Gatishmëri për bashkëpunim ndërshtetëror

Tuz – Presidentja e Republikës së Kosovës e cila qëndroi për vizitë zyrtare dyditore në Mal të Zi, pas takimit me krerët më të lartë të shtetit në ditën e parë të vizitës (7 shkurt 2023), në ditën e dytë (8 shkurt 2023) vizitoi edhe Komunën e Tuzit dhe atë të Ulqinit.
Fillimisht presidentja Dr. Vjosa Osmani-Sadriu u ndal në Komunën e Tuzit dhe u prit nga kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe nga zyrtarë të tjerë të kësaj komune.
Në këtë takim, presidentja Osmani-Sadriu u njoh me situatën aktuale politike në vend, me projektet zhvillimore që komuna i zhvilloi viteve të fundit, veçanërisht me ato në fushën e afarizmit.
Gjatë konferencës për media kryetari Gjeloshaj tha se ndjehet i nderuar dhe i emocionuar për shkak se siç tha, fillesat e arsimimit nxënësit dhe studentët tanë i kanë marrë kryesisht në Kosovë.
Ai ka thënë se “bashkëpunimi midis Kosovës dhe Tuzit është bërë edhe më i fortë me hapjen e fabrikës së patatinave të cilën presidentja Osmani edhe e vizitoi”, është shprehur Gjeloshaj duke theksuar se ky bashkëpunim do të jetë edhe më i fortë në vitet në vijim.
Ndërkaq, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu duke uruar kryetarin Gjeloshaj për transformimin që po i bën qytetit e veçanërisht për sjelljen e investitorëve të rinj, shprehu gatishmëri për bashkëpunim ndërshtetëror për çështjet në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.
“Natyrisht që udhëheqjen Tuaj këtu e shohim si një sukses të jashtëzakonshëm për shkak se pas shumë vitesh është arritur që Komuna e Tuzit të jetë komunë në vete, dhe në të njëjtën kohë e shohim një punë të mrekullueshme të bërë gjatë kësaj periudhe në dobi të të gjithë qytetarëve. Po ashtu, shohim edhe suksesin e njerëzve që janë shkolluar në Republikën e Kosovës”, është shprehur presidetja Vjosa Osmani-Sadriu.
Në këtë takim presidentja u shoqërua nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka-Hoxha, nga shefi i kabinetit të presidentes, Blerim Vela, nga Learta Hollaj zëvendëse e shefit të kabinetit të presidentes, Donjeta Miftari këshilltare kryesore për komunikim të presidentes si dhe Dora Musa këshilltare politike e saj.
Kjo është hera e parë që presidentja e Republikës së Kosovë Vjosa Osmani-Sadriu viziton Komunën e Tuzit.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat