Të zvogëlohet paragjykimi ndaj njëri-tjetrit

Tuz – Organizata Joqeveritare “Fëmijët e Malit të Zi”, në kuadër të veprimtarisë së saj vazhdon të realizojë projekte dhe aktivitete të ndryshme në Tuz me të rinjtë dhe fëmijët.
Para pak kohësh, kjo shoqatë realizoi trajnim dyditor për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Malësi, Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji” dhe Medresës “Mehmed Fatih” të titulluar “Të mësojmë dhe të jetojmë së bashku”.
Drejtoresha ekzekutive e shoqatës në fjalë, Sabra Deceviq për gazetën “Koha Javore”, tregon se si rezultat i këtij trajnimi gjatë muajit prill do të realizohen edhe aktivitete të ndryshme të organizuara nga nxënësit, siç janë puntori me temën e interkulturalizmit dhe zvogëlimit të paragjykimeve ndaj bashkëmoshatarëve, si dhe një eveniment që ka për qëllim promovimin e kulturës dhe identitetit të këtij vendi.
“Temat dhe aktivitetet që janë duke u realizuar nga fillimi i shkurtit të këtij viti, kanë të bëjnë me interkulturalizmin dhe temën e përkrahjes dhe respektimit të “dallimeve” që shpesh janë në tapetin e politikave që tentojnë të nxisin urrejtje dhe përçarje. Përveç shkollave të lartpermendura, trajnimi dyditor u realizua edhe në Shkollën Fillore “Mahmut Lekiq”, ku morën pjesë 25 fëmijë nga kjo shkollë dhe nga Shkolla Fillore “29 nëntori” nga Dinosha”, shprehet Deceviq.
Projekti në kuadër të cilit u realizuan aktivitetet “Të mësojmë të jetojmë së bashku”, realizohet nga Shoqata “Fëmijët e Malit të Zi” dhe është përkrahur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat