
Ndër gjashtë paralelet me gjithsej 125 maturantë – katër paralele me 96 maturantë të vitit të katërt dhe dy paralele me 39 maturantë të vitit së tretë të Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, që këtë vit shkollor kryen shkollën e mesme (në paralelen e ndarë në Guci, këtë vit shkollor nuk pati paralele maturantësh), është edhe paralelja e gjimnazit me maturantë në gjuhën shqipe me 8 (tetë) sish – pesë vajza: Arjona Hysenaj, Delfina Kukaj, Ledina Haxhaj, Medina Haxhaj e Vlora Sinanaj dhe tre djem: Arianit Novaj, Daniel Curanaj e Kristjan Curanaj dhe kujdestare klase, Shpresa Kukaj-Kurtagiq, të premten e kaluar, më 2 qershor 2023, shënuan Mbrëmjen e Maturës.
Që në orët e hershme të mbrëmjes, para godinës së shkollës ku përfunduan maturën, u tubuan djem e vajza maturantë, veshur me rroba asnjëherë më të bukura, vajzat me fustane të modës, ngjyrash dhe dizajnesh të ndryshme, kurse djemtë me kostume të larmishme më moderne. Rrobat i kishin përgatitur më parë falë mirësisë, mirëkuptimit dhe përkujdesjes së prindërve të tyre, të cilët nga buxheti familjar ua kishin siguruar, por edhe nga të afërmit e tyre, për të shënuar dhe përjetuar në mënyrë sa më madhështore njërën ndër festat më të mëdha të jetës së tyre – Mbrëmjen e Maturës, mbrëmjen e gëzimit dhe krenarisë, e po aq edhe përmallimit. Ajo ishte mbrëmja kur ata njëri-tjetrit me buzë në gaz, por edhe me lot në sy i thanë lamtumirën e fundit pas shumë vitesh të kaluara bashkë, me disa nga katër, me ca nga nëntë, por me disa edhe nga 12 e 13 vite shkollore, duke ndarë bashkë të mirën dhe të keqen, gëzimin e ndonjëherë edhe hidhërimin, lojën dhe piknikun, vizitat e ndërsjella, por edhe ekskursionet njëditore brenda komunës, jashtë saj dhe më gjerë.
Moti i vranët, por pa reshje shiu, në vigjiljet e orëve të mbrëmjes mundësoi që manifestimi i kësaj mbrëmjeje madhështore të fillojë në kohën e paraparë në ora 18:30, kur në praninë e disa qindra personave, prindërve, familjarëve të ngushtë, por edhe të tjerëve të cilët kishin ardhur që gëzimin dhe harenë e Mbrëmjes së Maturës ta ndanin me fëmijët dhe të afërmit e tyre.
Vargëzimi i veshëzave dhe djemve maturantë të gjashtë paraleleve të kësaj shkolle, në çift, por edhe nga tre sish, pikënisje patën hollin e katit përdhes të shkollës për të vazhduar parakalimin nëpër ambientin e sheshit të qytetit të shtruar me tapet të kuq, por këtë vit jo edhe deri te objekti i Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, sepse në vazhdë janë punimet në rikonstruktimin e rrugës kryesore “Racina” që shpie deri atje. Pas disa parakalimesh në ambientin e sheshit në afërsi të shkollës, maturantët vazhduan rrugëtimin për në Guci me ca minibusë të kompanisë së komunikacionit ndërurban “Elan Company”, të cilët pronari i dha gratis për udhëtimin e maturantëve, ku po ashtu në vigjilje të mbrëmjes defiluan prej stacionit të autobusëve deri te Xhamia e Vezirit dhe godina e Shkollës Fillore “Xhafer Nikoçeviq”, në të cilën disa prej maturantëve të paraleles në gjuhën shqipe kishin kryer klasët e larta të shkollës fillore, por edhe një numër i konsiderueshëm maturantësh të paraleleve të tjera po ashtu kishin përfunduar shkollimin fillor, për t’u kthyer pastaj sërish me minibusë në restorantin e Kompleksit “Aqua Resort”, i cili gjendet përballë Liqenit të Plavës, në lagjen Llatek të fshatit Brezojevicë, jo larg Plavës.
