Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi ka vendosur në mbledhjen e ditës së enjte (9 shkurt 2023) që regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi të bëhet nga data 1-15 nëntor e këtij viti.
Duke arsyetuar propozimin, ministri i Financave Aleksandar Damjanoviq ka thënë se periudha e mbajtjes së regjistrimit është në pajtim me rekomandimin e Kombeve të Bashkuara mbi regjistrimin, i cili parashikon që zbatimi i tij të mos përputhet me fushatën zgjedhore.
“Nëntori është afati optimal”, ka thënë ai dhe ka saktësuar se Drejtoria për Statistikë (Monstat) ka propozuar datat 1 deri më 15 nëntor për realizimin e procesit të regjistrimit.
Edhe kryeministri në detyrë Dritan Abazoviq ka vlerësuar se është koha për mbajtjen e procesit të ri të regjistrimit, si një obligim që duhet kryer gjatë këtij viti.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar Ligjin e ri të regjistrimit të popullsisë, të amvisërive dhe të banesave.
Vendimi i Qeverisë së Malit të Zi për regjistrimin e popullsisë ka ngjallur reagime për shkak se, sipas partive opozitare dhe disa përfaqësuesve të shoqërisë civile, kjo automatikisht do të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Mal të Zi për vitin e ardhshëm.
Regjistrimi i popullsisë është dashur të bëhet në vitin 2021, por është shtyrë për shkak të ndërrimit të administratës shtetërore të mëparshme dhe problemeve me pandeminë COVID-19.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Mal të Zi është bërë në vitin 2011. Sipas rezultateve të tij, në Mal të Zi jetojnë 620 029 banorë, prej të cilëve 30 439 ose 4.91 për qind janë shqiptarë. Ndërkaq gjuhën shqipe e flasin 32 671 ose 5.27 për qind e popullsisë së Malit të Zi.
i. k.
