
Pranvera kishte ardhur e me të madhe pushtoi dhenë. Qershia ishte prush. Edhe dy javë dhe do ta piqte kokrrën. Dielli praronte kodrën e Pinjeshit. Gjithçka ishte veshur me petkun jeshil. Ditë pas dite behari po mahniste natyrën, e cila mbytte me ngjyrat e saj të ndezura.
Bukuria e stinës depërtoi thellë dhe e ngrohu edhe zemrën rinore të Xhimit. Kështu e thërrisnin shokët gjimnazistin, ndonëse emrin ai e kishte Zaim!
Po si e qysh i erdhi kjo ngrohtësi zemre gjimnazistit Xhim?
Populli ynë ka një shprehje të urtë, se s’ka një të keqe pa një të mirë. Humori rinor i Xhimit në gjimnaz fashitej sa shkelte në shtëpi, pasi që në hapat e para në oborr dëgjonte zërin e klithjet e babait që grindej me fqinjen, Nusen e Detarit. Banonin përballë njëri-tjetrit, i ndante një rrypinë dhe një gardh me kallama. Zënkat ishin të pakuptimta. Edhe kur këndonte gjeli i Nuses së Detarit, edhe kur pulat glaconin e kapërcenin gardhin. Dhe kështu ia niste sherri.
- Ç’t’i bëj gjelit!? – qahej Nusja e Detarit.
- Nuk di ta rrethosh burrin, që të ka vajtur në det, le më gjelin! – i thoshte babai i Xhimit Nuses vetullhënë të Detarit.
Xhimi i dëgjonte zënkat, por u shmangej atyre duke qortuar të atin. - Aman, o ba, gjithnjë ky avaz, jo gjeli, jo pula, jo Sula?! Apo harrove se ai gjithnjë kur kthehet nga deti ma sjell një dhuratë?
- S’kam punë as me gjelin, as me pulën e as me Sulën, por me Lulen, me nusen e tij, që ma shet veten për më të squeten (zgjuaren) e Ulqinit!…
- E, o ba, ajo në punë të vet e ne në tonën! S’na bën hije selvia e saj!
- Nuk të pëlqen? – ia priti i ati, po me atë tik nervor që e karakterizonte. – Apo s’e ka vetullën si ngjalë ajo?! Medemek, me bukurinë e saj na bëka karshillëk neve që s’e paskemi atë nivel sa të biem në sy të të tjerëve…?
Xhimi s’i përgjigjej. Dilte nga shtëpia me shokë. Herë kthehej herët e herë vonë. Po kur kthehej me ditë, sytë padashur i rrëshqitnin te Nusja e Detarit, që ndofta ashtu më kot qëndronte në verandën e shtëpisë së saj, me sytë e perënduar me vështrim nga rruga që e sillte atë në shtëpi.
Një pasdreke, pasi u nda me shokët e u kthye në shtëpi, i ati, si ta kishte pritur te pragu qëllimisht, pa ia kthyer përshëndetjen të birit, i tha: - Ulu e më dëgjo këtu me vëmendje. Ti po e sheh se ditë për ditë gërricem (zihem) me Nusen e Detarit. Do të ishte mirë t’i punonim diçka e të merrte një mësim të mirë! Jam i bindur se pas kësaj ka për t’u bërë pulë e lagur.
- Fol! – tha Xhimi qetë.
- Ti tashmë je rritur, u bëre burrë. Tregoje veten!
- Po çfarë?
- Duhet t’ia bësh një rreng asaj. Ajo s’po na lë të qetë. Gjeje ndonjë arsye. Unë po rri dorëjashtë, se ndryshe unë e ndryshe ti…
- Po çfarë ke ndër mend o ba?!
- Gjeje vetë se ju të rinjve u pjell mendja si femrave. Ja… foli për pulat që s’na lanë fije bari në oborrin tonë, afroju e jepja një flakaresh…
- Një shuplakë?! Është turp or baba. “Këtij i paskan vajtur trutë pas qafe”, – pëshpëriste me vete djali.
I ati fliste me ngulm e lutje. Për ta qetësuar, sepse si nervoz që ishte s’kishte zot t’ia ulte damarin në ballë, dikur Xhimi u dorëzua dhe i tha: - Më lë kohë të gjej një shkas!
Ky u gëzua si kalama se i biri s’qe qurravec e tuc dhe se do të gjente se me çfarë ta ndëshkonte Nusen e Detarit. Ngaqë i biri ia dha fjalën, edhe ai nuk u kursye, nxori portofolin dhe i futi në dorë një kartëmonedhë. - Hajde, festo nesër me shokët!
