Kandidati i Lëvizjes “Evropa tani”, Jakov Millatoviq, do të jetë presidenti i ri i Malit të Zi pasi që ka fituar bindshëm kundër presidentit aktual Millo Gjukanoviq, kandidat i Partisë Demokratike të Socialistëve, në raundin e dytë të zgjedhjeve që është mbajtur të dielën.
Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Millatoviq ka fituar 221 592 vota apo 58.9 për qind, kurse Gjukanoviq 154 769 apo 41.1 për qind. Pra, Millatoviq ka fituar 66 823 vota më shumë se Gjukanoviq. Nga 542 154 qytetarë me të drejtë vote, në raundin e dytë kanë votuar gjithsej 380 281 votues (prej të cilave 376 361 kanë qenë të vlefshme) apo 70.14 për qind. Millatoviq ka fituar më shumë vota në 17 komuna, kurse Gjukanoviq ka fituar në tetë komuna (Cetinë, Guci, Petnjicë, Plavë, Rozhajë, Tivar, Tuz dhe Ulqin), pra në përgjithësi në ato komuna ku jetojnë pjesëtarët e pakicave.
Pas shpalljes së rezultateve, Millatoviq ka deklaruar se e ka pritur fitoren, por se është jashtëzakonisht i kënaqur sepse ajo ka qenë bindëse.
“Qytetarët e kanë shënuar historinë, sepse Mali i Zi për të parën herë në pluralizëm ka fituar presidentin i cili nuk është nga Partia Demokratike e Socialistëve”, ka theksuar ai.
Presidenti i ardhshëm i Malit të Zi ka premtuar se gjatë mandatit të tij Mali i Zi do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Presidenti aktual i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, e ka pranuar humbjen dhe e ka uruar Millatoviqin për fitoren. Presidenti i ardhshëm Jakov Millatoviq ka marrë urime për fitoren nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryesuesja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, kryeipeshkvi i Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, Joanikije Miqoviq, si dhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian – Sharl Mishel, kryetar i Këshillit Evropian, Oliver Varhelyi, Komisioner i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Ambasada e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe në Malin e Zi etj.
Mandati i Presidentit të Malit të Zi zgjat pesë vjet. Millatoviq do ta marrë detyrën më 21 maj të këtij viti.
Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale në Malin e Zi që prej shpalljes së Pavarësisë në vitin 2006 dhe zgjedhjet e teta në periudhën e pluralizmit politik. Të gjithë presidentët deri tani kanë qenë nga Partia Demokratike e Socilistëve, e cila ka dominuar skenën politike në Malin e Zi për rreth 30 vite.
i. k.