Emërohet Komisioni Komunal i Zgjedhjeve

Plavë – Në seancën e tretë të Kuvendit të Komunës së Plavës në mandatin e ri katërvjeçar, të mbajtur të hënën, më 15 maj 2023, në sallën e vogël të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, në të cilën ishin të pranishëm 26 këshilltarë prej gjithsej 31 sa numëron Kuvendi, për trajtim dhe shqyrtim pati vetëm një pikë të rendit të ditës – propozimin e vendimit mbi emërimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.
Seancën e hapi kryetari i Kuvendit, Allen Balliq, i cili para fillimit të punës së saj, të pranishmit i njoftoi se kohë më parë Komisioni për zgjedhje dhe emërime me shkrim është njoftuar se 5 (pesë) këshilltarë të subjekteve të ndryshme politike që participojnë në Kuvend, për shkaqe dhe arsye të ndryshme kanë dhënë dorëheqje nga detyrat e veta, dhe në vend të tyre sipas renditjes në listat zgjedhore janë emëruar këshilltarët e ri të cilëve u është verifikuar mandati i këshilltarit.
Kështu, në vend të këshilltarit në dorëheqje të Partisë Boshnjake, Kemal Purishiq, emërohet këshilltari i ri Fuad Feratoviq (PB), në vend të këshilltarit të PDS-së Fazllija Krciq, emërohet Amilla Pupoviq (PDS), në vend të këshilltarit të PSD-së Sullejman Deshiq, emërohet Denis Nekoviq (PSD) dhe në vend të këshilltarëve të Socialdemokratëve, Vlladimir Knezheviq dhe Ervin Toshiq, emërohen këshilltarët e rinj Mirsad Llalliq dhe Sehad Gutiq.
Seanca e filloi pastaj punën sipas rendit të propozuar të ditës prej vetëm një pike, pa plotësime dhe ndryshime, i cili u miratua njëzëri nga gjithë këshilltarët e pranishëm.
Kryetari i Komisionit për zgjedhje dhe emërime, Adill Milush, të pranishmit në seancë i njoftoi se Komisioni Komunal i Zgjedhjeve përbehet prej kryetarit, zëvendësit të tij, sekretarit, katër anëtarëve dhe katër zëvendësve të tyre, të cilët të gjithë duhet të jenë juristë të diplomuar.
Për kryetar u emërua juristi i diplomuar Emro Feratoviq, kurse për zëvendës Nerma Shuvakiq, për sekretar juristi i diplomuar Mirallem Metjahiq, për anëtarë juristët e diplomua Mellih Musiq, Mirza Cecunjanin, Adnan Shaboviq dhe Radojko Dashiq, ndërsa për zëvendës të tyre po ashtu juristët e diplomuar Azemina Pallavtiq, Ismaill Gutiq, Muhamed Rekoviq dhe Predrag Krxhiq.
Propozimi i komisionit në fjalë u miratua njëzëri nga 26 këshilltarët e pranishëm në seancë.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat