Guci – Të enjten, më 1 qershor 2023, në godinën e Komunës së Gucisë është mbajtur konferenca për media në të cilën është prezantuar projekti “Aksioni i përbashkët i mbrojtjes së mjedisit jetësor”, të cilin e bashkëfinacon Bashkimi Evropian me mjetet nga programi IPA të bashkëpunimit tejkufitar Mali i Zi – Shqipëria 2014-2020, gjegjësisht Ministria e Financave e Malit të Zi, sektori për marrëveshje dhe financim të programeve nga mjetet e Bashkimit Evropian (CFCU).
Projektin e zbatojnë së bashku Komuna e Gucisë (Mali i Zi) dhe Komuna e Pukës (Shqipëri), me qëllim kontributi i mbrojtjes së mjedisit jetësor në rajonin tejkufitar nëpërmes infrastrukturës së menaxhimit më efikas dhe modern me hedhurina. Projekti do t’i kontribuojë përmirësimit të kapacitetit dhe efikasitetit të shërbimeve publike në këtë fushë, ndërsa fokusi do të jetë në promovimin e vetëdijes ekologjike te të rinjtë përmes aksioneve të përbashkëta lidhur me grumbullimin e hedhurinave në këto komuna.
Në konferencën në fjalë kanë folur kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, kryetari i Komunës së Pukës, Gjon Gjonaj, drejtori ekzekutiv i SHPK “Veprimtaritë Komunale” në Guci, Demir Bajroviq, dhe menaxheri i projektit, Shaban Prelvukaj.
Kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, në fjalën e rastit ka falënderuar në përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian duke theksuar se përmes blerjes së pajisjes ndërmarrjeve komunale, në zbatimin e organizimit dhe mbajtjes se trajnimeve, ndërmarrësit të aftësohen për punë sa më cilësore. Kryetarja Çekiq, po ashtu mendon se partnerët me rastin e zbatimit të këtyre projekteve mjaft të rëndësishëm, fiton miq të rinj, dituri të reja dhe shkëmbehen përvoja të cilat janë me peshë dhe vlerë. Njëherazi hapen mundësitë për bashkëpunim në lëmi dhe fusha të tjera.
Kryetari i Komunës së Pukës, Gjon Gjonaj, ka falënderuar në besim Komunën e Gucisë duke theksuar se shpreson që projekti do t’i realizojë rezultatet e planifikuara, do të avancojë infrastrukturën e menaxhimit me hedhurina në këto komuna dhe do të kontribuojë në ruajtjen dhe mbrojtjen në të mirë të mjedisit jetësor.
Rezultatet e pritura të projektit kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve të ndërmarrjeve publike komunale për menaxhim me hedhurina, kur ato të bëjnë zbatimin e blerjes së automjeteve të specializuara për grumbullimin e hedhurinave dhe të kontejnerëve në të dy komunat, panelat diellorë – banka të mençura, por edhe vizita të organizuara studiuese dhe punëtori të përfaqësuesve të ndërmarrjeve publike komunale, ku do të shkëmbehen dituri dhe përvoja në këtë lëmi. Po ashtu, njëri nga rezultatet e projektit ka të bëjë me avancimin e diturisë së të rinjve mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe menaxhimit me hedhurina, andaj përmes projektit do të organizohen punëtori edukative për nxënës dhe mësimdhënës në shkollat fillore në Guci dhe Pukë, Eko kampi dhe aktivitete tjera përcjellëse të karakterit edukativ.
Projekti do të ketë në fokus edhe avancimin e infrastrukturës lokale në lëmin e menaxhimit me hedhurina, ndërsa kujdes i posaçëm do t’i kushtohet promovimit të rëndësisë së mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe menaxhimit me hedhurina te popullata, përmes zbatimit të fushatës adekuate të mediave dhe aktiviteteve të tjera.
Realizimi i projektit ka filluar më 1 shkurt 2023 dhe do të zgjasë 18 muaj. Vlera e tërësishme e projektit është 300.420 euro.
Shaban Hasangjekaj