Libri si dhuratë e respektit dhe dashurisë për Anën e Malit

“I ndarë në shtatë kapituj, libri paraqet një kronikë të ngjarjeve dhe jetës së përditshme të anamalasve. Autori në këtë libër paraqet materiale të cilat i ka grumbulluar gjatë punës së tij tridhjetëvjeçare për Anën e Malit. Bashkëbisedimet, intervistat, kronikat dhe format e tjera zënë një pjesë të mirë në këtë libër. Autori si një gazetar me përvojë, duke u bazuar edhe në literaturën e shkruar për Anën e Malit, ka arritur të trajtojë mjaft mirë në disa dimensione këtë trevë”, është shprehur redaktori Dr. Nexhad Avdiu

Libri “Ana e Malit sipas një trieshiani” i autorit Gjekë Gjonaj është përuruar të shtunën (27 maj 2023) në Muzeun Etnografik në Draginë, në kuadër të manifestimit “Pranvera në Anë të Malit”, i cili organizohet nga Shoqata “Ora”.
Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e kësaj shoqate, Arjeta Kurti, ka falënderuar autorin që është bërë pjesë e këtij manifestimi dhe që me këtë libër ka kontribuar për Anën e Malit, vlerat dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të kësaj treve.
“Në këtë libër pashë shumëçka, por mirënjohja të takon për atë çfarë ke shkruar për Shoqatën ‘Ora’, që gjithmonë ke ditur ta ngresh në piedestal. Ky libër do të jetë një vlerë e shtuar e Anës së Malit, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes për projekte të tjera lidhur me Anën e Malit”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Për librin kanë folur redaktori Dr. Nexhat Avdiu dhe recensentja Dr. Sabina Osmanoviq.
Avdiu ka thënë se kemi të bëjmë me një botim të mirëfilltë për zonën e Anës së Malit, i shkruar me dashuri të pashoqe.
“Sapo fillon e shfleton faqet e këtij libri, menjëherë të bie në sy gjuha e përdorur dhe trajtimi që autori i bën zonës në mënyrë të hollësishme. I ndarë në shtatë kapituj, libri paraqet një kronikë të ngjarjeve dhe jetës së përditshme të anamalasve. Autori në këtë libër paraqet materiale të cilat i ka grumbulluar gjatë punës së tij tridhjetëvjeçare për Anën e Malit. Bashkëbisedimet, intervistat, kronikat dhe format e tjera zënë një pjesë të mirë në këtë libër. Autori si një gazetar me përvojë, duke u bazuar edhe në literaturën e shkruar për Anën e Malit, ka arritur të trajtojë mjaft mirë në disa dimensione këtë trevë”, është shprehur ai.

„Libri në fjalë është i larmishëm në përmbajtje, herë ngjan me udhëpërshkrim, herë si një rrëfim historik. Teksa lexoni librin, në çdo fjali mund të ndjeni tonin dashamirës për njerëzit e kësaj zone dhe një lloj afrimiteti krejtësisht të natyrshëm. Të gjithë bashkëbiseduesit e tij, Gjeka i vlerëson si bashkautorë ngaqë pa rrëfimet e tyre unike nuk do të ishte e mundur të shkruhej ky libër“, ka theksuar recensentja Dr. Sabina Osmanoviq


Sipas Avdiut, ky libër përbën një arritje tjetër në fushën e publicistikës të autorit Gjekë Gjonaj.
Recensentja Dr. Sabina Osmanoviq ka thënë se autori i ka ndenjur besnik stilit të profesionit të tij gazetarisë dhe si i tillë ai është i kapshëm për çdo lexues.
„Libri në fjalë është i larmishëm në përmbajtje, herë ngjan me udhëpërshkrim, herë si një rrëfim historik. Teksa lexoni librin, në çdo fjali mund të ndjeni tonin dashamirës për njerëzit e kësaj zone dhe një lloj afrimiteti krejtësisht të natyrshëm. Të gjithë bashkëbiseduesit e tij, Gjeka i vlerëson si bashkautorë ngaqë pa rrëfimet e tyre unike nuk do të ishte e mundur të shkruhej ky libër“, ka theksuar ajo.
Osmanoviq ka thënë se autori mbështetet veçanërisht në rrëfimet e bashkëbiseduesve të tij si burime origjinale dhe i përjetëson ata në letër për t‘i ruajtur nga bryma e harresës.
„Mbase ky ka qenë edhe qëllimi parësor i autorit që lexuesit t‘i shpalosë hap pas hapi mozaikun me të cilin përgjatë viteve krijoi portretin e Anës së Malit parë me sytë e tij“, është shprehur ajo.
Në fjalën e tij, autori Gjekë Gjonaj ka treguar se shkaku kryesor që ta shkruajë këtë libër është respekti që ka për këtë krahinë të hershme me traditë të pasur dhe për banorët e saj të mirë kudo që ndodhen, të cilët i ka njohur dhe me të cilët është shoqëruar gjatë këtyre viteve.
Ai ka thënë se dashuria dhe interesimi i tij për këtë trevë dhe popullatën e saj fisnike dhe të ndershme filloi kur për herë të parë e ka vizituar këtë trevë, më 12 tetor 1992, në rolin e gazetarit të emisionit të parë në gjuhën shqipe në Televizionin e Malit të Zi “Kronika e javës”.
“Atë ditë të kthjellët tetori, nga Shtegvasha pashë si në pëllëmbë të dorës një panoramë jashtëzakonisht të bukur e mbresëlënëse, ku harmonizohen bukur mali, fusha, lumi, liqeni, dielli, klima e një listë e gjatë detajesh ku strehohej Ana e Malit, vend që do ta dëshironte ta shihte çdo vizitor e kalimtar i rastit, vendas apo i huaj. U deshën të kalojnë plot tri dekada dhe dashurinë tonë me këtë ‘nuse’ nga Ana e Malit ta kurorëzojmë sot të gjithë së bashku dhe, siç themi ne në Malësi, t’ia heqim nuses duvakun”, është shprehur Gjonaj, duke treguar se ky përurim përkon me tre përvjetorë të tij: 30-vjetorin e njohjes me këtë zonë, 35-vjetorin e fillimeve të tij në fushën e gazetarisë dhe 65-vjetorin e lindjes.
Gjatë përurimit, udhëheqësi Ismet Kallaba ka lexuar disa fragmente nga libri, kurse këngëtarja e re Amra Demiri, e shoqëruar në kitarë nga Edon Ceka, si dhe pjesëtarët e SHKA “Rapsodia e Sharrit” nga Tetova kanë kënduar disa këngë. Në fund të përurimit për të pranishmit është shtruar koktej me ushqime tradicionale.
Libri “Ana e Malit sipas një trieshiani” ka dalë nga shtypi para disa ditësh dhe është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.
i. k.

Të fundit

më të lexuarat