Do të ndërtohet terminali për importin e gazit të lëngshëm natyror

Përfaqësues të Qeverisë së Malit të Zi dhe të kompanive amerikane kanë nënshkruar të premten (12 maj 2023) një Memorandum për zbatimin e dy projekteve të infrastrukturës energjetike.
Sipas kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, këto projekte, ndër të tjera, do të zvogëlojnë varësinë nga gazi rus.
Bëhet fjalë për ndërtimin e një terminali për importin e gazit të lëngshëm natyror në Mal të Zi dhe instalimin e një termocentrali me gaz, furnizimi i të cilit do të vinte përmes terminalit. Projektet e terminalit dhe termocentralit do të jenë në portin e Tivarit.
“Kjo është e rëndësishme në mënyrë gjeopolitike për ne, sepse zvogëlon varësinë nga gazi rus, por mbi të gjitha kjo flet se ne e dimë se ku duam të lëvizë vendi në 10, 15, 20 vitet e ardhshme”, ka thënë Abazoviq.
Memorandumi është nënshkruar nga kryeministri Dritan Abazoviq, Phil Pyle, përfaqësues i Enerflex Energy Systems dhe Olin L. Wethington, president dhe shef ekzekutiv i Wethington Energy Innovation.
Wethington ka thënë se Mali i Zi, te kompanitë amerikane ka partnerin më të mirë teknologjik.
“Besoj se kemi siguruar themelin energjetik”, është shprehur ai.
Nënshkruesit e memorandumit janë pajtuar se bëhet fjalë për projekte që do të sigurojnë siguri energjetike dhe do të krijojnë perspektiva të mira për përparimin e mëtejshëm energjetik dhe të përgjithshëm ekonomik të Malit të Zi.
Sipas memorandumit, ato mund të fillojnë punën deri kah fundi i vitit 2025. Megjithatë, ata nuk kanë dashur të flasin për datën e fillimit të punimeve dhe vlerën e investimit, duke u shprehur se ato varen nga shumë faktorë.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, ka thënë se projekti i sjell Malit të Zi më të mirën në aspektin e teknologjisë, pajisjeve, njohurive dhe aftësive.
Bisedimet për këtë projekt nisën në janar të vitit 2020. Asokohe, ndihmës-sekretari për energjinë e fosileve në Departamentin e Energjisë të SHBA-së, Steven Winberg, tha se porti i Tivarit është një resurs ideal për furnizimin me gaz.
“Ai port ka një pozicion ideal për të pranuar gaz të lëngshëm dhe do të paraqiste një nyje nga ku gazi i lëngshëm do të transportohej në vende të tjera. Është një port me ujë të thellë dhe mund të pranojë anije që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.
SHBA-ja është prodhuesi më i madh i naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë, si dhe një nga tre eksportuesit më të mëdhenj të kësaj energjie.
Nënshkrimi i memorandumit vjen në një periudhë kur Evropa po bën përpjekje për të zvogëluar importin e gazit rus dhe për t’u pavarësuar nga ndikimi i tij. Bashkimi Evropian është zotuar të heqë dorë nga gazi rus në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Eksportet e gazit natyror rus në BE besohet se do të zvogëlohen për gati 60 miliardë metra kub më 2023 në krahasim me 140 miliardë metra kub vitin e kaluar dhe gati 200 miliardë metra kub në nivelet para pandemisë së koronavirusit.
Pavarësisht se marrëdhëniet në mes të Moskës dhe Perëndimit janë më të këqijat në dekada, Rusia ende furnizon BE-në me gaz përmes gazsjellësve që kalojnë nëpër Ukrainë dhe Turqi.
Megjithatë, sipas ekspertëve, eksportet mund të zvogëlohen edhe më shumë sesa tani, apo edhe të ndalen tërësisht më 2023, duke detyruar Evropën që të gjurmojë për gaz, në një botë me opsione të kufizuara.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat