Në zgjedhjet presidenciale që janë mbajtur të dielën në Malin e Zi, asnjëri prej shtatë kandidatëve nuk ka arritur të fitojë shumicën e nevojshme të votave në raundin e parë të zgjedhjeve për t’u zgjedhur president. Kështu në raundin e dytë, që do të mbahet më 2 prill 2023, janë kualifikuar presidenti aktual dhe kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, dhe kandidati i Lëvizjes Evropa Tani, Jakov Millatoviq, të cilët kanë fituar numrin më të madh të votave në raundin e parë.
Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Millo Gjukanoviq ka fituar 119 673 vota apo 35.37 për qind, Jakov Millatoviq 97 858 vota apo 28.92 për qind. Në vendin e tretë renditet kandidati i Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, i cili ka fituar 65 385 vota, kurse kandidati dhe kryetari i Demokratëve, Aleksa Beçiq 37 562 vota. Për kandidaten e Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviq – Stankoviq, kanë votuar 10 669 votues, për kryetarin e Malit të Zi të Bashkuar, Goran Danilloviq 4 659 votues, ndërsa për kandidatin e pavarur Jovan Radulloviq 2 574 votues.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë pasur 542 154 qytetarë, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 63.6 për qind. Pjesëmarrje e ulët e votuesve në zgjedhje është shënuar sidomos në komunat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, posaçërisht në Guci dhe Ulqin. Shkak për këtë, para së gjithash, është fakti se në mesin e kandidatëve për president nuk ka pasur asnjë kandidat shqiptar dhe që shumica e partive shqiptare zyrtarisht nuk janë përcaktuar nëse do të mbështesin ndonjërin prej kandidatëve.
Pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve, tre kandidatët për president – Andrija Mandiq, Aleksa Beçiq dhe Goran Danilloviq kanë deklaruar se në raundin e dytë do të mbështesin ish-ministrin e Ekonomisë Jakov Millatoviq. Në këtë mënyrë, megjithëse në raundin e parë të zgjedhjeve ka fituar 21 815 vota më pak se Gjukanoviq, shanset më të mëdha për të fituar dhe për t’u bërë president i Malit të Zi i ka Jakov Millatoviq.
Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale në Malin e Zi që prej shpalljes së Pavarësisë në vitin 2006 dhe zgjedhjet e teta në periudhën e pluralizmit politik.
i. k.