Koncert festiv me këngë dhe valle

“Duke e ditur faktin se çfarë ka bërë dhe vazhdon të bëjë Kosova për shqiptarët në Malin e Zi, pa dyshim që kjo do të jetë një festë tanimë tradicionale bashkë me atë të Pavarësisë së Shqipërisë. Sepse ne nuk mund t’i ndajmë as Shqipërinë, as Kosovën”, ka thënë kryetari i KKSH-së, Faik Nika

Ulqin – Me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës dhe Komunën e Ulqinit organizuan të shtunën mbrëma (18 shkurt 2023) në Ulqin koncert festiv me këngë dhe valle.
Publikun jo të shumtë në numër e kanë argëtuar këngëtarët dhe valltarët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Lidhja e Prizrenit” nga Prizreni. Në repertorin e tyre të përgatitur për festën e Pavarësisë së Kosovës kanë mbizotëruar këngët dhe vallet me motive patriotike.
Pjesë e programit me disa këngë ka qenë edhe këngëtari vendas Shaban Gjekaj, i cili karrierën e tij e ka filluar në Shoqërinë Kulturore-Artistike “Agimi” të Prizrenit.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, ka thënë se shënimi i Pavarësisë së Kosovës, kësaj date të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, do të bëhet tashmë tradicionale.
“Duke e ditur faktin se çfarë ka bërë dhe vazhdon të bëjë Kosova për shqiptarët në Malin e Zi, pa dyshim që kjo do të jetë një festë tanimë tradicionale bashkë me atë të Pavarësisë së Shqipërisë. Sepse ne nuk mund t’i ndajmë as Shqipërinë, as Kosovën”, ka thënë ai.
AKV “Lidhja e Prizrenit” është themeluar në vitin 2006. Për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ky ansambël ka marrë pjesë në Sofrën Tiranase, më 15 shkurt 2023 në Tiranë, si dhe ka shfaqur koncertin festiv në Prizren, më 17 shkurt 2023, dhe në Ulqin, më 18 shkurt 2023.

i. k.


Mirënjohje për këngëtarët Shaban Gjekaj, Nikollë Nikprelaj dhe Gëzim Salaj

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi i ka ndarë mirënjohje këngëtarit Shaban Gjekaj, me motivacionin “për ruajtjen e vlerave tona kombëtare e tradicionale, për transmetimin e atdhedashurisë përmes këngëve me motive patriotike në gjuhën e bukur shqipe, për përfaqësimin me dinjitet në festivale dhe aktivitete të tjera kulturore kombëtare e ndërkombëtare si dhe lartësimin e shqiptarëve dhe trevave shqiptare në Malin e Zi”.
Pasi që ka falënderuar KKSH-në për mirënjohjen, këngëtari Shaban Gjekaj ka thënë se kjo dekoratë ka vlerë të madhe për të, por njëkohësisht përbën edhe obligim që ai mos t’i ndahet këngës popullore deri në frymën e fundit, duke kënduar këngë popullore tradicionale të Ulqinit, Shkodrës, Prizrenit dhe të gjitha trevave shqiptare.
KKSH ka bërë të ditur se ka ndarë po ashtu mirënjohje për këngëtarët Nikollë Nikprelaj dhe Gëzim Salaj, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në koncertin festiv.
Vitin e kaluar Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i ka dekoruar tre këngëtarët me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Të fundit

më të lexuarat