Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës, të enjten mbrëma (18 maj 2023) është hapur ekspozita e punishtes së fëmijëve që vepron në kuadër të Organizatës Joqeveritare “Art Dulcinium”, me temë “Promovimi i veshjeve kombëtare të Ulqinit përmes artit figurativ”.
Në ekspozitë janë paraqitur vizatime e piktura me motive të veshjeve kombëtare në Komunën e Ulqinit, të punuara nga fëmijët e moshës 6-13 vjeçare të punishtes së fëmijëve, e cila drejtohet nga piktorja Vahida Nimanbegu. Në to pasqyrohet talenti dhe kreativiteti i fëmijëve për të vizatuar veshjet popullore si pjesë e rëndësishme e traditës dhe trashëgimisë sonë.
Ekspozita është hapur nga Leze Llazari. Në katalogun me punimet e fëmijëve, ajo shkruan se “veshjet popullore janë thesare të trashëgimisë sonë kombëtare, të cilat nuk shquhen vetëm për larminë e tyre, por edhe për bukurinë që përçojnë dhe vlerat artistike që ato përbëjnë”.
Sipas saj, “të punosh me fëmijë dhe të rinj është humanizmi më i lartë i epokës së cilës i përkasim, sidomos kur ambicia jonë na vesh me krenari kombëtare”.
Në programin me rastin e hapjes së ekspozitës kanë marrë pjesë me dy pika muzikore fëmijët e Kopshtit “Solidariteti”, të veshur me veshje popullore.
Punishtja e fëmijëve në Ulqin ka filluar punë në vitin 2005. Sot atë e ndjekin 30 fëmijë të moshave të ndryshme, ndërsa që prej fillimit e kanë ndjekur me dhjetëra fëmijë. Për çdo vit në Ulqin, qytete të tjera të Malit të Zi dhe jashtë tij hapen ekspozita me punimet e fëmijëve të kësaj punishteje.
Ekspozita është hapur në kuadër të projektit të mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
i. k.