Listat zgjedhore shqiptare fituan 3 deputetë

Më 11 qershor 2023 në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Të dhënat paraprake të publikuara nga Qendra për Monitorim dhe Kërkim (CEMI) në bazë të 99.9 përqind të rezultatit të të gjitha qendrave të votimit, tregojnë se Lëvizja “Evropa Tani” ka fituar më së shumti vota, por të pamjaftueshme për të formuar e vetme qeverinë me 25.6 përqind – 24 deputetë, koalicioni “Së bashku” (Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Liberale) 23.2 përqind – 21 deputetë, Demokracia e Re Serbe, Partia Demokratike Popullore dhe Partia e Punës 14.7 përqind – 13 deputetë, Demokratët dhe URA 12.5 përqind – 11 deputetë, Partia Boshnjake 7.1 përqind – 6 deputetë, Partia Popullore Socialiste dhe Demos-i 3.1 përqind – 2 deputetë, Forumi Shqiptar 1.9 përqind – 2 deputetë, Aleanca Shqiptare 1.5 përqind – 1 deputet, Iniciativa Qytetare Kroate 0.7 përqind – 1 deputet, ndërsa Partia Social Demokrate, Drejtësi për të gjithë, Lëvizja për Ndryshime, “Ne mundemi” dhe koalicioni, Mali i Zi i Drejtë, Demokristianët, Mali i Zi i Lirë, Partia Demokratike Serbe dhe Lëvizja për Plevla, si dhe Lëvizja “Kthesë” nuk arritën të kalojnë pragun zgjedhor.
Ndërkaq, siç është njoftuar nga Qendra për Tranzicionin Demokratik, pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 56.4 përqind ose 305.760 qytetarë, që tregon se qytetarët dolën dukshëm më pak në votime krahasuar me vitin 2020, ku dalja ishte 76.6 përqind, ndërsa në vitin 2016 – 73.3 përqind.
Nga Qendra për Monitorim dhe Kërkim (CEMI) kanë njoftuar se në një qendër zgjedhore në Tuz do të përsëritet votimi.
Për këto zgjedhje garuan 15 koalicione dhe subjekte politike.
Kujtojmë se zgjedhjet e 11 qershorit 2023 janë zgjedhjet e dymbëdhjeta me radhë që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, dhe të gjashtat pas ripërtërirjes së pavarësisë në vitin 2006.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi u zhvilluan më 30 gusht të vitit 2020, atëherë kur fituan partitë opozitare kundrejt qeverisjes tredekadëshe të Partisë Demokratike të Socialistëve.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat