Lidhje më e shpejtë ndërmjet Podgoricës, Tuzit dhe kufirit me Shqipërinë

Podgoricë/Tuz – Bulevardi Podgoricë-Tuz (faza e dytë e punimeve) u hap zyrtarisht të mërkurën (31 maj 2023).
Hapjen zyrtare (prerjen e shiritit) e bëri kryeministri Dr. Dritan Abazoviq, kyebashkiakja e Podgoricës, Prof. Dr. Olivera Injac dhe drejtori i Drejtorisë për komunikacion, Radomir Vuksanoviq. I pranishëm në hapjen zyrtare të këtij aksi rrugor ishte edhe kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Kryeministri Dr. Dritan Abazoviq gjatë hapjes së këtij bulevardi tha se,ajo që duhet bërë në periudhën e ardhshme është investimi në infrastrukturë, sepse siç tha, sa më shumë rrugë dhe rrjedhje më të shpejtë, kjo do të thotë edhe zhvillim më të madh të Malit të Zi dhe ngritje e standardit të qytetarëve.
Abazoviq ka thënë se bulevardi i ri paraqet lidhje të shpejtë ndërmjet Podgoricës, Tuzit dhe kufirit me Shqipërinë.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme për qytetarët dhe për afaristë të kryeqytetit dhe të Komunës së Tuzit dhe për zhvillimin ekonomik që ekziston ky komunikim i shpejtë, duke iu falënderuar këtij aksi rrugor”, tha Abazoviq.
Ndërkohë, kryebashkiakja e Podgoricës, Prof. Dr. Olivera Injac ka thënë se perspektiva e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, nënkupton edhe insfrastrukturë më të mirë dhe se hapja e akseve të reja rrugore inkurajon në këtë aspekt.
“Pa rrugë nuk kemi as zhvillim ekonomik, kështu që edhe ky aks rrugor është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, për zhvillimin kulturor dhe për investime në kryeqytet. Planet tona janë që në bashkëpunim me qeverinë të punojmë në mënyrë aktive në avancimin e infrastrukturës”, theksoi kryebashkiakja, Injac.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për komunikacion, Radomir Vuksanoviq duke treguar se ndërtimi i bulevardit me gjatësi 2.6 kilometra ka kushtuar 6.5 milionë euro, nga të cilat 1.3 milionë i ka ndarë kryeqyteti, theksoi se në këtë mënyrë është zgjidhur një rrugë e ngushtë në kryeqytet dhe se tani është përmirësuar lidhshmëria ndërmjet Podgoricës dhe Tuzit.
Ai, sikurse edhe kryeministri Abazoviq dhe kryebashkiakja Injac, kanë falënderuar kontraktuesin dhe mbikqyrësin e punimeve, si dhe grupin i cili ka përcjellur realizimin e këtij projekti për ndërtimin me sukses dhe para afatit të paraparë të Bulevardit Podgoricë-Tuz.
Rikujtojmë që punimet për ndërtimin e fazës së dytë të Bulevardit Podgoricë-Tuz filluan nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa punimet për fazën e tretë dhe finale, siç njoftuan pak ditë më parë nga Komuna e Tuzit, pritet të fillojnë shumë shpejt.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat