Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, të shtunën mbrëma (18 shkurt 2023) është hapur ekspozita e titulluar “Portrete” e skulptorit nga Kosova, Guri Çavdarbasha, në të cilën ai është paraqitur me vepra të punuara nga tulla.
Duke folur për veprat e ekspozuara, piktori Jozo Koçaj ka thënë se është karakteristike sepse autori paraqitet me një formë artistike, formë skulpturore të veçantë, jo të përditshme dhe jo të zakontë, jo të rëndomtë në krijimtarinë artistike, sidomos në këto hapësirat tona.
“Është fjala për një element primar, element fundamental, që është tulla, pra dheu, balta, element natyror, element ekzistencial, elementar ta quaj i njeriut dhe i ekzistencës dhe e lidh atë në kombinim me portretet dhe figurën njerëzore”, ka thënë ai.
Sipas Koçajt, motivimin skulptori e ka marrë nga ndërtimet e pasuvatuara në Kosovë, që i kanë shërbyer atij si pikë reference për këtë cikël veprash.
Në këto vepra, Koçaj ka thënë se vërehet një lloj tensioni dhe janë shumë emocionale.
“Koka, individi, njeriu në kombinim me tullën. Prapë edhe këto dy elemente pothuajse të ngjashme. Edhe njeriu pluhur është dhe në pluhur kthehet. Domethënë, lind, përdoret sikur tulla që ndërtohet, shkatërrohet dhe mbaron. Edhe njeriu lind, krijon, vepron, bën pjesën e vet të jetës dhe përsëri kthehet në pluhur”, është shprehur ai.
Në emër të organizatorit, Dr. Nail Draga ka thënë se në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin janë hapur shpesh ekspozita me piktura, por shumë rrallë ekspozita me skulptura.
“Kemi të bëjmë me skulptura krejt të veçanta, një surrealizëm i veçantë i cili praktikisht është një preokupim personal dhe profesional i Gurit, për arsye se siç e dimë ai angazhohet me një teknikë krejt të veçantë që e dallon prej skulptorëve të tjerë në Kosovë”, ka theksuar ai.
Në fjalën e tij, skulptori Guri Çavdarbasha ka falënderuar organizatorët e ekspozitës dhe ka thënë se shpreson që ajo do t’u pëlqejë.
Skulptori Guri Çavdarbasha ka lindur në vitin 1982, ndërsa është djali i skultorit të njohur Agim Çavdarbasha. Ka mbaruar studimet themelore për skupturë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në vitin 2004. Po këtu ka mbaruar studimet master për skulpturë në vitin 2008. Punon si pedagog i skulpturës në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Deri tani ka pasur disa ekspozita individuale dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ekspozita është organizuar nga Qendra për Kulturë dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi.
i. k.