Tuz – Në Komunën e Tuzit këtë të diel (5 mars 2023) u mbajtën zgjedhjet lokale, ku 8.245 votues, ose 66.63 përqind e shfrytëzuan të drejtën e tyre të daljes në votime, nga gjithsej 12 mijë 387 votues me të drejtë vote në 30 vendvotime.
Rezultatet paraprake të Komisionit Komunal Zgjedhor tregojnë se shumicën absolute me më së shumti këshilltarë e fituan partitë që e përbëjnë “Forumin Shqiptar” (Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni Nacional Shqiptar dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi) – 18 këshilltarë (4.282 vota, 51.83 përqind), pasuar nga koalicioni “Rrugës së Drejtë” (Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Boshnjake, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Socialdemokratët) – 12 këshilltarë (2.755 vota, 33.35 përqind), Demokratët – 1 këshilltar (417 vota, 5.05 përqind), dhe Partia Socialdemokrate – Lëvizja për Tuz -1 këshilltar (333 vota, 1.53 përqind), ndërsa partitë e tjera që kanë garuar në këto zgjedhje nuk arritën të kalojnë pragun zgjedhor dhe të hyjnë në kuvendin komunal.
Lajmin mbi rezultatet paraprake të zgjedhjeve e konfirmoi për gazetën “Koha Javore” kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor, z. Edmond Ujkaj.
Ai tregoi se procesi zgjedhor në Komunën e Tuzit u zhvillua në një nivel të lartë demokratik, pa asnjë incident serioz.
Ndërkaq, kryetari aktual i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj ka deklaruar se “Forumi Shqiptar” me 18 këshilltarë, së bashku me Demokratët në krye me Shtjefën Camaj, dhe me Adnan Pepiq nga Partia Boshnjake, me gjithsej 20 këshilltarë do ta udhëheqin Malësinë në katër vitet e ardhshme.
Kuvendi Komunal i Tuzit përbëhet nga 32 këshilltarë.
Dita e zgjedhjeve në Komunën e Tuzit u përbyll me një festë të madhe, ku qindra mbështetës dhe ithtarë të partive fituese të këtyre zgjedhjeve, vendas dhe nga diaspora festuan me flamuj në duar, me këngë e valle deri në orët e hershme të mëngjesit në restorantin “Troja” në Tuz.
Zgjedhjet lokale në Komunën e Tuzit zgjuan interesim tek një numër i madh i mediave si vendase ashtu edhe të atyre nga rajoni dhe diaspora.
Në zgjedhjet lokale në Komunën e Tuzit në garë zgjedhore ishtin katër koalicione dhe tre parti politike të pavarura: Aleksa Beçiq – Shtjefën Camaj – Demokratët – “Së bashku jemi më fortë”; Koalicioni “Rrugës së drejtë” (Partia Demokratike e Socialistëve – Partia Boshnjake – Socialdemokratët – Unioni Demokratik i Shqiptarëve); Partia Socialiste Popullore – “Ndershëm për Tuzin”- Zhelko Miliq; Koalicioni Shqiptar “Bashkë” (Partia Demokratike – Forca); Forumi Shqiptar “Bashkim e zhvillim” (Alternativa Shqiptare – Lidhja Demokratike Shqiptare – Unioni Nacional Shqiptar dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi”; Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit – “Për gjeneratat e ardhshme”; Partia Social Demokrate – Lëvizja Për Tuz – “Me gjithë zemër për Tuzin”.
Këto janë zgjedhjet e dyta lokale në Komunën e Tuzit si komunaë e plotë qëkur ajo u mëvetësua nga Podgorica në vitin 2018.
Kujtojmë që në zgjedhjet lokale të 2019-ës në Komunën e Tuzit, Forumi Shqiptar – “Malësia na bashkon” (ASH – LDSH – UDSH) fitoi 16 mandate (3.682 vota, 47.2 përqind), pasuar nga Partia Demokratike e Socialistëve me 10 mandate (2.461 vota, 31.80 përqind), Partia Boshnjake me 4 mandate, (953 vota, 12.20 përqind), Socialdemokratët me 1 mandat, (357 vota, 4.58 përqind), dhe Demokratët po ashtu 1 mandat.
t. u.