Mësojmë shqip

Organizatori i kursit, mësimdhënësi Haxhi Lajçi, tregon se kjo ka qenë një ide e kahmotshme e tij, por për realizimin e saj ka pasur nevojë për mbështetje të cilën e ka gjetur te Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona” me seli në Nju Jork. Ai fton të gjithë ata që e ndiejnë veten pasardhës të kombit shqiptar që ta largojnë frikën dhe t’i bashkohen nismës kombëtare “Mësojmë shqip” për ta zbutur sadopak asimilimin e këtyre trojeve etnike, gjeografikisht afër dy shteteve shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës

Para disa ditësh në qytetin e Rozhajës ka filluar kursi për mësimin e gjuhës shqipe, me moton “Mësojmë shqip”.
Organizatori i kursit, mësimdhënësi Haxhi Lajçi, tregon se kjo ka qenë një ide e kahmotshme e tij, por për realizimin e saj ka pasur nevojë për mbështetje të cilën e ka gjetur te Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona” me seli në Nju Jork. Ky fond ka siguruar mjete financiare, mjete edukativo-arsimore dhe mjete të tjera të nevojshme për mbarëvajtjen e mësimit.
Lajçi tregon se ndjekësit e kursit do të shpërblehen me nxitje për çdo ligjëratë mësimore si dhe pas çdo faze të kursit nëse e kalojnë me sukses testin përfundimtar. Kjo me qëllim për t’i ndihmuar ata në sigurimin e mjeteve të tjera të nevojshme për avancimin e mëtejshëm të mësimit.
Ai thotë se gjuha amtare është shtylla më e fuqishme e identitetit kombëtar dhe kulturor, është ashti i ekzistencës, i marrëdhënies mes prindit dhe fëmijës. Prandaj, sipas tij, me përkrahjen e njerëzve të mirë mërgimtarë të kombit tonë në SHBA do të mundohen që t’ua mësojnë brezave të ndryshëm gjuhën shqipe sa nuk është bërë vonë, që të mos na mallkojnë brezat që janë larguar, po largohen dhe do të largohen nga gjurmët e gjyshërve.
Lajçi fton të gjithë ata që e ndiejnë veten pasardhës të kombit shqiptar që ta largojnë frikën dhe t’i bashkohen nismës kombëtare “Mësojmë shqip” për ta zbutur sadopak asimilimin e këtyre trojeve etnike, gjeografikisht afër dy shteteve shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat