Ulqin – Forca e Re Demokratike dhe Partia Demokratike kanë arritur marrëveshje për pjesëmarrje në koalicion parazgjedhor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 11 qershor të këtij viti.
Marrëveshja është nënshkruar të premten mbrëma nga kryetarët e këtyre dy partive – Genci Nimanbegu dhe Fatmir Gjeka. Ajo parashikon që bartës i listës zgjedhore të jetë kandidati i Forcës së Re Demokratike, ndërsa çdo gjë tjetër do të ndahet sipas raportit 50 me 50.
Kryetari i PD-së, Fatmir Gjeka, ka thënë se arritja e marrëveshjes nuk ka qenë fort e vështirë.
“Me rëndësi është kur ekziston vullneti i mirë për të ardhur deri te marrëveshja, atëherë është shumë e lehtë. Pikërisht ai vullnet ka ekzistuar dhe e kemi finalizuar sonte”, është shprehur ai pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Për kryetarin e Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, kjo është një marrëveshje e shumëpritur.
“Është një marrëveshje e cila në asnjë moment nuk duhet të jetë e diktuar apo e imponuar nga dy kryetarët e subjekteve, por një marrëveshje ku më në fund do të nisemi së bashku t’i japim përgjigje nevojave të popullit tonë”, ka thënë ai.
Krerët e dy partive politike kanë thënë se bashkëpunimi i tyre ka filluar shumë më herët dhe se kjo është një aleancë për t’i bashkuar shqiptarët në Malin e Zi.
Sipas Nimanbegut, shqiptarët në Malin e Zi kanë nevojë për zhvillim.
“Që të ketë zhvillim, duhet pasur pajtim. Ky pajtim duhet të jetë së bashku me mirëbesim ndaj njëri-tjetrit dhe mund t’ju them se unë dhe Fatmiri kemi një pajtim dhe një mirëbesim që kjo rrugë që e kemi nisur sonte, nuk do të jetë një koalicion i thjeshtë, nuk do të jetë vetëm një koalicion parlamentar, por besoni duhet të jetë një aleancë për t’i bashkuar shqiptarët në Ulqin, në Tivar, në Mal të Zi”, ka thënë ai.
Gjeka dhe Nimanbegu kanë thënë se ky koalicion është i hapur edhe për subjektet tjera politike shqiptare dhe se ata do t’u dërgojnë ftesë Forumit Shqiptar dhe forcave të tjera politike që t’u bashkëngjiten.
Kryetari i PD-së ka thënë se Mali i Zi ka hyrë tashmë në një realitet të ri politik.
“Pas zgjedhjeve presidenciale më 2 prill, mendoj se është një realitet i ri politik dhe mendoj që shqiptarëve iu imponohet që të shkojnë së bashku. Sa na përket neve, do të bëjmë përpjekjet maksimale për të bërë një gjë të tillë. Nuk do të jetë në dorën tonë, por edhe të atyre të tjerëve që pretendoj se duhet të na bashkëngjiten”, ka thënë Gjeka.
Pavarësisht deklaratave se janë të hapur edhe për forcat tjera politike, ata e kanë pranuar se ekziston një lloj përçarjeje e votuesit shqiptar duke qenë se faktikisht kemi dy koalicione shqiptare.
“Ne gjithmonë do të jemi të hapur për bashkëpunim, por ajo që ju e quajtët përçarje është një fakticitet”, ka deklaruar Nimanbegu, ndërsa Gjeka ka thënë se “deklaratat e kohës së fundit nuk shkojnë në frymën që duhet”.
Pas dështimit të mandatarit Miodrag Lekiq për formimin e Qeverisë së re brenda afatit të caktuar prej 90 ditësh pasi që nuk arriti të siguronte mbështetjen e 41 nga 81 deputetët e Kuvendit të Malit të Zi, Presidenti Millo Gjukanoviq shpërndau Kuvendin më 16 mars 2023, kurse të nesërmen dekretoi datën 11 qershor 2023 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Mal të Zi.
i. k.