Kryetari i posarizgjedhur i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, pak ditë më parë ishte mysafir i RTV-së së Malit të Zi, me ç’rast në emisionin “Link” të Radios deklaroi se situata momentale financiare e Komunës së Plavës është stabile, por tërhoqi vëmendjen në rrezikun nga shpenzimet e rritura. Ai theksoi se përkrah rritjen e përfitimeve dhe standardin më të mirë të qytetarëve, por siç shtoi në vazhdim, vetëqeverisjeve lokale duhet t’u jepen të ardhura më të mëdha që të mund t’i paguajnë borxhet.
Perspektivë të zhvillimit të trevës prej nga është, konsideron aksin rrugor Plavë-Bogiqevicë-Deçan i cili, siç u shpreh ai, duhet të hapë më se 30% të territorit të Plavës që mund të shfrytëzohet për qëllime turistike.
Kryetari Canoviq i cili ka fituar besimin e qytetarëve që në mandatin e dytë të udhëheq Komunën e Plavës, në emisionin në fjalë të Radios së Malit të Zi, tha se në këtë mandat do të përpiqet të dëshmojë për të gjitha ato që këtij qyteti i mungojnë, do të bëjë përpjekje që nga niveli lokal të përmirësojnë gjendjen, por siç shtoi, në mënyrë konstante nga qeveria dhe organet shtetërore do të kërkojë që t’i kryejnë detyrimet e veta.
Duke folur për infrastrukturën rrugore, kryetari Canoviq bëri me dije se gjithnjë e më shumë qytetarë nga Podgorica vijnë në Plavë, duke iu falënderuar aksit rrugor nëpër Shqipëri, por siç shtoi në vazhdim, Plava më shumë do t’i afrohet kryeqytetit – Podgoricës kur të vazhdojnë punimet në ndërtimin e autostradës prej Kollashinit deri në Andrijevicë.
Ai në deklaratë përmendi se kalimi nëpër Çakorr deri në Pejë ende nuk është hapur edhe pse ekziston infrastruktura e komunikacionit dhe memorandumi i nënshkruar në mes dy shteteve.
“Konstatojmë se perspektiva e zhvillimit të trevës sonë është aksi rrugor Plavë-Bogiqevicë-Deçan, i cili duhet të hapë më se 30% të territorit të Plavës që mund të shfrytëzohet në qëllime turistike”, konfirmoi kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq.
Kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me shtetin, kryetari Canoviq theksoi se ekzistojnë gjëra që janë për lëvdatë, por ka edhe asosh për të cilat shteti nuk ka sens dëgjimi kur janë në pyetje nevojat e komunave në veri të shtetit.
“Në cilën pjesë kemi ankesë? Para së gjithash është situata financiare e komunave në veri. Mendoj që miratohen dispozita ligjore pa konsultime me vetëqeverisjet lokale, e ato padyshim kanë reperkusione të rëndësishme negative në qëndrueshmëri dhe likuiditet të buxhetit të vetëqeverisjeve lokale. Programin ‘Evropa tani’ e përkrahim nga aspekti i rritjes së të ardhurave personale, por jemi të detyruar të kemi parasysh që të ardhurat ekonomike në veri dukshëm do të zvogëlohen”, ka konfirmuar zoti Canoviq.
Situata financiare në komunë momentalisht është stabile, por ai tërhoqi vëmendjen në rrezikun nga shpenzimet e rritura dhe të taksave të reja të cilat, siç tha ai, i ka imponuar qeveria dhe se nuk ka të ardhura të reja të cilat do të mbanin balancin.
“Do të përpiqemi të realizojmë komunikimin, para së gjithash përmes bashkësisë së komunave që t’u tregojmë organeve shtetërore ku mund të intervenojnë për të na lehtësuar jetën, nga ana tjetër do të menaxhojmë me nikoqirllëk institucionin për të qenë servis i vërtetë i qytetarëve”, ka thënë Canoviq.
Numrin e të punësuarve në veri të shtetit e konsideroi çështje sociale.
“Kur punëdhënës kryesor janë komuna dhe institucionet lokale, duhet pasur parasysh sensin për nevojat e qytetarëve dhe punësimin, si të mbeten në ato treva. Kemi zvogëluar numrin e të punësuarve në periudhën e kaluar, por nuk mund të shkojnë në prerje radikale, sepse duhet të kemi kujdes edhe për çështjen sociale”, ka thënë kryetari Canoviq.
Standardi në trevën e Komunës së Plavës nuk është aq i keq, theksoi ai, por për këtë, siç shtoi në vazhdim, duhet falënderuar diasporën e cila rregullisht dhe me kohë paguan mandat-obligimet e veta në llogaritë rrjedhëse të njerëzve që jetojnë atje, por edhe depozitojnë me mjete të rëndësishme në investime. Kryetari Canoviq shpreson që vitin e ardhshëm nga ato investime do të hapen dy hotele të reja, por edhe objekte të tjera të cilat falë atyre Plava do të jetë vërtetë vend turistik.
Shaban Hasangjekaj