Kllezna – vendi i tri urave

Në qendër të filmit dokumentar është Ura e Vjetër e Klleznës, por edhe aspekte të tjera të këtij fshati të veçantë të trevës së Anës së Malit dhe Komunës së Ulqinit. Përmes rrëfimit autorial dhe bashkëbiseduesve tregohet e kaluara dhe rëndësia e këtij vendbanimi

Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, të premten mbrëma (16 qershor 2023) është shfaqur premiera e filmit dokumentar “Kllezna – vendi i tri urave”, me autor Shefqet Lucën, kurse me skenar dhe regji të Gazmend Çitakut.
Autori i projektit Shefqet Luca ka treguar se si ka lindur ideja për realizimin e filmit dokumentar për Klleznën.
Ai ka thënë se duke biseduar me shokun e tij Gazmend Çitakun, i cili ka lexuar dhe hulumtuar për historinë e këtyre trevave, një ditë duke kaluar nëpër Kllezën për të shkuar në Anë të Malit, u ka lindur ideja për të realizuar dokumentarin për fshatin Kllezën.
“Ne u munduam dhe e bëmë këtë film për të kujtuar se edhe Kllezna nuk është kot, ajo Ura e Klleznës nuk është kot në Kllezën. Aty filluam ta studiojmë edhe Klleznën si vend, si lokalitet. Dhe lindi ky dokumentar që po e prezantojmë sonte”, është shprehur ai.
Duke kërkuar ndjesë nëse diçka ka mbetur pa u përmendur në film, ai ka thënë se shpreson që ky të jetë hapi i parë për të gjithë krijuesit dhe ata që duan të punojnë, “që edhe neve të na tregoni vendlindjen tonë, por edhe të tjerëve, mysafirëve, të gjithë atyre – se kush është Ulqini, Ana e Malit, çka ka histori dhe çka ka gjëra të vjetra me vlerë të madhe, të papërshkrueshme në këtë vend”.
Gazmend Çitaku, i cili ka bërë skenarin dhe regjinë e filmit, ka thënë se ky film dokumentar është i shkëlqyeshëm.
“Film më të mirë nuk ka. Në qoftë se ka, le të më kallëzojë dikush, unë nuk kam parë. Tash kur ta shohim, keni për t’u bindur edhe ju. Megjithëse njëqind për qind jam i bindur që dikush nga ju din më mirë se ne, por a ka zemër më shumë se ne për të marrë hapin për të bërë një film, atë kemi për ta parë. Po e them me plot gojë: filmi është shumë i mirë. Unë jam shumë i kënaqur me filmin”, është shprehur ai.
Çitaku ka thënë se filmi ka disa mesazhe, histori, legjendë, tregime…, të cilat beson se publiku do t’i kuptojë.
Në qendër të filmit dokumentar është Ura e Vjetër e Klleznës, por edhe aspekte të tjera të këtij fshati të veçantë të trevës së Anës së Malit dhe Komunës së Ulqinit. Përmes rrëfimit autorial dhe bashkëbiseduesve tregohet e kaluara dhe rëndësia e këtij vendbanimi.
Krahas Lucës dhe Çitakut, pjesë e ekipit realizues të filmit dokumentar “Kllezna – vendi i tri urave” është edhe kameramani Samir Ismaili, i cili ka bërë po ashtu edhe montazhin, si dhe Indrit Çitaku.
Realizimi i filmit dokumentar është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave të Malit të Zi.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat