Lumi Lim të mbrohet me çdo kusht, të vazhdohet ndërtimi i deponisë në Veri

Plavë – Në Plavë është shënuar 14 Marsi – Dita ndërkombëtare e lumenjve, përmes Konferencës ndërkombëtare mbi Lumin Lim në temën: “Si të mbrohet Lumi Lim prej Liqenit të Plavës deri te Lumi Drin”. Në manifestim ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, e njëherazi edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhmit të Ujërave, Vlladimir Jokoviq, kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave në Mal të Zi, Serbi dhe të entitetit të Republikës Serbe, nëpër të cilat kalon (rrjedhë) Lumi Lim, organizatave ndërkombëtare, të shoqërive sportive e peshkuese, të shoqatave nga tri shtetet, përfaqësuesit e Drejtorisë së ujërave, të Agjencisë për mbrojtjen e mjedisit jetësor, të administrimit për peshkim etj., ka treguar se të gjithë janë të interesuar që së bashku këtë lum ta kthejnë atje ku e ka vendin, në mesin e lumenjve më të pastër në Evropë.
“Në konferencën në fjalë është arritur marrëveshja që në periudhën e ardhshme nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave në mandatin teknik, Vlladimir Jokoviq të organizojë në Mal të Zi takimin ndërqeveritar në cilin do të ftohen përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe entitetit të Republikës Serbe, në të cilin do të vazhdohet dialogu mbi Lumin Lim, i cili ka filluar në takimin e mbajtur në vitin 2021. Po ashtu është arritur marrëveshja që Komuna e Pribojit të organizojë takim ndërkomunal të kryetarëve të komunave nga Mali i Zi, Serbia dhe entiteti i Republikës Serbe, nëpër të cilat kalon Lumi Lim, në të cilin do të dakordohen aktivitetet e përbashkëta në qëllim të mbrojtjes së lumit në fjalë. Janë nxjerrë edhe konkluzionet përmes të së cilave janë propozuar masat si të mbrohet Lumi Lim prej Liqenit të Plavës deri në Lumin Drin”, ka thënë në deklaratën për media drejtori ekzekutiv i OJQ “Euromost” Allmer Mekiq nga Bijello Pola, duke shtuar në vazhdim se konkluzioni unanim është që Lumi Lim duhet mbrojtur me çdo kusht.
Përfundimet nga të pranishmit e Konferencës ndërkombëtare mbi Lumin Lim janë që ministri Vlladimir Jokoviq në Qeverinë e Malit të Zi në mandatin teknik, të organizojë takim në temën e problemit të hedhurinave në Lumin Lim, në të cilin do të thirret në ministren e Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor në Qeverinë e Serbisë, ministrin e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnje dhe Hercegovinës, ministrin e Rregullimit Hapësinor, Ndërtimtarisë dhe Ekologjisë të entitetit të Republikës Serbe si dhe ministren e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit në Qeverinë e Malit të Zi në mandatin teknik.
“Të kërkohet nga Qeveria e Malit të Zi që urgjentisht të orientojë mjetet dhe të vazhdojë me projekt të ndërtimit të deponisë rajonale në Veri të Malit të Zi, që kryetarët e komunave nëpër të cilat kalon Lumi Lim të formojnë në komunat e veta grupet punuese për mbrojtjen e këtij lumi, në të cilat do të kyçeshin përfaqësuesit e inspektorëve mbikëqyrës komunal, si dhe përfaqësuesit e sektorit civil. Grupi punues do të hartonte planin si të mbrohet Lumi Lim dhe do të përcillte të gjitha aktivitetet në terren. Sa i përket punës së organeve inspektive, njëherazi do të informonte publikun mbi të gjitha aktivitetet e ndërmarra në qëllim të mbrojtjes së Lumit Lim”, ka theksuar zotëri Mekiq.
Po ashtu, përfundimi nga konferenca në fjalë është që organet inspektive dhe policia komunale të aplikojnë masa më të ashpra të politikës ndëshkuese ndaj të gjithë atyre shkaktarëve të stivimit jolegal të hedhurinave në brigjet e Limit. Të merret shembulli i Drejtorisë së pyjeve dhe të gjitha informatat që kanë të bëjnë me zbatimin e masave ndëshkuese publikisht të shpallen në sajtin e asaj komune në rubrikën e organeve inspektive dhe policisë komunale, me inicialet e shkelësve të ligjit dhe vendin në të cilin ilegalisht janë stivuar mbeturinat.
“T’i sigurohen policisë komunale dronet, me të cilët do të përcjellin nga ajri gjendjen në terren dhe të evidentojnë delikuentët, të cilët do të inspektojnë vetë brigjet e Lumit Lim dhe të ndërmarrin masa ndaj të gjithë delikuentëve, që komunat përmes ndërmarrjeve të veta komunale në të gjitha vendet të cilat gjenden pranë Lumit Lim të sigurojnë numër të mjaftueshëm enësh për stivimin e mbeturinave, dhe të ndalojnë hudhjen e çfarëdo materiali ndërtimor në brigjet e Lumit Lim, është konkluduar unanimisht në fund të punës së konferencës.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat