Tri ditë feste për anamalasit dhe miqtë e tyre

“Shoqata ‘Ora’ ka ditur që me organizimet e veta të arrijë nivelet më të larta duke sjellë programe artistike, kulturore dhe shkencore. Këtë vit kemi vendosur të vazhdojmë me të njëjtin vizion dhe forcë për ta çuar më tej nivelin kulturor, artistik e shkencor të vendit tonë”, është shprehur në fjalën e hapjes kryetarja e Shoqatës “Ora”, Arjeta Kurti

Shoqata “Ora” organizoi gjatë fundjavës (26-28 maj 2023) edicionin e 17-të të manifestimit tradicional “Pranvera në Anë të Malit”, i cili rikthehet pas tre vitesh duke qenë se nuk është mbajtur për shkak të pandemisë së COVID-19.
Manifestimi është hapur të premten mbrëma me koncertin premierë me muzikë klasike shqiptare të Orkestrës Simfonike të Shkodrës dhe Korit Polifonik “Prenk Jakova” – Shkodër në Parkun Familjar-Publik Hajdari në Zenelaj të Anës së Malit.
Në fjalën e hapjes, kryetarja e Shoqatës “Ora”, Arjeta Kurti, e zgjedhur në krye të kësaj shoqate pak kohë më parë, ka përkujtuar se kemi lënë pas një periudhë të vështirë gjatë së cilës kemi humbur njerëzit më të dashur, ku ajo vetë humbi bashkëshortin e saj dhe Shoqata “Ora” kryetarin e saj Dritan Kurti.
“Ky ishte motivi dhe arsyeja e pranimit të detyrës së kryetares së Shoqatës ‘Ora’, me qëllim që ta vazhdoj misionin për përmbushjen e vizionit, aty ku Dritani e ka lënë së bashku me anëtarët e Shoqatës ‘Ora’”, ka thënë ajo.
Kurti ka theksuar se Shoqata “Ora” ka ditur që me organizimet e veta të arrijë nivelet më të larta duke sjellë programe artistike, kulturore dhe shkencore.
“Këtë vit kemi vendosur të vazhdojmë me të njëjtin vizion dhe forcë për ta çuar më tej nivelin kulturor, artistik e shkencor të vendit tonë”, është shprehur ajo.
Të pranishmit i ka përshëndetur kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, i cili ka thënë ndër të tjera se ky manifestim i shërben më së miri promovimit të turizmit të Ulqinit në prag të sezonit turistik.

Manifestimi është hapur të premten mbrëma me koncertin premierë me muzikë klasike shqiptare të Orkestrës Simfonike të Shkodrës dhe Korit Polifonik “Prenk Jakova” – Shkodër në Parkun Familjar-Publik Hajdari në Zenelaj të Anës së Malit. Ditën e dytë, në kuadër të ciklit “Ana e Malit ndër vite”, në Muzeun Etnografik në Draginë është bërë përurimi i librit “Ana e Malit sipas një trieshiani” të autorit Gjekë Gjonaj. Ditën e tretë është shfaqur program argëtues për fëmijë dhe të rritur, me pjesëmarrjen e artistëve vendas dhe SHKA “Rapsodia e Sharrit” nga Tetova. Po ashtu janë organizuar lojëra për fëmijë, lojëra tradicionale, gara sportive, panairi me ushqime tradicionale dhe veshje kombëtare etj.


Orkestra Simfonike e Shkodrës, me dirigjent mjeshtrin Jetmir Barbullushi, dhe Kori Polifonik “Prenk Jakova” me mjeshtrin e korit Gjon Shllaku, si dhe solistët Egzona Salaj, Blera Cina dhe Laorjan Ejlli kanë luajtur dhe kënduar pjesë nga kompozitorët e njohur shqiptarë Ç. Zadeja, P. Jakova, T. Daija, M. Gjoka, P. Kurti, Sh. Shllaku etj. duke dhuruar emocione të shumta për publikun. Po ashtu aktori Simon Shkreli, i cili bashkë me gazetaren Eliona Kodra – Shkreli kanë prezantuar programin, ka deklamuar vargje nga poetët vendas Basri Çapriqi, Hajredin Kovaçi dhe Flutur Mustafa – Pllana.
Ditën e dytë të manifestimit “Pranvera në Anë të Malit”, në kuadër të ciklit “Ana e Malit ndër vite”, në Muzeun Etnografik në Draginë është bërë përurimi i librit “Ana e Malit sipas një trieshiani” të autorit Gjekë Gjonaj.
Ditën e tretë në Parkun Familjar-Publik Hajdari është shfaqur program argëtues për fëmijë dhe të rritur, me pjesëmarrjen e artistëve vendas dhe SHKA “Rapsodia e Sharrit” nga Tetova. Po ashtu janë organizuar lojëra për fëmijë, lojëra tradicionale, gara sportive, panairi me ushqime tradicionale dhe veshje kombëtare etj.
Duke u shndërruar në tri ditë feste për anamalasit dhe miqtë e tyre mund të thuhet se manifestimi “Pranvera në Anë të Malit” u rikthye me sukses të plotë duke vazhduar rrugëtimin e vet të nisur që në vitin 2004.
Ky manifestim ka për qëllim shpalosjen e vlerave të traditës dhe trashëgimisë së trevës së Anës së Malit. Përgjatë viteve në kuadër të tij janë shfaqur programe nga fusha të ndryshme të artit, muzikës, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, etnografisë, teatrit, filmit etj. Në këtë mënyrë ai është shndërruar në një prej simboleve me të cilin identifikohet Ana e Malit. Manifestimi “Pranvera në Anë të Malit” ka ndikuar po ashtu në gjallërimin e jetës në Anën e Malit dhe si nxitje për organizimin e aktiviteteve dhe manifestimeve të tjera me karaktet kulturor e turistik.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat