Plavë – Në seancën e dytë të Kuvendit të Komunës së Plavës, të mbajtur të hënën, më 24 prill 2023 në sallën e vogël të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq, në të cilën ishin të pranishëm 29 këshilltarë në mandatin katërvjeçar, prej gjithsej 31 sa numëron edhe Kuvendi i ri i Komunës, është zgjedhur kryetari i Komunës, ushtruesi i detyrës së sekretarit të Kuvendit të Komunës, kryetari i Këshillit për zgjedhje e emërime me 6 anëtarë, kryetarët dhe anëtaret e këshillave dhe pleqësive (këshilldhënieve) të përhershme të organeve të Kuvendit të Komunës së Plavës, si dhe janë shqyrtuar dhe miratuar një vistër propozim-vendimesh e organeve të qeverisjes lokale, institucioneve, organizatave dhe ndërmarrjeve që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Plavës.
Seancën e hapi kryetari i ri i Kuvendit të Komunës, Allen Balliq, i cili të pranishmit i njoftoi me rendin e propozuar të ditës prej 10 pikash, që pa plotësime dhe ndryshime është miratuar njëzëri nga këshilltarët e pranishëm.
Seanca filloi punën me zgjedhjen e kryetarit dhe të gjashtë anëtarëve të Këshillit për zgjedhje dhe emërime. Në propozim të kryetarit të Kuvendit, Allen Balliq, kryetar i këshillit në fjalë u zgjodh këshilltari i Koalicionit “Bashkërisht ngadhënjyeshëm për Plavën” SD, PDS, PSD – Adill Milush dhe gjashtë anëtarët: Hurijeta Pejçinoviq, Adnan Shaboviq, Fazlija Krciq, Sanija Shahmanoviq, Esad Bajraktareviq dhe Igor Prashçeviq, miratimi i zgjedhjes së të cilëve u bë njëzëri.
Në vazhdimin e punës së seancës, në pajtim me dispozitat ligjore dhe të statutit të qeverisjeve lokale, kryetari i KK-së, Allen Balliq, për kryetar të ri të Komunës së Plavës propozoi kryetarin e komunës në mandatin paraprak, Nihad Canoviq, i cili në seancën konstituive të Kuvendit të Komunës dha dorëheqje nga detyra e këshilltarit. Në votimin e hapur të këshilltarëve, propozimi u miratua me 19 vota “për”, 4 vota “kundër” dhe 3 vota “të përmbajtura”. Kryetari i posa rizgjedhur i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, pas dhënies së “betimit solemn” para të pranishmëve, në fjalën e rastit u zotua se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Komunës së Plavës dhe njëherazi falënderoi këshilltarët për mbështetjen dhe besimin e dhënë të jetë njeriu i parë i kësaj komune.
Në vazhdën e mëtejme të punës së seancës sipas renditjes së pikave të rendit të ditës, kryetari i posazgjedhur i Këshillit për zgjedhje dhe emërime, Adill Milush, në mënyrë kronologjike elaboroi mbi zgjedhjen e kryetarëve dhe të anëtarëve të përhershëm të këshillave dhe pleqësive (këshilldhënieve) të Kuvendit të Komunës.
Në pleqësitë (këshilldhëniet) e KK-së: për përcjellje dhe realizim të Kushtetutës dhe Statutit kryetar u zgjodh Azemina Pallavrtiq, kurse anëtarë: Edin Musiq, Muhamed Rekoviq, Mirza Cecunjanin dhe Zdravko Gjuriçanin; për parashtresa, propozime dhe mbikëqyrje shoqërore kryetar u zgjodh Samir Canoviq, kurse anëtarë: Sehad Gutiq dhe Ranko Stijoviq; për dispozita kryetar u zgjodh Emro Feratoviq, kurse anëtarë: Melliha Musiq, Mirza Shaboviq, Ervin Kandiq dhe Zdravko Gjuriçarin; për bashkëpunim ndërkomunal kryetar u zgjodh Besim Musiq, kurse për anëtarë: Ernad Bashiq, Sehad Gutiq, Emir Feratoviq dhe Haris Shahmanoviq; për mbrojtjen e mjedisit jetësor kryetar u zgjodh Sellmir Kuçeviq, kurse për anëtarë: Fuad Feratoviq, Jellena Otasheviq, Ranko Stijoviq dhe Rajka Knezheviq-Bozhoviq; për çështje fetare kryetare u zgjodh Erzana Rexhematoviq, kurse anëtarë: Dr. Allmir Aksalliq, Ganija Gutiq, Sullejman Shaboviq dhe Boris Turkoviq. Në këshillat e KK-së: për vetëqeverisje lokale kryetar u zgjodh Bratisllav Otasheviq, kurse për anëtarë: Edin Musiq, Denis Nekoviq, Erzana Rexhematoviq dhe Igor Prashçeviq; për fushën komunale – banesore, mbrojtjen e mjedisit jetësor, zhvillim, ekonomi dhe financa kryetar u zgjodh Denis Nekoviq, kurse për anëtarë: Mirsad Llalliq, Amilla Pupoviq, Mirza Medunjanin dhe Boris Turkoviq; dhe në Këshillin për veprimtari shoqërore kryetar u zgjodh Dr. Allmir Aksalliq, kurse për anëtarë: Aida Kollashinac, Dr. Merida Mehmedoviq, Sabina Kollashinac dhe Ibër Hoti.
Të gjitha përbërjet e pleqësive dhe këshillave të KK-së janë miratuar njëzëri.
Për pjesëmarrje në lidhjet martesore (kurorëzim) në ofiqarinë e Komunës së Plavës, u caktuan këshilltarët: Sead Jasaviq, Faruk Shaboviq, Dr. Allmir Aksalliq dhe Sabina Kollashinac, kurse në atë të BL në Murinë këshilltarët: Rajka Knezheviq-Bozhoviq dhe Jellena Otasheviq. Vendimi u miratua njëzëri.
Këshilltarët në punën e vet në seancë e cila zgjati rreth dy orë, shkarkuan pleqësinë e deritashme pesëanëtarëshe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” të Plavës, atë të Këshillit punëdrejtues pesëanëtarësh të Qendrës ditore për fëmijë dhe të rinj me të meta në zhvillim “Llipa” në Plavë dhe të anëtarëve të Këshillit të drejtorëve të SHPK “Veprimtaritë komunale” në Plavë, dhe në vend të tyre emëruan tjerët me numër të njëjtë anëtarësh. Vendimet mbi shkarkimin dhe vendimin e organeve në fjalë u miratuan njëzëri apo me shumicë votash.
Tri propozim-vendimet e parafundit të rendit të ditës: mbi përfitimet e funkcionarëve lokalë, mbi ato të zyrtarëve dhe nëpunësve lokalë dhe mbi dhënien e pëlqimit për marrëveshje mbi ndërtimin e përbashkët, në mënyrë koncize dhe analitike i prezantoi dhe argumentoi kryetari i posazgjedhur i Komunës, Nihad Canoviq, të cilat u miratuan me shumicë votash “për” të këshilltarëve të pranishëm.
Meqë sekretarja e deritashme e Kuvendit të Komunës, Kuvendin e Komunës i ka njoftuar me shkrim se jep dorëheqje në këtë post, kryetari i Kuvendit në përputhje me rregullore, statut dhe parimet ligjore deri në zgjedhjen e re me konkurs për sekretar të ri të Kuvendit, për ushtrues të detyrës së sekretarit propozoi juristin e diplomuar Riad Markishiq, zgjedhja e të cilit u miratua me 21 vota “për” dhe 5 “të përmbajtura”.
Shaban Hasangjekaj