Shembull i personit të përkushtuar për punë dhe personalitet emblem i shkollës në fjalë

Luljeta Avdiu – Cura

Të shkruash për persona të veçantë nga treva e Anës së Malit, është kënaqësi e madhe për vetë faktin se këta persona me punën dhe përkushtimin e tyre nderojnë familjen, vendin ku janë lindur e rritur, institucionin ku punojnë për vite me radhë si dhe shoqërinë.
Gjatë punës sime 17-vjeçare pranë Institucionit Shkollor “Bedri Elezaga” në Katërkollë, kam pasur fatin që të mësoj dhe të marr shembull nga disa persona të përkushtuar në punë, të ndershëm dhe të sinqertë në misionin e tyre.
Kësaj radhe zgjodha t’i them dy fjalë për sekretarin me përvojë 30-vjeçare, Reshit Cucën.

Rreth jetës
U lind më 4.6.1962 në fshatin Sukubinë. Arsimin fillor dhe të mesëm i përfundoi në vendlindje. Në vitin 1991 pranë Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Juridik merr titullin jurist i diplomuar. Në vitin 1992 punësohet pranë I.P.SH.F ”Bedri Elezaga”- Katërkollë, ku edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë në marrëdhënie pune. Është bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve. Në vitet 2016-2021 dhe 2021-2026 nga të punësuarit e shkollës zgjedhet të jetë kryetar i Organizatës Sindikale të të punësuarve.
Krahas punës si sekretar ka qenë i angazhuar edhe në politikë dhe në jetën shoqërore, ku veçojmë disa funksione me rëndësi gjatë viteve:

  • Në vitin 2016 zgjedhet delegat i Partisë Demokratike në Komunën e Ulqinit dhe anëtar i Komisionit të Zgjedhjeve në Komunën e Ulqinit;
  • Në vitin 2017 zgjedhet anëtar i Komisionit për punimin e versionit të Projekt-Statutit të Komunës së Ulqinit;
  • Në vitin 2018 zgjedhet anëtar i Komisionit të Zgjedhjeve në Komunën e Ulqinit;
  • Në vitin 2019 zgjedhet anëtar i Komisionit për punimin e versionit të Projekt-Rregullores së punës të Kuvendit të Komunës së Ulqinit;
  • Në vitin 2021 zgjedhet sekretar i Fondacionit “Shkolla e vjetër në Katërkollë”.

Vlerat njerëzore e profesionale
Reshit Cuca është gjithmonë pedant në punë, aktiv, korrekt, komunikues në bashkëveprim, racional dhe plot kurajë në dhënien e mendimeve, energjik dhe i drejtë. Ka prirje për të arritur sa më shpejt të renë dhe progresiven, zgjidhës i situatave dhe ndërtues i raporteve të drejta dhe bashkëpunuese në kolektiv. I komunikueshëm dhe i afërt me kolegët, prindërit dhe bashkëpunëtorët e ndryshëm.
Me përkushtim të madh për vite me radhë ka punuar në lidhje me përgatitjen e dosjes për kthimin e pronës së shkollës së vjetër. Në lidhje me këtë çështje disa herë ka marrë pjesë edhe në takime të ndryshme si edhe ka dhënë intervista në televizionin lokal dhe shtetëror.
Gjithashtu, vlen të përmendet se disa herë ka marrë përsipër aksione humanitare dhe i ka udhëhequr ato me sukses edhe falë humanizmit të kolektivit.

Përfundim
Është domosdoshmëri dhe nevojë e kohës që sidomos në institucionet arsimore të punësohen njerëz që përveç vlerave akademike, të bartin edhe vlera humane e njerëzore.
Për persona të tillë duhet të kujdeset udhëheqësia e shkollës, që në data të caktuara këta persona të nderohen nga vendi i punës ose shtëpia e tyre e dytë.
Me të drejtë Samuel Xhonson shkruan se: “Ekselenca në cilëndo fushë mund të arrihet vetëm përmes punës së një jete, nuk arrihet dot me çmim më të lirë”.

Të fundit

më të lexuarat