Dimitrov Popoviq
Kam lexuar jo pak poezi, në të cilat nostalgjia shfaqet me tërë fuqinë e vet; shfaqet si bazë që vijnë përmes kujtimeve. Nuk bëjnë pa njëra-tjetrën. Konkrete dhe e fshehur. Konkrete se lidhet me diçka që ka ndikuar fuqishëm mbi ndjenjat tona, është regjistruar dhe ka zënë vend diku brenda trurit tonë dhe na përsëritet. Duket sikur shtrin dorën e saj të padukshme dhe na sjell para syve, në mënyrë të mjegullt ose pak të venitur diçka që e kemi kaluar gjatë jetës, jemi ndalur para saj, e kemi afruar në shpirt dhe ajo na ka kafshuar diku brenda nesh e ka lënë gjurmë të pashlyera. Kjo ndjenjë shfaqet dhe përcjell të gjithë njerëzit, ku më shumë e ku më pak, por diku fle e mbytet aty me vetveten, dhe diku shpërthen e shfaqet në shkrimet e bisedat e ndryshme. Sigurisht duke u ndjekur me një mimikë shumë më të shumëfishuar se kur u prodhuan. Këto lidhen me fusha e objekte të ndryshme. Për dikë kjo lidhet me moshën e kaluar e cila assesi nuk blihet më, por është kënaqësi që na krijohet kur përmes ëndrrës në gjumë ose kur vetë me dashje e çon trurin atje, atje larg në parakohën e pleqërisë sate. E çon grushtin ose pëllëmbën e dorës, u bie syve thua se aty pas perdes së tymit magjik shfaqet e pastër ajo që mezi pret ta shohësh, ta lëmosh, ta afrosh e të jetosh pak me të, me pamjen, qeshjen, gëzimin apo mbi të gjitha aromën e saj.
Kështu m’u duk edhe mua duke lexuar vargjet e poezisë Ditë me shi.
Sot është ditë me shi, gjethet lotojnë
sytë e mi me zogjtë ulur në hardhi
më ngjallin kujtime e nostalgji.
Ja, pra, sa bukur shkruhet… Shiu e justifikon zgjedhjen e autorit si figurë artistike të mbushur në shumë drejtime në cakun e kohës që lidhet me fëmijërinë kur ishte i vogël si zogu. Natyra qan se bie shi. Qajnë gjethet ose më bukur lotojnë se ai shi bie mbi to e rrëshqet. Gjethet edhe ashtu i ngjajnë formës së syrit. Dhe ai bashkë me zogjtë i ulur në hardhinë para shtëpisë… Kaq shumë poetë e përdorin shiun si nostalgji duke marrë artistikisht shenjat dalluese të tij, pesimiste dhe optimiste dhe me to bëjnë poezi shumë të bukura. Ja çfarë ka marrë poeti ynë për shiun tek Natë me shi:
Drita është zbehur, moti gjëmon
në xham të dritares një pikë uji lundron… ose
S’kemi forcë kohën ta kthejmë
E nata me shi çan rrugën vetë.
Kam lexuar shumë nga veprat e Kadaresë dhe ai e përdor shpesh shiun në situatat e ndryshme në prozë ose poezi. Kujtojmë Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, Kështjellën, por nuk po shkojmë atje e ndalemi vetëm tek…
Ca pika shiu ranë mbi qelq/
Për ty unë befas ndjeva mall…
Këto pika shiu në monotoninë e viteve të vona i zgjuan shkrimtarit tonë të madh shumë nostalgji e çudira sa edhe vetë ne që i lexojmë, i ndiejmë e përjetojmë me ëndje… jo vetëm kujtimin për shoqen e dikurshme, për mallin që e ka pushtuar, por edhe për thënien e Heraklitit “të zgjuarit janë bashkë në botë, kurse të fjeturit janë veç…, për qiejt e ngrysur pa lejlekë dhe shirat pa ylber në mes” etj, etj.
Në këtë vëllim ka shumë poezi për shiun ose shiu është i pranishëm shumë herë, por bukuria që i ka dhënë Aliu përdorimit të tij na bën ta lexojmë prapë, ta nënvizojmë dhe ta duam. Dhe vazhdon te Dhoma ime: Ne ishim tre / unë, ti dhe nata me shi. Fort bukur shprehet edhe te poezia Retë ku besimi në një të ardhme më të mirë të bën optimist edhe pse aty prapë përdoret fjala shi:
Retë do të lëshojnë shi si dikur
Dielli nga qielli tokën do të ngrohë
Vendlindja ime me dritë do të jetë.
Edhe te poezia Plagët e mia:
Kur zbardhi dita, filloi shiu
Pikat më pastruan plagët
Kur u hap moti…
Edhe në poezi të tjera përmendet shiu. Kam mendimin se Aliu e përdor bukur e kuptimi që rrethon simbolin e krijuar na jep të drejtë që ta përjetojmë shijen e vargut të thurur me dashuri. Por ai, si një njeri ku vitet kanë endur unazat e veta si te lisi, ai pra, poeti, bëhet bisku i krijimeve për të ardhmen. Këtu nuk e pengon nostalgjia e herëpashershme për të kaluarën, sepse kujtimet i ka të përjetuara me dashuri, qofshin ato të bukura e të mezipritshme, ashtu edhe për ato që janë jo të mira, të dhimbshme e të padashura. Kjo edhe sjell një larmi figurash letrare. Përmes përsëritjes së vargut të duket se të thërret si te poezia Rrugë të braktisura:
Një mijë e një shkallë brenda shpirtit tim
Një mijë e një shkallë në trupin e brishtë
Nga maja e shkallës një mijë e një fjalë
Shikoj liqenin, ndiej në sy shumë mall.
