Vepër unikale e shpalosjes, ndriçimit dhe reflektimit të prozatorëve shqiptarë në Mal të Zi

Shaban Hasangjekaj

Në sallën e vogël të Qendrës për Kulturë në Guci, të enjten mbrëma, më 11 maj 2023, në praninë e një numri modest adhuruesish të fjalës së shkruar letrare nga Gucia me rrethinë, ndër të cilët edhe kryetarja e komunës, Anella Çekiq, dhe nënkryetarët Huso Brdakiq dhe Edon Balidemaj, është përuruar antologjia e prozës së shkurtër e shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi me titullin simbolik “Të gjithë tanët”, karakteristikë kryesore e së cilës është se ajo shfaqet në një botim dygjuhësh – në gjuhën shqipe dhe në atë malazeze, dhe me sa dihet për herë të parë në Mal të Zi dhe në rajon, një përzgjedhje antologjike e prozës së shkurtër e shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi shfaqet në dy gjuhë, ashtu që lexuesve që nuk e njohin gjuhën shqipe u jepet mundësia të lexojnë veprat e autorëve të përfaqësuar në antologji në gjuhën malazeze.
Titulli metaforik i botimit të antologjisë “Të gjithë tanët”, tregon në fakt realitetin se veprat që kanë krijuar dhe i krijojnë shkrimtarët shqiptarë të Malit të Zi i përkasin një krijimtarie unikale letrare dhe artistike malazeze.
Programin e përurimit të librit në fjalë e hapi në gjuhën malazeze moderatorja Amra Tahiroviq, e cila në fjalën përshëndetëse tha se “kam nderin që në emër të Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi t’ju dëshiroj mirëseardhje dhe t’ju falënderoj për prezencë në mbrëmjen kushtuar prezantimit të veprës kapitale – antologjisë së prozës së shkurtër të shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi ‘Të gjithë tanët’, në botim dygjuhësh – në gjuhën shqipe dhe atë malazeze”.
Ajo në vazhdim shtoi se “promovimi i sontëm është rezultat i bashkëpunimit frytdhënës në mes të Komunës së Gucisë dhe qendrës së sipërpërmendur, e cila është formalizuar me nënshkrimin e marrëveshjes mbi bashkëpunim më 15 korrik të vitit 2021”.
Moderatorja Tahiroviq në elaborimin e vet të mëtejmë promovues të veprës tha se Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, është institucion i cili me angazhim të përhershëm vepron në promovimin dhe afirmimin e krijimtarisë kulturore e artistike të popujve pakicë, duke filluar nga përurimi i librave, programeve muzikore-skenike, ekspozitave, tribunave e deri te botimi i veprave me vlerë siç është antologjia e cila përurohet sonte.
Gjithsesi, përveç angazhimit në ruajtjen dhe avancimin e kulturës së popujve pakicë, qendra në fjalë me përkushtim e dinjitet vepron edhe në afirmimin e vlerave multikulturore dhe përshkimit të atyre interkulturore të shoqërisë malazeze. Andaj, botimi i antologjisë së prozës së shkurtër të shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi “Të gjithë tanët”, e cila sonte promovohet, pikërisht është dëshmi e tyre.
Mbi vlerën e antologjisë së botuar, anëtarëve të cilët në të janë të përfaqësuar dhe për veprat e tyre në përurim folën: publicisti dhe drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, Sallko Lluboder, shkrimtari, kritiku letrar dhe eseisti Dimitrov Popoviq i cili është lektor dhe përkthyes i një pjese të veprave të përfshira në libër, si dhe shkrimtari i mirënjohur malazez Prof. Dr. Drashko Doshlak, i cili është recensent i librit.
Sallko Lluboder në fjalën e rastit në gjuhën malazeze theksoi se Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, drejtor i së cilës është, me përkushtim i është përveshur punës në përgatitjen dhe botimin e antologjisë së prozës së shkurtër të shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi me titullin simbolik “Të gjithë tanët”. Cilësia themelore e njëherazi edhe vlera më e shquar qëndron në faktin se antologjia në fjalë paraqitet në notimin dygjuhësh – në gjuhën shqipe dhe atë malazeze.
Panelisti i përurimit, Sallko Lluboder, në vazhdim të elaborimit theksoi se qëllimi i botimit të antologjisë është që të paraqesë pasurinë shpirtërore të Malit të Zi meqë kultura dhe arti, të cilat i kultivojnë pjesëtarët e popujve pakicë të shtetit, janë pjesë unikale e të mirave kulturore e artistike të Malit të Zi, e kurrsesi duke mos i ndarë nga letërsia dhe kultura e tyre kombëtare. Ai është i bindur se antologjia e prozës së shkurtër të shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi padyshim ka rëndësi për letërsinë e tërësishme kombëtare të shqiptarëve, duke pasur parasysh vlerën e krijimtarisë letrare të autorëve të përfaqësuar në të.
Shkrimtari, kritiku letrar dhe eseisti, Dimitrov Popoviq, i cili është edhe lektor dhe përkthyes i një pjese të veprave të përfshira në libër, në mënyre dinjitoze, koncize, analitike dhe kronologjike, para të pranishmëve në gjuhën shqipe evokoi dhe shpalosi mbresat, kujtimet dhe përjetimet nga jeta dhe puna e tij e bujshme dhe gjithëpërfshirëse në fshatrat e Veriut të Shqipërisë, në punën mësimore-edukative në detyrën e mësuesit të gjuhës dhe letërsisë shqipe gjithnjë deri në kalim për jetesë në Mal te Zi, ku atje përjetoi batica dhe zbatica mbresëlënëse. Ai pastaj në mënyrë konstruktive shpalosi dhe reflektoi pamjet dhe vlerësimet e veta mbi antologjinë në fjalë. Në fund të elaborimit të vet mbi librin, zoti Popoviq recitoi me mallëngjim dhe emocion ca vargje nga krijimtaria letrare e shkrimtarit të famshëm shqiptar Ismail Kadare, të cilin e kishte pasur profesor në studime dhe me të cilin ka bashkëpunim dhe komunikim të vazhdueshëm.
Shkrimtari i mirënjohur malazez dhe njëherazi recensent i antologjisë Prof. Dr. Drashko Doshlak, në fjalën e rastit konfirmoi se shfaqja e antologjisë së parë të prozës nga shkrimtarët që shkruajnë në gjuhën shqipe dhe me origjinë nga Mali i Zi, është një ngjarje kulturore e klasit të parë. Gjatë hartimit të antologjisë u përdorën kritere të ndryshme. Por, pavarësisht nga të gjitha kriteret ato i lidhë detyrimisht një fije dhe ai është kriteri estetik. Prandaj librat e tillë u përkasin atyre librave që lexohen me kënaqësi.
Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, në këtë botim dhe përkthim të prozës nga shqipja në gjuhën malazeze, i ka afruar veprat e këtyre shkrimtarëve një publiku më të gjerë, për të cilët barriera gjuhësore ishte pengesë për njohjen e krijimtarisë letrare të këtyre shkrimtarëve, është shprehur panelisti Doshlak dhe në vazhdim ka shtuar se ky libër është një shembull i praktikës së mirë botuese për një kuptim të shkëlqyer të kulturave dhe mundësive letrare të popujve me gjuhë të ndryshme.
Në antologji paraqiten shkrimtarët prozatorë të cilët kanë lindur në Mal Zi, që krijojnë këtu, ose e kanë filluar dhe e kanë vazhduar punën e tyre letrare në disa mjedise të reja. Natyrisht, është shprehur Doshlak, në Mal të Zi janë tri zona dominuese nga e kanë origjinën këta shkrimtarë: rajoni Plavë-Guci, rajoni Ulqin-Tivar dhe Malësia. Vendlindja është e dukshme në veprat e tyre sipas motiveve edhe sipas leksikut.
Përfaqësimi i shkrimtarëve – prozatorëve në antologji përbëhet nga: Rexhep Qosja, Mehmet Kraja, Zuvdija Hoxhiq – Berisha, Asllan Bisha, Fran Canaj, Anton Gojçaj, Jaho Kollari, Mark Pashku Lucgjonaj, Hajro Ulqinaku, Ibrahim Berjashi dhe Muzafer Çaushi.
Antologjinë e prozës së shkurtër të shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi me titull “Të gjithë tanët” e ka botuar Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi, redaktorë të së cilës janë Zuvdija Hoxhiq – Berisha dhe Ismet Kallaba, recensentë Dr. Haxhi Shabani dhe Prof. Dr. Drashko Doshlak, lektorë Dimitrov Popoviq dhe Sonja Orllandiq, përkthyes Dimitrov Popoviq, Qazim Muja dhe Nikollë Berishaj dhe modelimi grafik Adella Zejnilloviq. Është shtypur në shtypshkronjën “Grafo group” në Podgoricë në vitin 2022 dhe përbëhet prej 352 faqesh.

Të fundit

më të lexuarat