Plavë/Guci – Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura të dielën, më 19 mars 2023, në të cilat për president të Malit të Zi garuan 7 kandidatë, në Komunën e Plavës u mbajtën në 22 vendvotime: 4 në Plavë, 1 në Murinë dhe 17 në vendbanimet në periferi të tyre.
Në këto zgjedhje të cilat kryesisht u zhvilluan në atmosferë të qetë, të drejtën e votës e shfrytëzuan 4.396 qytetarë të moshës madhore ose 46.91% prej gjithsej 9.373 personave me të drejtë vote sa ishin në listat zgjedhore.
Pas numërimit të votave, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve konfirmoi se prej gjithsej 4.396 të qytetarëve, 4.384 ishin vota të vlefshme, kurse 12 të pavlefshme, në të cilat u shënuan këto rezultate: numrin më të madh të votave – 2.652 i ka fituar kandidati për president Millo Gjukanoviq (PDS), ndërsa kandidatët e tjerë kanë fituar numrin vijues të votave: Jakov Millatoviq i Lëvizjes “Evropa Tani” – 512 vota, Andrija Mandiq i Frontit Demokratik – 653 vota, Jovan Radulloviq, kandidat i pavarur 33 vota, Goran Danilloviq i subjektit politik “Mali i Zi i bashkuar” 16 vota, Alleksa Beçiq i partisë “Demokratët e Malit të Zi – 146 vota dhe Draginja Vuksanoviq-Stankoviq e PSD-së – 372 vota.
Në Komunën e Gucisë, zgjedhjet presidenciale u mbajtën në 10 vendvotime – tri në Guci dhe shtatë në vendbanimet në periferi, të cilat po ashtu u zhvilluan në atmosferë të qetë dhe pa ndonjë problem evident. Në këto zgjedhje të drejtën e votës e shfrytëzuan 1.370 qytetarë të moshës madhore ose 30.11% prej gjithsej 4.549 personave me të drejtë vote sa ishin në listat zgjedhore.
Edhe në këtë komunë, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve pas numërimit të votave konstatoi se prej 1.370 votave të qytetarëve që dolën në votime, 1.357 ishin vota të vlefshme, kurse 13 të pavlefshme.
Edhe në Komunën e Gucisë shumicën e votave të votuesve që dolën në zgjedhje e fitoi kandidati i PDS-së për president të Malit të Zi , Millo Gjukanoviq – 1.024 vota, pasojnë: Jakov Millatoviq i Lëvizjes “Evropa Tani”- 97 vota, Andrija Mandiq i Frontit Demokratik – 30 vota, Jovan Radulloviq, kandidat i pavarur – 8 vota, Goran Danilloviq i subjektit politik “Mali i Zi i bashkuar” – 2 vota, Alleksa Beçiq i partisë “Demokratët e Malit të Zi” – 17 vota dhe Draginja Vuksanoviq-Stankoviq e PSD-së – 179 vota.
Shaban Hasangjekaj