Ditë reflektimi dhe krenarie

Podgoricë – Ambasada e Republikës së Kosovës në Podgoricë ka shënuar të martën e kaluar (28 shkurt 2023) me një ceremoni solemne të mbajtur në Hotelin “Hilton” 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në fjalën e saj, ambasadorja e Republikës së Kosovës, Ariana Zherka – Hoxha ka thënë se 17 shkurti paraqet një ditë historike për popullin e Kosovës dhe shënon fillimin e një ere të re në historinë e këtij vendi.
“Për ne 17 shkurti është ditë reflektimi dhe krenarie. Në këtë ditë ne kujtojmë gjeneratat që kanë sakrifikuar për idealin e lirisë, viktimat e luftës, themeluesit e shtetit dhe luftëtarët e lirisë”, ka theksuar ajo.
Ambasadorja e Kosovës ka thënë se përgjatë këtyre viteve Kosova ka bërë përpjekje për ndërtimin e shoqërisë demokratike.
“Ne kemi ndërtuar institucione demokratike bazuar në parimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe të drejtës sociale. Ne kemi ndërtuar një pushtet funksional, kemi ndërtuar ekonomi të qëndrueshme, kemi zhvilluar media të lira dhe shoqëri civile të pavarur. Mbi të gjitha, ne kemi promovuar diversitetin kulturor dhe tolerancën duke njohur rëndësinë e shoqërisë shumëetnike dhe multireligjioze”, është shprehur ajo.
Zherka – Hoxha ka thënë se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen e aleatëve të saj, që ka qenë esenciale për Kosovën dhe popullin e saj.
Ajo ka vlerësuar marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si dhe ka shprehur mirënjohje të posaçme për Malin e Zi, i cili ka pritur mbi 100 mijë qytetarë të ikur nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999 si dhe ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Ambasadorja Zherka – Hoxha ka thënë se Kosova dhe Mali i Zi punojnë ngushtësisht për promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë.
“Mbi të gjitha, ne kemi punuar bashkërisht në forumet ndërkombëtare duke shfrytëzuar zërin e përbashkët për të mbrojtur vlerat dhe parimet euroatlantike që ne i ndajmë”, ka thënë ajo.
Në ceremoni kanë qenë të pranishëm kryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të korit diplomatik në Mal të Zi, përfaqësues të partive politike, të shoqërisë civile, të mediave dhe të komuniteteve fetare.
Pjesë e ceremonisë kanë qenë edhe pjesëtarët e togës ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe kuarteti harkor i Filharmonisë së Kosovës, të cilët e kanë madhështuar festën e pavarësisë.
15-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është festuar me aktivitete të ndryshme në të gjitha trevat shqiptare dhe vendet ku jetojnë shqiptarët në diasporë. Kuvendi i Kosovës e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat