Suedia fituese – Shqipëria u kualifikua në finale

Në Festivalin Evropian të Këngës (Eurovizion) 2023, në edicionin e 67-të me radhë të tij, i cili këtë vit u zhvillua në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar, Shqipëria hyri e para në finale në natën e gjysmëfinales së dytë që u mbajt më 11 maj në mbrëmje, përkrah Qipros, Estonisë, Belgjikës, Austrisë, Lituanisë, Polonisë, Australisë, Armenisë dhe Sllovenisë.
Megjithatë, në natën finale që u mbajt më 13 maj, ku performuan plot 26 shtete, Shqipëria nuk arriti të fitojë poenat e nevojshëm nga publiku dhe shtetet votuese për të “rrëmbyer” trofeun e Festivalit Evropian të Këngës (Eurovision Song Contest) 2023.
Shqipëria në Festivalin e Evropian të Këngës 2023, u përfaqësua nga këngëtarja e mirënjohur nga Kosova, Albina Kelmendi dhe familja e saj me këngën “Duje”.
Me një zë të kumbues e melodioz, performancë dhe skenografi të shkëlqyeshme, Albina Kelmendi mori admirimin e publikut, duke u duartrokitur dhe mbështetur fuqishëm.
Me vota të publikut, Albina Kelmendi dhe familja e saj me këngën “Duje”, një këngë që trajton një tematikë të rëndësishme në këtë kohë, që është familja, ajo arriti ta kualifikojë Shqipërinë në finale.
Kënga fituese e Festivalit Evropian të Këngës 2023, që përfaqësoi Suedinë ishte kënga “Tattoo”, interpretuar nga këngëtarja suedeze, Lorin Zineb Nora Talhaoui, e njohur me emrin skenik Lorin e cila mori pikët maksimale 583. Suedia kishte një mbështetje të fuqishme të publikut dhe nga shtetet që votuan. Pas Suedisë, në vendin e dytë u rendit Finlanda me 526 pikë dhe në vendin e tretë Izraeli me 362 pikë. Shqipëria u rendit e 22-ta, me gjithsejt 76 pikë.
Shtetet finaliste të Festivalit Evropian të Këngës 2023 ishin: Austria, Portugalia, Zvicra, Polonia, Serbia, Franca, Qipro, Spanja, Suedia, Shqipëria, Italia, Estonia, Finlanda, Çekia, Australia, Belgjika, Armenia, Moldavia, Ukraina, Norvegjia, Gjermania, Lituania, Izraeli, Sllovenia, Kroacia dhe Anglia.
Kjo është hera e dytë që këngëtarja Lorine Zineb Nora Talhaoui e fiton Festivalin Evropian të Këngës, pasi që edhe në vitin 2012 ajo u shpall fituese e këtij festivali.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat