U hap ekspozita personale epiktores nga Plava, Kaltrina Hoti

Shaban Hasangjekaj

Në hollin e katit përdhes të objektit të Qendrës për Kulturë në Guci, të hënën mbrëma, më 15 maj 2023, u hap ekspozita personale e pikturave me emërtimin simbolik “Fillimi i fundit”, të piktores së mirënjohur, por edhe të krijueses letrare të afirmuar, Kaltrina Hoti nga vendbanimi kodrinoro-malor, Hoti i Kujit i Komunës së Plavës, e cila përveç shumë ekspozitave të hapura personale e kolektive në SHBA, Mal të Zi e Kosovë, deri më tani ka botuar edhe shtatë libra në zhanre të ndryshme letrare në gjuhën shqipe dhe katër të tjerë në gjuhën angleze.
Në praninë e një numri të konsiderueshëm artdashësish shqiptarË, por edhe të komunitetit boshnjak e mysliman nga komunat e Plavës dhe Gucisë me rrethina – qytetarë dhe personalitete të tjerë të shquar të jetës politike, kulturore, shoqërore, etj., ndër të cilët edhe kryetarja e Komunës, Anella Çekiq, kryetari i Kuvendit të Komunës, Bujar Hasangjekaj, nënkryetari i Komunës, Edon Balidemaj, dhe drejtoresha e Qendrës për Kulturë, Llejlla Balliq. Por, në këtë drejtim gjithsesi duhet veçuar prezencën e arkeologut të mirënjohur shqiptar, Prof. Dr. Naser Ferri (nipi i patriotit, trimit dhe heroit legjendar kombëtar nga Plava, Jakup Ferri), i cili enkas kishte ardhur nga Prishtina për të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës në shenjë nderimi dhe respekti ndaj figurës dhe personalitetit të Kaltrina Hotit, të cilën publikisht e përshëndeti, e falënderoi dhe e uroi për sukseset dhe rezultatet grandioze që i ka shënuar dhe po i shënon në fushën e artit pamor dhe në atë të krijimtarisë letrare në gjuhën shqipe dhe angleze.
Ekspozitën prej 39 pikturash – 38 të piktores Hoti dhe një të një piktori kosovar, kushtuar portretit të Ali Pashës, të gjitha të punuara me ngjyra vaji të transponuara në pëlhurë dhe të ekspozuara në muret e hollit të objektit të Qendrës për Kulturë dhe në mbështetëset adekuate për këtë destinim, solemnisht e hapi kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, e cila në fjalën e rastit e uroi piktoren Hoti për punën e përkryer të krijimtarisë së saj artistike, si dhe për ekspozitën e kompletuar me piktura cilësore, hapjen e të cilës e ka organizuar Qendra për Kulturë e Gucisë në krye me drejtoreshën Llejlla Balliq, dhe nismëtarët e hapjes së saj, Avni Dedushaj dhe Ali Kukaj, të cilin e ka përkrahur dhe mbështetur Komuna e Gucisë.
Autorja e ekspozitës, piktorja Kaltrina Hoti, të pranishmit i ka njoftuar se pikturat e ekspozuara i ka punuar me dinjitet dhe përkushtim vërtetë profesional në periudhën katërvjeçare në galerinë e hapur në shtëpinë e vet në fshatin Hoti i Kujit, ca kilometra larg Plavës. Në punën e vet me piktura, pos transponimit të ngjyrave të vajit në pëlhurë, ajo ka përdorur edhe materie si: gur, hekur, gozhda, etj. Në pikturat e saj, siç tha ajo, dominon ngjyra e kuqe, të cilën e adhuron shumë dhe me të cilën shpreh të gjitha ndjenjat e jetës së vet shpirtërore: gëzimin, hidhërimin, mllefin, brengën, mallëngjimin, etj.
Piktorja dhe krijuesja letrare, Kaltrina Hoti, fëmijërinë e vet e kaloi në Hot dhe Plavë, rininë e hershme në Prishtinë, ku kreu shkollën fillore dhe atë të mesme, dhe pas plot 32 vjetëve të kaluara në SHBA – Nju Jork dhe Teksas, ku vazhdoi dhe kreu shkollimin universitar, kthehet për të vazhduar jetën në vendlindje dhe për t’i kontribuar asaj në aspektin krijues e profesional.
Gjatë punës dhe aktivitetit të vet shumëvjeçar në fushën e arteve të bukura, piktorja Kaltrina Hoti shfaqi 67 ekspozita personale në SHBA, në Mal të Zi dhe Kosovë, si dhe ca ekspozita kolektive në Plavë, Tuz, Ulqin, Pejë, etj. Ajo gjatë këtij viti ka në plan që ekspozitën ta hapë edhe në Prishtinë dhe në ca qendra të tjera të Kosovës.
Në prononcimin për gazetën Koha Javore, piktorja Kaltrina Hoti u shpreh: “Pak a shumë kjo është paraqitja e artit abstrakt me të cilin njerëzit nuk janë të njohur shumë në këtë trevë. Ekspozita është titulluar ‘Fillimi i fundit’, është përmbledhja e përjetimeve të mia të pesë viteve, emocionet pozitive e negative, çka gjeta kur u ktheva, çka prita, dhe si unë reagova. Ky është cikli i fundit që merrem me këtë temë. Për këto pesë vite më duket sikur për herë të parë pesha e trupit tim është ndjerë në tokën ku jam kthyer, sepse përpara një herë apo dy kam pas rast të vij dhe ka qenë sikur nëpër erë. Me këtë ekspozitë pak a shumë dua të zgjoj vëmendjen e çdo njeriut, ta kujtoj që gjëja më e rëndësishme është ruajtja e identitetit. Personalisht mendoj që një ndër elementet kryesore të kulturës është arti. Promovimi i artit duhet me qenë më aktiv. Ne e kemi galerinë në Hot, që është hapur para tri viteve e gjysmë, por nuk është aktive për shkak të infrastrukturës. Kemi edhe galerinë që është hapur vjet në Plavë, aty janë 14 artista, 67 piktura të artistëve nga Plava dhe Gucia, dhe i kemi dy artistë nga Tuzi dhe Ulqini. Qëllimi është që nëpërmjet artit të bëhet lidhshmëria e të gjithëve në mënyrë paqësore”.
Ekspozita e pikturave të Kaltrina Hotit në Qendër për Kulturë në Guci qëndroi e hapur deri më 19 maj. Gjatë kësaj kohe piktorja Hoti bashkëpunoi me nxënësit e grupit të artit pamor të Shkollës Fillore “Xhafer Nikoçeviq” të Gucisë, të cilëve u dha udhëzime e këshillime, sugjerime, por edhe vlerësime në aktivitetet e punës në lëmin e artit figurativ. Ajo me nxënës punoi ca piktura të cilat do të mbesin në arkivin e shkollës.
Në fjalimin e vet të rastit, piktorja Kaltrina Hoti nga shpirti dhe zemra falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që mbrëmjen e së hënës ia kushtuan ekspozitës së saj. Në veçanti ajo përshëndeti dhe falënderoi arkeologun Prof. Dr. Naser Ferrin për pjesëmarrje, respekt, nderim dhe vlerësime kushtuar asaj, si dhe stafet punëdrejtuese të Komunës së Gucisë dhe Qendrës për Kulturë të këtij qyteti për organizimin dhe mbështetjen e parezervë të ekspozitës së shfaqur.

Të fundit

më të lexuarat