Kujdesi për të shmangur pasojat shkatërrimtare

Tuz – Me ngrohjen e motit dhe rritjen e temperaturave shtohet edhe rreziku për zjarret, apo zjarrvëniet e qëllimshme të cilat në shumicën e rasteve shkaktojnë dëme dhe pasoja kolosale.
Për të shmangur këtë rrezik potencial që mund të vijë nga pakujdesia ose edhe nga njerëz që qëllimisht duan të shkaktojnë dëme, Komuna e Tuzit para pak ditësh ka lëshuar një urdhër mbi ndalimin e ndezjes së zjarreve në sipërfaqe të hapura, nga data 16 qershor e deri në fund të muajit shtator.
Në këtë urdhër të cilin e ka firmosur kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj njoftohet ndalimi i ndezjes dhe përdorimit të zjarrit në sipërfaqe të hapura në Komunën e Tuzit në periudhën kohore të sipërpermendur.
“Në periudhën e përmendur në pikën 1 të këtij urdhri, ndezja e zjarrit në tokat bujqësore, kampe dhe sipërfaqe të tjera të hapura është e mundur vetëm me miratimin e Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Kryqeqytetit Podgorica”, thuhet në pikën 2 të këtij urdhri.
Më tutje njoftohet se personat juridikë dhe fizikë të cilët me veprimet e tyre të pakujdesshme shkaktojnë zjarrin dhe përhapjen e tij dënohen në pajtim me dispozitat e Ligjit për mbrojtje dhe shpëtim.
Kujtojmë që Komuna e Tuzit edhe vitin e kaluar e ka lëshuar këtë urdhër.
Ndërkaq, si pasojë e temperaturave ekstremisht të larta vitin që shkoi, të cilat i përjetuam ne dhe miliona njerëz të kontinentit evropian, SHBA-së, etj, shpërthyen shumë vatra zjarresh në shumë vise evropiane dhe më gjerë, të cilat me vete sollën dëme kolosale e gjurmë shkatërrimi.
Shpërthimi i vatrave të zjarrit gjatë stinës së verës është bërë tashmë një kërcënim serioz për shumë shtete, pasi që nga viti në vit ato luftojnë me vatra zjarresh. Vitin që shkoi më së shumti pësoi Italia, Britania e Madhe, Greqia dhe Franca, por edhe Gjermani e cila përjetoi temperatura ekstreme.
Çështjen e zjarrëvënieve të qëllimshme apo të shpërthimit të zjarreve gjatë stinës së verës e kemi trajtuar me dhjetëra herë, duke apeluar për kujdes, që të ndalohet ndezja e zjarreve në ambiente të hapura publike në mënyrë që të shmangen pasojat si në njerëz, ashtu edhe natyrë dhe në prona.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat