Tuz – Informimi mbi rëndësinë e angazhimit në jetën sociale dhe në proceset vendimmarrëse në qytetet ku të rejat (vajzat) jetojnë, ka qenë në fokus të aktivitetit që Organizata Joqeveritare “Fëmijët e Malit të Zi” organizoi në Tuz më 16 dhe 17 shkurt 2023.
Në këtë aktivitet që kjo OJQ e ka emërtuar “Akademia e aktivizmit”, morën pjesë tridhjetë vajza nga Tuzi, Tirana dhe Tetova, ndërsa u zhvillua në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit.
Në ditën e parë të këtij aktiviteti u mbajt trajnimi mbi politikën dhe proceset vendimmarrëse, ndërsa përgjatë ditës së dytë u zhvillua një vizitë studimore në Komunën e Tuzit si dhe në Shkollën e Mesme të Përzier “25 Maji”.
Organizata Joqeveritare “Fëmijët e Malit të Zi” së bashku me organizatën “Lifelong Learning Network” është organizatë partnere në projektin “Girls – the game changers of politics”, i cili zbatohet nga Instituti Shqiptar për Çështjet Publike – AIPA.
Ky projekt mbështetet nga Western Balkans Fund dhe Bashkimi Evropian, nën thirrjen për propozime të projekteve rajonale, “Mbështetje për promovimin e aktiviteteve rajonale të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor”.
Western Balkans Fund – skema rajonale e granteve është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian IPA – Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit.
t. u.