Podgoricë – Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi dhe ministri për Investime Kapitale, Mr. Ervin Ibrahimoviq, ka pritur të enjten (23 shkurt 2023) në takim pune një delegacion të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, pjesë e të cilit ka qenë edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Në deklaratën për media thuhet se palët kanë diskutuar për projektet e përbashkëta, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, tejkalimin e barrierave ekzistuese dhe lehtësimin e procedurave administrative.
“Përfaqësuesit e dy delegacioneve kanë shfrytëzuar rastin që gjatë takimit të inicojnë temën e vendosjes së linjës ajrore direkte ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës si dhe të definojnë hapat e mëtejshëm në lidhje me realizimin e projekteve nga fusha e infrastrukturës rrugore për të cilat dy shtetet kanë treguar gatishmëri për t’i realizuar në periudhën e ardhshme”, thuhet në deklaratën e zyrës së nënkryetarit të Qeverisë së Malit të Zi.
Në këtë kuadër është diskutuar për dy projektet infrastrukturore që lidhin Malin e Zi dhe Kosovën – rrugët Rozhajë – Pejë dhe Plavë – Deçan.
“Në takim u bisedua dhe në lidhje me projektet infrastrukturore, ku ministri Aliu shprehu se do të punojmë me intensitet për të avancuar dhe çuar para ndërtimin e rrugëve Pejë-Rozhajë dhe ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, projekte këto të shumëpritura për qytetarët e të dyja vendeve, me rëndësi madhore për infrastrukturën dhe ekonominë, projekte kombëtare që lehtësojnë ndërlidhjen e qytetarëve të Kosovës me Malin e Zi”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.
Përpos këtyre dy projekteve, në takim është diskutuar edhe për mundësitë që Republika e Kosovës të përdorë më shumë Portin e Tivarit për transportin e mallrave, për çfarë nevojitet infrastruktura më e mirë rrugore midis dy vendeve. Në këtë kontekst është folur edhe për mundësinë e lidhjes hekurudhore të dy shteteve përmes Shqipërisë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur rreth procesit të integrimit evropian pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në muajin dhjetor, duke vlerësuar mbështetjen e Malit të Zi për rrugëtimin evropian të Kosovës.
Në takimin e dy delegacioneve kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Agjencive të Shërbimit të Navigacionit Ajror të Malit të Zi dhe Kosovës, Renato Brkanoviq dhe Samir Bllacaku, si dhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka – Hoxha.
(Kohapress)