Kryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq, i cili qëndroi për një vizitë disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vizitën e parë të punës e filloi me takimin e zhvilluar me të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Eskobar.
Nga Qeveria e Malit të Zi njoftohet se gjatë këtij takimi është konstatuar se Mali i Zi me rolin e tij proaktiv në mënyrë konstruktive po kontribuon në stabilitetin e çështjeve rajonale dhe në ruajtjen e perspektivës evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Në këtë aspekt, Abazoviq ka përshëndetur përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian në firmosjen e marrëveshjes së përhershme dhe të qëndrueshme në mes Serbisë dhe Kosovës të arritur pas takimit të mbajtur në Maqedoninë e Veriut”, theksohet në njoftimin e kabinetit të kryeministrit.
Më tej, kryeministri Abazoviq ka theksuar se Mali i Zi është i gatshëm që edhe vetë të kontribuojë në arritjen e zgjidhjeve, çfarë do të hapte rrugë të sigurt për ardhmërinë evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Abazoviq ndër të tjera i njoftoi përfaqësuesit e administratës amerikane në Departamentin e Shtetit me aksionet më të reja të institucioneve malazeze në luftën kundër kriminalitetit.
“Së bashku është konstatuar kënaqësia me faktin se para pak kohësh raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është zhvilluar në mënyrë qytetare në përputhje me standardet demokratike, në mungesë të tensioneve shoqërore të cilat i kanë karakterizuar ciklet e mëparshme të zgjedhjeve”, njoftohet nga kabineti i kreut të qeverisë.
Kryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq ka mbajtur ligjëratë edhe në Universitetin prestigjioz të Harvardit në Uashington.
t. u.