Procesi i integrimit në BE, shans i shkëlqyer për këmbimin e përvojave

Shkup – Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, është pritur të enjten nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, me të cilin konstatuan se marrëdhëniet e ndërsjella të mira mund të ngriten në nivel më të lartë dhe të zgjerohen me dinamizimin e kontakteve në planin dypalësh, rajonal dhe multilateral.
“Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian u vlerësua si shans i shkëlqyer për këmbimin e opinioneve dhe përvojave për përmirësimin e mundësive të dy vendeve në rrugën drejt BE-së. Kryetari Xhaferi e njoftoi mysafirin e lartë me procesin e përgatitjes së ndryshimeve kushtetuese ku duhet të përfshihen të gjitha forcat politike, që në vjeshtë të përmbushet kushti për vazhdimin e mëtejmë të bisedimeve”, ka njoftuar zyra për informim e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ministri Gjeka ka folur për gjendjen në Malin e Zi në kontekstin e të drejtave të njeriut, për raportet me fqinjët dhe vendet në rajon, si edhe për zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi.
Në këtë takim ishte e pranishme edhe Arbana Pasholli, kryetare e Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila i ka informuar mysafirët për kompetencat, strukturën dhe punën e këtij komiteti.
Gjatë vizitës së tij në Shkup, ministri Fatmir Gjeka është takuar edhe me ministren e Punës dhe Politikës Sociale të Maqedonisë së Veriut, Jovana Trençevski, me të cilën ka folur për sfidat e përbashkëta të dy vendeve, me theks në vendosjen e bashkëpunimit më të ngushtë në fushën e integrimeve evropiane.
Në përbërje të delegacionit të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave ishin edhe sekretari i shtetit pranë kësaj ministrie, Astrit Hoxha, dhe drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Avancimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Popujve Pakicë dhe Bashkësive të Tjera Nacionale të Pakicave, Arben Xhurreta.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat