Në garë katër koalicione dhe tre parti

Tuz – Për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 5 mars në Komunën e Tuzit, pranë Komisionit Komunal Zgjedhor janë dorëzuar shtatë lista ku garën e tyre e kanë paraqitur katër koalicione, tri lista të pavarura, përkatësisht katërmbëdhjetë parti politike.
Në prononcimin për gazetën “Koha Javore” kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor, Edmond Ujkaj tha se afati i fundit për dorëzimin e listave ka qenë e marta më 7 shkurt 2023 deri në mesnatë.
“Janë dorëzuar këto lista: Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit – “Për gjeneratat e ardhshme”; Partia Social Demokrate – Lëvizja Për Tuzin- “Me gjithë zemër për Tuzin”; Aleksa Beçiq – Shtjefën Camaj – Demokratët – “Së bashku jemi më të fortë”; Partia Socialiste Popullore – “Ndershëm për Tuzin” – Zhelko Miliq; Koalicioni Shqiptar “Së bashku” – (Partia Demokratike – Forca); Koalicioni (Partia Demokratike e Socialistëve – Partia Boshnjake – Socialdemokratët – Unioni Demokratik i Shqiptarëve) – “Në rrugë të drejtë”; Forumi Shqiptar – “Bashkim e zhvillim” (Alternativa Shqiptare – Lidhja Demokratike Shqiptare – Unioni Nacional Shqiptar dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi”, u shpreh kryetari i KKZ-së, Edmond Ujkaj.
Ai bëri të ditur se Komisioni Komunal Zgjedhor tashmë i ka shpallur dy listat e para, kurse për listat e tjera do të vendosë në afatin ligjor, pas shqyrtimit të dokumentacionit të dorëzuar.
Bartës i listës së Forumit Shqiptar të cilin e përbën: Alternativa Shqiptare – Lidhja Demokratike Shqiptare – Unioni Nacional Shqiptar dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi është kryetari aktual i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj; bartës i listës i Koalicionit (Partia Demokratike e Socialistëve – Partia Boshnjake – Socialdemokratët – Unioni Demokratik i Shqiptarëve) “Në rrugë të drejtë” është, Elez Nikoviq; bartës i listës Aleksa Beçiq – Shtjefën Camaj – Demokratët – “Së bashku jemi më të fortë” është Shtjefën Camaj; bartës i listës së Partisë Socialiste Popullore – “Ndershëm për Tuzin” – Zhelko Miliq është Zhelko Miliq; bartës i listës së Koalicionit Shqiptar “Së bashku” – (Partia Demokratike – Forca) është Anton Nikaj, bartës i listës së Partisë Social Demokrate – Lëvizja Për Tuzin – “Me gjithë zemër për Tuzin” është Hysein Gjokoviq; dhe bartësi i listës së Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit – “Për gjeneratat e ardhshme” është Ilhan Shkriel.
Ndërkaq nga Komisioni Komunal Zgjedhor i Komunës së Tuzit, ndër të tjera njoftohet se lista e përgjithshme zgjedhore shpallet publikisht nga Komisioni Komunal Zgjedhor jo më vonë se 15 ditë para ditës së caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa e drejta e mbulimit mediatik ndalohet (fillon heshtja parazgjedhore) 24 orë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve (neni 6, paragrafi 3 dhe 64 a).
“Brenda 15 ditëve para ditës së zgjedhjeve nuk lejohet publikimi i rezultateve të sondazheve të opinionit publik, hulumtimeve dhe analizave të tjera që kanë të bëjnë me vendimin e votuesit në lidhje me vlerësimin e rezultateve të zgjedhjeve në programet e shërbimeve transmetuese dhe mediave të tjera (neni 63). Lejohen deri më 17.2.2023 deri në orën 24”, thuhet në kalendarin zgjedhor për zbatimin e veprimeve zgjedhore për zgjedhje.
Duke treguar për rezultatet e përkohshme përfundimtare, thuhet se Komisioni Komunal Zgjedhor i Tuzit përcakton rezultatet e përkohshme në afat prej 12 orësh nga momenti i dorëzimit të raporteve të komisioneve komunale zgjedhore (neni 9, paragrafi 2). Afati: 6.3.2023 deri në orën 14.
“Komisioni Komunal Zgjedhor i Tuzit përcakton rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për këshilltarë në afat prej 12 orësh nga momenti i skadimit të afatit për dorëzimin e kontestit – ankesës, gjegjësisht nga momenti i përfundimit ose përmbarimit të vendimeve të sjella sipas kontestit apo ankesës (neni 98, paragrafi 1). Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për këshilltarë publikohen në „Gazetën zyrtare të Malit të Zi – dispozitat komunale”, më së voni pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve (neni 99). Afati: 20.3.2023 deri në orën 24”, thuhet në këtë dokument.
Këto do të jenë zgjedhjet e dyta për këshilltarë në Kuvendin e Komunës së Tuzit si komunë e plotë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat