zhupën, deputete e Kuvendit të Shqipërisë për Qarkun e Elbasanit dhe mban postin e zëdhënëses në Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe është anëtarë e Kryesisë së Partisë Demokratike.
“Përveç përvojës dhe nismës në politikë, pjesëmarrëset u frymëzuan edhe në pjesën e motivimit personal dhe nevojës që të hulumtojnë sa më shumë mundësitë që u ofrohen të rinjve në komunitetin ku jetojnë, por edhe përtej, që të arrijnë potencialin e vërtetë. Gjatë vizitës në Tiranë morëm pjesë edhe në prezantimin e Bashkisë së Tiranës dhe vizituam hapësirat e tarracës së gjelbër në majen e ndërtesës prej nga shihet sheshi në qendër”, shprehet Deceviq.
Drejtoresha ekzekutive e kësaj shoqate, shpreh nevojën e fuqizimit të vajzave në shoqëri, në mënyrë që ato të kyçen në proceset vendimmarrëse.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Ballkanit Perëndimor (Western Balkan Fund).
t. u.