Kurse te poezia tjetër Mbaj mend shkruan përmes një antiteze të fuqishme, por thjesht:
Më dha një të shtyme që të rrëzohem
Tjetri një dorë që të ngrihem
I mbaj mend të dyja si sot
Koha nuk i hoqi nga zinxhiri i moteve
Janë dëshmi kujtese që s’harrohen.
Ose me të vërtetë mund ta quajmë një krijim mjeshtëror poezinë Mall, ku mjetet artistike shprehen aq bukur dhe krijojnë këtë krahasim të fuqishëm si:
Ma vrave shpirtin ngadalë si kanceri trupin
ose në vazhdim antitezat e fuqishme parajsë – ferr, lule – dimër, më mbyte – pa lindur, shuarja dhe frymëzimi.
Të prita në parajsën time, më dhurove ferrin
Ëndërrova stinën e luleve, më dhurove dimër
Më mbyte në gjumë, pa lindur mirë shpresa
Malli nuk m’u shua, ai më frymëzoi më shumë.
E kështu me radhë… Janë shumë dhe unë nuk kam marrë përsipër t’i përmend të gjitha, janë shumë poezi, shumë vëllime, shumë jetë, shumë nostalgji.
Lexova diku në internet se “…jo vetëm këngët, filmat dhe vendet e caktuara nxisin nostalgjinë, një indikator mjaft i madh është edhe aroma. Në fakt aroma ndikon më shumë në zhvillimin e nostalgjisë se sa faktorët e tjerë. Lidhja mes aromës dhe emocioneve nisi në fillim të viteve 1900 me neurologun e njohur Sigmund Frojd. Hunda është e lidhur me pjesën trunore të nuhatjes, një pjesë e trurit që luan rol në krijimin e emocioneve. Si rezulta (tek disa –DP) aromat krijojnë një impakt më të fuqishëm në emocione se sa faktorët e tjerë. Për këtë arsye edhe në furra të bukës dhe në pastiçeri pronarët sigurohen që aroma të depërtojë jashtë”. Kështu ka bërë edhe Ali Gjeçbritaj, aroma e poezisë së tij është vendase. Dhe kjo është bukuria e saj. I vjen era Krajë.
E kam njohur Aliun në një ditë kur Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve mori në analizë arsimin në shkollat shqipe. Diskutimi i tij dhe disa kritika punës me librat që bëhej tek ne, pak i vrazhdë dhe me mustakë (unë kurrë nuk kam pasur një mësues me mustakë) bënë që unë të krijoja një ndjenjë jo të mirë ndaj tij. Ndërsa ai diskutonte e kritikonte, nga krahu i djathtë Bahri Brisku veç përforconte: “mirë e ke!”, “mirë e ke!”. Thashë – sa vështirë do ta kem të punoj me të. Unë veç isha i papunësuar e përkohësisht me kontratë punoja tek Enti si redaktor i jashtëm… U desh jo pak kohë që dhe unë të njihem me mësuesin dhe poetin Ali Gjeçbritaj. Vizita ime mes nxënësve në klasën e tij në Arbnesh, takimet e shumta në shkollën e Ostrosit, ku drejtori i nderuar Beqir Berjashi më afroi shumë dashamirësi, promovimet e shumta në Ulqin, Shkodër e Tiranë, botimi tek ne i dy librave mësimorë për klasën e parë, si dhe libri me poezi Motet, e promovimi i tij në Panairin e Tiranës, puna me grupin për miratimin e Abetares mbarëkombëtare, afërsia e herëpashershme në takimet në ditët e librit në qendra të ndryshme ku jetojnë shqiptarët, në ditët e poezisë, në bisedat e shpeshta me telefon, si edhe vetë ky takim i sotëm më mbushin mend se kam një mik e shok të mirë, një mësues e prind të devotshëm, një poet që lum vendi e ne që e kemi. Këto fjalë të mia për të i kam thënë shpesh, por ky është shkrimi im i parë që i kushtoj. Nuk u hy në hak as miqve të tjerë në Ulqin, të cilët më kanë bërë vend mes tyre, e që janë kaq të mëdhenj e të cilët i dua dhe do t’i nderoj sa të jem gjallë.
Po e mbyll diskutimin tim me mirënjohjen e madhe për Aliun, që e vuri emrin tim si recensent i këtij libri, për redaktorin Ismet Kallaba e Gazmend Çitaku, që dinë vetëm të ndihmojnë dhe njëkohësisht t’i uroj më të mirën për krijime të tjera, duke mos harruar kurrë shqetësimin që shpreh e që e mundon te poezia Mure me myshk se:
Myshku nga lagështira e truallit
Ka mbuluar muret në shtëpitë me rrasa
Çatitë e shembura i rrah shtrëngata…
Me këtë shqetësim në prehrin e Krajës jeton, punon e shkruan prapë Ali Gjeçbritaj. Ani se edhe neve na vjen mirë. Faleminderit!
(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit “Kohë”, organizuar nga SHAI “Art Club” në Librarinë “Ulqini” – Ulqin, më 11 shkurt 2023)
