Do të jem president i vërtetë i të gjithë qytetarëve

“Në korniza të kompetencave që më janë dhënë me Kushtetutë dhe Ligj, si dikush që përfaqëson Malin e Zi në vend dhe jashtë tij, do të përpiqem të jem faktor i pajtimit dhe bashkimit në interes të çdo qytetari dhe të shoqërisë në tërësi. Por njëkohësisht do të jem edhe faktor korrektues, duke orientuar proceset shoqërore drejt demokratizimit të mëtejshëm të Malit të Zi. Qytetarët nuk do t’i ndaj në ata që më kanë dhënë votën në zgjedhjet e kaluara dhe në ata që kanë menduar ndryshe. Nga dita e parë e kryerjes së funksionit, do të mendoj se si do të duket dita e fundit e mandatit tim”, u shpreh Presidenti i ri, Jakov Millatoviq

Podgoricë – Presidenti i emëruar i Malit të Zi, Jakov Millatoviq mori zyrtarisht detyrën si president i vendit. Ceremonia zyrtare e inaugurimit të z. Millatoviq për president u zhvillua të shtunën, më 20 maj 2023 në Kuvendin e Malit të Zi, në mbledhjen e tretë të seancës së parë të rregullt pranverore, të cilën e drejtoi kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, znj. Danijella Gjuroviq.
Kjo seancë që kishte karakter zyrtar, filloi me intonimin e himnit të Malit të Zi.
Në prani të presidentit të largim të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, të kryeministrit Dritan Abazoviq, të presidentëve të shteteve të rajonit, të ish-presidentëve të Malit të Zi, të ish-krerëve të Kuvendit dhe Qeverisë, të përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor, të përfaqësuesve të korit diplomatik, të të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, të deputetëve, përfaqësuesve të Qeverisë e të personaliteteve të tjera, z. Jakov Millatoviq në pajtim me Nenin 97, Paragarafin 3 të Kushtetutës së Malit të Zi, bëri betimin e tij për President të Malit të Zi para deputetëve.
Siç e do Ligji dhe Kushtetuta, me dorën mbi Kushtetutë, z. Millatoviq gjatë betimit theksoi: “Betohem se detyrën e presidentit do ta kryej me përgjegjësi, ndershmëri, ndërgjegje, drejt dhe në mënyrë të paanshme, sipas Kushtetutës dhe Ligjit”.
Pas ceremonisë së betimit, Presidenti i ri i Malit të Zi, z. Jakov Millatoviq duke përshëndetur dhe falënderuar të gjithë zyrtarët e pranishëm në Kuvend, tha se ndjen nder të veçantë dhe krenari që me dhënien e betimit para deputetevë në Kuvendin e Malit të Zi, të marrë detyrën e Presidentit të Malit të Zi.
“Konsidreroj privilegj, por dhe përgjegjësi të madhe që kam pasur rastin të jem në krye të shtetit në të cilin kam lindur e të cilin e dua pafundësisht, në themelet e të cilit veprat e tyre jetësore i kanë ndërtuar gjeneratat e paraardhësve të mi me djersë dhe gjak, duke fituar lirinë e tij dhe duke mbrojtur të drejtën në ekzistencën e tij”, u shpreh Millatoviq.
Presidenti i ri duke shpalosur planet dhe vizionin e tij, u zotua se ai do të jetë president i vërtetë i të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, nacionale, fetare, apo të cilësdo cilësi tjetër personale.
“Në periudhën e ardhshme ne duhet të punojmë edhe me më përkushtim në krijimin e modelit të qëndrueshëm ekonomik, me fokus në realizimin e projekteve kapitale e infrastrukturore, si dhe në hapjen e vendeve të reja dhe më mirë të paguara të punës”, tha Millatoviq.
Presidenti i ri duke u ndalur në veprimtarinë e tij të politikës së jashtme e ndërkombëtare, tha se ai do t’i kushtojë vëmendje të veçantë promovimit ekonomik të Malit të Zi, duke u përpjekur që Malin e Zi ta përfaqësojë si shtet tërheqës dhe të sigurt për investime.
Presidenti Millatoviq foli edhe mbi përmbushjen e detyrimeve të mëtejshëm për integrimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, i cili tha se ai me vendosmëri do të ecë drejt përmbushjes se orientimeve kryesore strategjike dhe të politikës së jashtme.
“Njëri ndër to tashmë është realizuar. Mali i Zi është shtet anëtar përgjegjës dhe kredibil i NATO-s i cili edhe në periudhën e ardhshme do të qëndrojë fuqishëm në përmbushjen e obligimeve të cilat lindin nga anëtarësimi në aleancën e re, duke u dëshmuar si partner i besueshëm në aleancë me shtetet e zhvilluara demokratike”, tha Millatoviq.
Ai ka folur për marrëdhëniet e mëtejshme të Malit të Zi me të gjitha shtetet e rajonit, duke thënë se afrimi i shteteve të rajonit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është ilaçi më i mirë kundër riafirmimit të politikave destruktive të së kaluarës.
“Procesi i Berlinit mbetet për ne ura kryesore ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Brukselit, rivitalizimi i të cilit është i një rëndësie të jashtëzakonshme, në radhë të parë në kontekstin e ri dhe shtesë të pranisë së Bashkimit Evropian në rajonin tonë. Por, gjithashtu jam i mendimit se një sërë iniciativash ekzistuese, por edhe iniciativa të reja rajonale ekonomike të cilat kanë për qëllim bashkëpunimin e përhershëm brenda rajonit tonë, mund të kenë vlerë të shtuar”, theksoi Millatoviq.
Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Millatoviq u shpreh se detyrën e tij e fillon me dëshirën e madhe që të japë kontribut të plotë në zhvillimin e mëtejshëm demokratik të Malit të Zi, të stabilizimit të tij institucional dhe të avancimit të tij ekonomik.
“Në korniza të kompetencave që më janë dhënë me Kushtetutë dhe Ligj, si dikush që përfaqëson Malin e Zi në vend dhe jashtë tij, do të përpiqem të jem faktor i pajtimit dhe bashkimit në interes të çdo qytetari dhe të shoqërisë në tërësi. Por njëkohësisht do të jem edhe faktor korrektues, duke orientuar proceset shoqërore drejt demokratizimit të mëtejshëm të Malit të Zi. Qytetarët nuk do t’i ndaj në ata që më kanë dhënë votën në zgjedhjet e kaluara dhe në ata që kanë menduar ndryshe. Nga dita e parë e kryerjes së funksionit, do të mendoj se si do të duket dita e fundit e mandatit tim”, u shpreh Presidenti i ri, Jakov Millatoviq.
Ndërkaq, një ditë më herët, përkatësisht më 19 maj 2023, në prag të dorëzimit të detyrës Presidenti në largim i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq zhvilloi një konferencë për media në të cilën bëri një bilanc të rezultateve të vendin gjatë mandatit të tij.
Jakov Millatoviq është presidenti i tretë i Malit të Zi që nga ripërtërirja e pavarësisë në vitin 2006.
Presidenti i Malit të Zi zgjidhet në mandatin pesëvjeçar dhe i njëjti person mund të jetë president më së shumti dy herë. Presidenti i Malit të Zi nuk mund të ushtrojë funksion tjetër publik.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat