Parakusht përinvestime të mëdha në turizmin e Ulqinit

Ulqin – Me vendosjen e gurthemelit në molin në Kepin e Gjeranave, në fillim të Plazhit të Madh, të premten kanë filluar punimet për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në komunën e Ulqinit.
Ky projekt me vlerë 20 milionë euro financohet nga Qeveria e Malit të Zi dhe Komuna e Ulqinit, nëpërmjet kredisë së bankës gjermane KFW.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve kanë folur kryeministri Dr. Dritan Abazoviq, ministrja e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, Ana Novakoviq – Gjuroviq, shefi i Zyrës për Bashkëpunim të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Malin e Zi, Yngve Engstor, ambasadori i Gjermanisë në Malin e Zi, Peter Felten dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari,
Ata janë pajtuar se me realizimin e këtij projekti kapital Ulqini do të hyjë në një fazë të re të zhvillimit dhe se vetëm tani do të krijohen kushtet për investime të mëdha në turizmin e Ulqinit, para së gjithash në zonën e Plazhit të Madhe dhe Adë.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, ka thënë se kjo përbën një ditë historike, sepse të gjithë e dimë mirë se çfarë do të thotë rregullimi i furnizimit me ujë dhe i ujërave të zeza për një qytet që jeton nga turizmi dhe që aspiron të jetë një nga destinacionet kryesore turistike në rajon.
“Mbi 80 kilometra tubacione të reja dhe të rinovuara të ujësjellësit dhe kanalizimit do të ndryshojnë përgjithmonë imazhin e Ulqinit, i cili nuk do të njihet më për pikat e zeza ekologjike, por për zonat e mbrojtura dhe mjedisin e pastër”, ka theksuar ai.
Kjo fazë e projektit përfshin ndërhyrjen në rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimit në disa pjesë të qytetit, vendosjen në funksion të kolektorit të ujërave të zeza në molin në Plazhin e Madh, ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në disa lagje etj.
Punimet do të kryhen nga firma “Jedinstvo” nga Sevojno (Serbi), e cila është përzgjedhur në tender, kurse do të mbikëqyren nga firma “Vodacom”. Projekti është hartuar nga “Hidrofil”.
Drejtori i kompanisë “Jedinstvo”, Miqa Miqiq, ka premtuar se punimet do të kryhen në mënyrë cilësore dhe brenda afatit kohor.
Projekti është dashur të fillojë në vitin 2015, kur është nënshkruar kontrata për marrjen e kredisë nga banka gjermane KFW, me grejs periudhë pesëvjeçare, ndërsa dy vjet më vonë është nënshkruar edhe aneksi i kontratës. Që prej vitit të kaluar Komuna e Ulqinit ka filluar t’i shlyejë detyrimet kontraktuale të kësaj kredie, akoma pa filluar punimet.

i.k.

Të fundit

më të lexuarat