Kështu mes dy fqinjve, hëpërhë, u vendos një “armëpushim” i frikshëm. I zoti i shtëpisë priste momentin kur Xhimi të ndërmerrte aksionin dhe t’ia bënte rrengun Nuses së Detarit.
Xhimi dilte në ballkon, kurse Nusja e vështronte me sy lutës dhe të butë si të stinës. Ndërronte fustanet, kurse ai me një libër para vetes e vështronte Nusen dhe bukurinë e saj. Disa ditë rresht vështruan njëri-tjetrin. Një pasdreke, nga shtëpia e Nuses doli vjehrra e saj. Edhe e ëma e Xhimit vajti në Pazar. As babai nuk ishte në shtëpi.
Xhimi i bëri me shenjë fqinjes së bukur. Nusja i buzëqeshi, siç dinte ajo të buzëqeshte dhe ia bëri me dorë “Eja!” Xhimi kapërceu gardhin. Nusja hyri në dhomë e ai pas saj. Ajo uli grilat e dritares nga rruga. Xhimi qe ndezur si petalet e bajames. Qe bërë edhe memec. E në këtë çast, kur zemra i hovte si valë deti, dëgjoi zërin e saj: - Kyçe derën! Dritaren nga ana e kopshtit e ke të hapur. Në rast të ndonjë vizite të papritur, kërce…
Djali sikur u çlirua, mbylli me shpejtësi derën e me po atë shpejtësi desh të shkyçte një portë tjetër, ku hapej një stinë e pakaluar ndonjëherë në jetën e tij. Ajo e sundoi situatën dhe i vuri gishtin tregues te buzët e tij të përflakura. - Mbase ke detyrë nga babai të më rrahësh, apo në ndonjë mënyrë tjetër të më ndëshkosh?! – u gajas së qeshuri Nusja e Detarit.
- Për të të kalbur në dajak kam ardhur! – mundi të artikulojë Xhimi dhe të dyja duart i vajtën mbi gjinjtë e gufuar të Nuses.
- Askujt, asnjë fjalë, askujt! Kam nevojë të më… rrahësh me atë dajakun që the, – pëshpëriti Nusja me afsh pas ledhatimeve të pareshtura të gjimnazistit të harlisur.
Pas këtij harbimi dhe dehjeje, Xhimi doli nga dritarja që të nxirrte në kopsht dhe ngadalë e që të mos e shihte kush, kapërceu gardhin.
Por ditët kalonin e me ditët rritej edhe shqetësimi i të atit. Priste t’i fliste për rrengun që kishte menduar, aq sa për ta nxitur që të shpejtonte, nuk ia kurseu dhe një kartëmonedhë tjetër, me të cilën Xhimi i bleu Nuses së Detarit një parfum, ndër më të mirët në treg.
Por, babait një ditë i kërceu damari. Iu turr të birit, më shumë për ta nxitur sesa për ta qortuar. - Punët e mira bëhen ngadalë, o ba! – i tha Xhimi. – Ta kam dhënë fjalën që do i bëj diçka sa ta mbajë mend tërë jetën!
Kur u poqën qershitë, i ati papritmas iu qep shtratit. Për ta vizituar, ndër të parat ia arriti Nusja e Detarit. Ajo solli edhe dhurata. Plaku u gëzua si kalama. Pasi u largua Nusja, Xhimi e shikoi në sy babain. Ky vuri buzën në gaz. - Bëre mirë që s’i bëre ndonjë gjë të papëlqyer Nuses. Gabon plaku, or bir! Gabon.
Nëna e Xhimit, që ishte mësuar me budallallëqet e të shoqit, s’u durua e i tha: - Je plak matuf!
U shërua plaku. Kaloi edhe gushti. Xhimi herë pas here kapërcente gardhin. Gjelat e pulat qenë bërë “të urtë” e nuk hynin të kullosnin në pronat e komshinjve!… Se kishte kush kulloste në “pronën” e komshinjve.
Ia behu vjeshta me shirat e stinës. Xhimi shkoi në fakultet. Nuses iu kthye burri nga deti. Po si erdhi, edhe shkoi. Ndërsa Xhimi, kur kthehej me pushime në shtëpi, gjithnjë do ta gjente të hapur dritaren e shtëpisë së Nuses së Detarit, në çdo stinë të vitit…
