Shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për më 11 qershor

Podgoricë – Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, të enjten (17 mars 2023), një ditë pas dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për më 11 qershor të këtij viti.
Në konferencën për media, presidenti Gjukanoviq tha se “duke zbatuar nenin 92, paragrafin 5, mora vendimin për shpalljen e zgjedhjeve për më 11 qershor”.
Presidenti Gjukanoviq ka theksuar se ai i është përmbajtur me vendosmëri Kushtetutës, duke thënë se thirrjes për konsultime nuk i janë përgjigjur liderët, që sipas tij, pretendonin se kishin shumicën e nevojshme.
“Prandaj edhe sot, sikurse edhe atëherë, jam i bindur se zgjidhja më e mirë është shkurtimi i mandatit dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare”, tha Gjukanoviq.
Ai u shpreh se si president ka kërkuar mendim edhe nga Komisioni i Venecias.
Ndër shumë pyetje që gazetarët ia parashtruan në konferencën për media, presidenti Gjukanoviq iu përgjigj pyetjes se çfarë nëse Ligji për Presidentin shpallet jokushtetues, duke thënë se këtë vendim nuk e ndërmori në mënyrë të pamatur, por pas konsultimeve të hollësishme me një ekip avokatësh.
“Ai ligj është pjesë e sistemit juridik të Malit të Zi dhe do të jetë derisa Gjykata Kushtetuese ta përjashtojë atë. Ata që e miratuan krijuan zgjidhje antikushtetuese, duke dashur të anashkalojnë institucionin e Presidentit”, u shpreh Gjukanoviq.
Presidenti Millo Gjukanoviq firmosi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Malit të Zi të mërkurën (16 mars 2023) duke u thirrur në nenin 92, pika 3 e Kushtetutës së Malit të Zi.
Kujtojmë që mandatorit Miodrag Lekiq i skadoi afati për formimin e Qeverisë të mërkurën (16 mars 2023). Lekiq më herët kishte njoftuar liderët e shumicës parlamentare se nuk e ka shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë së re, sepse siç ka theksuar, i mungonin tri vota të Lëvizjes Qytetare URA.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat