Më 11 qershor në Mal të Zi do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, kandidaturën për këto zgjedhje e kanë paraqitur 17 subjekte politike.
Afati për dorëzimin e listave zgjedhore ka qenë deri të martën në mesnatë (16 maj 2023), ndërsa sipas KSHZ-së listat i kanë dorëzuar: Forumi Shqiptar (Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Nacional Shqiptar), Aleanca Shqiptare (Forca e Re Demokratike, Partia Demokratike, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Grupi Qytetar “Lëvizja për Tuz”), “Drejtësi për të gjithë”- Vlladimir Leposaviq, Grupi i Qytetarëve “La Casa de papel”, Lëvizja “Kthesë”, Lëvizja për ndryshime, Lidhja “Ne mundemi për Malin e Zi evropian”, Iniciativa Qytetare Kroate, Partia Social Demokratike e Malit të Zi, Partia Demokratike e Socialistëve – Socialdemokratët – Partia Liberale e Malit të Zi – Unioni Demokratik i Shqiptarëve “Së bashku”, Partia Boshnjake, Lëvizja “Evropa Tani”, Lidhja “Për të ardhmen e Malit të Zi”, Lidhja e Demokratëve dhe URA-s, Lidhja e Partisë Socialiste Popullore – Demos-it, Lidhja Mali i Zi i Drejtë – Lëvizja për Plevla dhe Aksioni Qytetar Malazez. KSHZ-ja pas rishikimit të listave, për shkak të dokumentacionit jo të plotë, skualifikoi nga gara Grupin e Qytetarëve “La Casa de papel” dhe listën e Aksionit Qytetar Malazez.
Në kumtesën për media të Forcës së Re Demokratike kanë thënë se Aleanca Shqiptare me bartës të listës Genc Nimanbegun, do të përfaqësojë shqiptarët nga të gjitha trevat e Malit të Zi.
“Shqiptarët e meritojnë t’iu dëgjohet zëri dhe kërkesat e tyre të gjejnë zgjidhje. Prandaj ky koalicion do të punojë fuqishëm për të çuar përpara të drejtat e shqiptarëve dhe për të realizuar programin zgjedhor”, theksojnë nga Forca e Re Demokratike.
Ndërkaq, nga Forumi Shqiptar janë shprehur se ky koalicion përbën një listë të madhe gjithëpërshirëse që do të përfaqësojë shqiptarët nga Rozhaja, Plava, Gucia, Malësia, Kraja e Ulqini.
“Kemi punuar shumë sidomos vitin e fundit që kemi qenë bindshëm në qeveri për të gjitha këto zona që përmenda, për të gjitha komunat shqiptare dhe gjithë kohës do të potencojmë zhvillimin ekonomik, vende të reja të punës për vendet ku jetojnë shqiptarët dhe të bindur që me këtë skuadër treshe, me eksperiencë dhe krejt ato çfarë janë arritjet tona do t’ia dalim që të prezantojmë shqiptarët edhe më mirë se deri më tani”, ka thënë ndër të tjera Nik Gjeloshaj nga Forumi Shqiptar, njëherësh bartës i listës së këtij koalicioni në zgjedhjet e 11 qershorit.
Kujtojmë se zgjedhjet e 11 qershorit 2023 do të jenë zgjedhjet e dymbëdhjeta me radhë që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, dhe të gjashtat pas ripërtërirjes së pavarësisë në vitin 2006.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi u zhvilluan më 30 gusht të vitit 2020, atëherë kur fituan partitë opozitare kundrejt qeverisjes tredekadëshe të Partisë Demokratike të Socialistëve.
t. u.