Drejtoresha e shkollës, Snezhana Bojoviq, e shoqëruar nga mësimdhënës, gjatë tërë kohës së qëndrimit i shoqëroi maturantët hareshëm, e cila në fjalën e rastit atyre me admirim, por edhe me dozë emocioni iu drejtua: “Ndjej kënaqësi, obligim dhe nder që t’u përshëndes në emër të kolektivit të shkollës ku përfunduat maturën, por edhe në emër timin personal. Jam e sigurt se nga kjo shkollë do bartni përplot kujtime të bukura, por edhe dituri, të cilat do t’u ndihmojnë që të sigurt të ndiqni rrugët tuaja jetësore, por edhe të pajiseni me dituri të tjera dhe të sendërtoni ardhmërinë tuaj të lumtur”, është shprehur ajo dhe në vazhdim ka shtuar: “Ajo që është në radhë, por edhe ajo në cilën besojmë, është se ju do të vazhdoni zhvillimin dhe përsosjen intelektuale”.
Drejtoresha Bojoviq më pas ka vënë në dukje se këtë vit shkollor me sukses kryejnë shkollimin e mesëm 125 nxënës – maturantë në gjashtë paralelet mësimore. Shkolla është krenare me të gjithë maturantët e në veçanti me ata të cilët janë laureat të çmimit “Pishtari”.
“Maturantë të dashur, prej sot ju presin nxitje e sfida të reja dhe me këtë rast do t’ju porosis se mu prej kësaj dite nxitoni e ndiqni rrugët e reja deri diku të panjohura. Ekzistojnë gjëra për të cilat nuk kemi mundur t’u përgatisin, takimet me njerëz dhe ngjarje për të cilat nuk keni mundur të mësoni nga librat. Por ajo që së bashku ia kemi dalë, është se jeni bërë madhorë, njerëz të pjekur e të kalitur, të vetëdijshëm për rëndësinë dhe përgjegjësinë personale. Edhe njëherë me tërë shpirt dhe zemër ua uroj Mbrëmjen e Maturës dhe ju dëshiroj çdo të mirë, shëndet dhe fat në jetë”, ka përfunduar shprehjen e urimit dhe të përgëzimit drejtoresha e shkollës zonja Snezhana Bojoviq.
Të shoqëruar nga drejtoresha, kujdestarët e klasëve dhe ca mësimdhënës, maturantët festuan deri në orët e hershme të ditës së nesërme. Sa ishin të gëzuar e krenarë se po finalizonin punën e tyre 12 e 13 vjeçare të edukimit dhe arsimimit, të përmalluar, mallëngjyer e emocionuar se po ndaheshin përgjithmonë si pjesëtarë të bashkësisë së klasës të cilës i përkisnin, të shoqërisë së ngushtë që kishin dhe shumë çka tjetër në këtë drejtim. Mirëpo, edhe përkundër gjithë kësaj, ata u zotuan se nuk do të jenë larg njëri-tjetrit, pa marrë parasysh se ku do ta vazhdojnë shkollimin e mëtejm superior në universitetet e ndryshme të Kosovës, Shqipërisë e Malit të Zi, ata me mësim në gjuhën shqipe.
Në ambientet e restorantit “Aqua Resort”, deri në orët e vona të natës nuk kanë pushuar tingujt e muzikës, më të cilët janë përcjellë vallet dhe këngët e maturantëve të hareshëm dhe të disponuar, të cilët nuk kanë hezituar për të ngritur ndonjë gotë uiski, birrë, vëre dhe pije të tjera freskuese joalkoolike, bashkë me mësimdhënësit e tyre të cilët i shoqëronin.
Ndarja e maturantëve në fund ka qenë momenti më i vështirë. Përqafimet me lot ndër faqe e ndonjëherë edhe me vaj, si dhe shtrëngimi i dorës së lamtumirës, kanë qenë momentet që për shumë kohë dhe mot ata nuk do t’i harrojnë dhe përjetimet e tyre përgjithmonë do të qëndrojnë të pashlyera.
