Antitezë realiteti

“Rabiat” quhet përmbledhja më e re me poezi e poetit ulqinak Jaho Kollari, i cili këtë libër e nxori nga shtypi mu në vigjilje të Vitit të Ri. Ai këtë libër ia kushton qytetit të vet të shtrenjtë – Ulqinit dhe kemi të bëjmë me një përmbledhje të atillë që në një vend kemi të përmbledhura poezi të shkruara 20, 30, 40 vjet më parë e deri në ditët tona, por që gjatë leximit hetohet aktualiteti i njejtë edhe pse koha, njerëzit dhe jeta ka ndryshuar.
Në këtë përmbledhje poezish poeti Jaho Kollari na vjen me një harbim të ri vargu në përpjekje të mënjanimit të damkës që i është qepur si një qen i çartur filozofisë së jetesës të qytetin të tij. Këto shfaqje (më tepër nga ato që të fusin në qorsokak) e bezdisin atë pa masë sa, aty-këtu, na del si një gjahtar i shkathët i tyre duke u përpjekur t’i vë në pah sidomos përmes sarkazmit dhe ironisë. Vetë poezia “Rabiat” (që njëkohësisht është edhe titulli i librit) s’të lë asnjanës, një paqenësi kjo që rri si fantazëm mbi kasaba e të cilën patjetër duhej luftuar, çfarë bukur bie në sy në vargjet e këtij libri.
Vargjet e këtij libri arrijnë mbi 40 vjet prapa në kohë por, po të kthehemi vetëm 30 vjet pas (1992), Kollari në titullin “Ulqini” nxjerr nga shpirti tij i ndjeshëm këto vargje: “Ulqini ka sall një rrugë (kryesore) e njerëzia mësyjnë rrugicat e ngushta, të cilat të nxjerrin në det, në të cilin mund të mbytesh, por edhe të shpëtosh…”. Tridhjetë vjet më pas bie në sy po e njëjta gjë që atëbotë qe e shprehur me simbolikën: “Ulqini është i humbur rruge, pavarësisht rrugës së hapur dhe të gjerë dhe pavarësisht kamjes të gjithë atij deti mundësish”! S’është ky veçse fatalitet në vazhdimësi i këtij mjedisi që në mbijetesë ka mishëruar edhe jetën me tërë çfarë ofron ajo: shpëtimin, humbjen, kamjen, skamjen, gëzimin sikundër edhe hidhërimin?!
Autori duke e vënë këtë nënqiell si antitezë të realitetit të mirëfilltë, bën përpjekje të thehej “teza” e parisë ku sinteza mund të arrihet me ndryshime.
Dialektika hegeliane këtu jep shpirt meqë sinteza kërkon tezën: “për të jetuar me besë, nder, burrëri…, duhej gjetur shoku më i mirë se vetja”, çfarë nuk lyp ndryshime dhe antiteza: “për të bërë karrierë, çfarëdo qoftë ajo, duhej gjetur shoku më i keq se vetja”, gjë që patjetër kërkon ndryshime (teza, antiteza, sinteza, dialektika…).
S’ka shkallmim nga pika e vdekur nëse qëmtohet kjo: “… merre ose lëje, apo merre si ta marrësh…”!?
Autori me zemër të thyer fillon librin me moton: „Qytetit tim të shenjtë, që mbeti jetim, pavarësisht DheutAt, dhe GjuhësAmë” dhe vë re se: “n’Ulqin nuk pa del moti, si duket na ka harru Zoti”! dhe e përfundon me falendërim kolegëve të vet krijues „ua di për nder kolegëve të mi krijues, që ma hapën syrin, të mos e jetoj më ëndrrën e poetit“.
Jaho Kollari u lind në Ulqin (1961). Shkollën fillore si dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Studioi në Prishtinë ku edhe filloi të merret me shkrime. Botoi atëbotë poezi nëpër revista të ndryshme e më vonë edhe librin e parë. Shkruan poezi dhe prozë sikurse edhe recensione e kritika letrare. Jeton dhe punon në mërgatë. Ky është libri i tij i nëntë.

Gazmend Çitaku

Të fundit

më të lexuarat