
Arkeologjia (shkenca për të vjetrën) në Evropë i ka rrënjët në shek. XV-XVI me renesancën. Studiues të ndryshëm, nën emra të shkencave të ndryshme filluan të hulumtonin trashëgiminë kulturore të periudhës antike dhe asaj mesjetare. Ndërsa si degë më vete, ajo fillon të zhvillohet në shek. XVIII gjatë hulumtimeve të bëra në Pompei dhe Herculaneum. Themelet e shkencës së arkeologjisë klasike janë vendosur në vitin 1870 gjatë hulumtimeve për kulturën e Mikenës dhe Trojën. Në këtë mënyrë, në disa shtete si Italia, Franca, Gjermania, Austria filluan që të hapen institute të arkeologjisë dhe të dalin arkeologë të njohur.
Duke qenë se objekt i hulumtimeve të tyre ka qenë antikiteti dhe mesjeta, dhe ku pjesa më e madhe e kësaj trashëgimie përfshihej brenda kufijve administrativë të Perandorisë Osmane, u bë shkak i nxitjes së shumë hulumtuesve evropianë. Në këtë kuadër edhe treva jonë u përfshi në hartën e studimeve arekeologjike, etnografike etj.
Gjetjet nga ekspeditat arkeologjike lindën nevojën e themelimit të muzeve dhe muzeologjisë nga gjysma e dytë e shek. XVIII në shumë shtete të Evropës. Duke qenë se Perandoria Osmane në shumë drejtime zhvillimore i referohej Perëndimit, veçanërisht Francës, bëri që të përkujdesej edhe për gjetjet nga trashëgimia kulturore brenda hapësirës së vet.
Sot ekzistojnë mendime të ndryshme rreth krijimit të muzeut në Perandorinë Osmane. Në vitin 1846 Perandoria Osmane e miratoi zyrtarisht fillimin e grumbullimit të monumenteve të vjetra. Por sipas disa studiuesve të tjerë, viti 1723 është më i përshtatshëm për krijimin e muzeut. Sipas disa specialistëve të kësaj fushe, muzeu fillon në vitin 1869 pasi edhe termi „koleksion‟ që përdorej deri atëherë u ndryshua në „muze” dhe se është hapur për publikun. Në anën tjetër, Muzeu i Pallatit (Müze-i Hümayun) vetëm në vitin 1889 e fitoi mëvetësinë si institucion shtetëror (Wendy M. K. Shaw, Osmanlı Müzeciliği (Müzeler, Arkeoloji ve Tarihin Görselleştirilmesi), İletişim yay. Botimi 3, İstanbul, 2020, f. 19).
Eksponatet e gjetura qoftë nëpërmjet hulumtimeve, apo si rezultat i punimeve ndërtimore u bënë shkak që Perandoria, gjegjësisht Drejtoria e Muzeut të tregojë një kujdes, duke vënë alarmin për ruajtjen dhe grumbullimin e tyre. Këtë gjë më së miri e shohim edhe nga një dokument i Arkivit të Stambollit, i cili bën fjalë për gjetjen e një statuje prej tunxhi të Jupiterit në rrethinat e Vlorës, në mars të vitit 1884, e cila u dërgua në Muzeun Perandorak (Ermal Nurja, “Një statujë tunxhi e Jupiterit në rrethinat e Vlorës, 1884‟, www.adsh.al). Por ka edhe dokumente të tjera që bëjnë fjalë për gjetje të eksponateve të çmueshme.
Edhe ne gjatë hulumtimit tonë në Arkivin Osman në Stamboll kemi identifikuar mjaft dosje që bëjnë fjalë për hulumtime dhe gjetje të eksponateve me vlerë. Por hulumtimi më interesant për publikun tonë është një dosje e ndodhur në fondin Meclis-i Vâlâ Riyâseti Belgeleri (MVL), e datës 16.1.1281 h./ 21.6.1864 m., që përbëhet prej dy shkresave. Me çka kemi parë, njëra shkresë është kërkesa e autorit të gërmimeve në Shas, Ebju, drejtuar Mytesarifit të Shkodrës, e përkthyer në osmanisht, ndërsa tjetra njoftimi që i bën ky i fundit Kryeministrit (Sadrazamit) në Stamboll. Nga kjo dosje shohim se bëhet fjalë për disa gërmime nga shtetasi austriak, Ebju në Shas. Nga dokumenti kuptohet që studiuesi i njohur të ketë marrë leje nga autoritetet shtetërore për të hulumtuar thesarin. Ndërkohë që autori nuk e ka gjetur thesarin, përsëri e kërkon lejen dhe mbështetjen për të hulumtuar edhe në një sondë tjetër në Shas. Pas kësaj, autoritetet lokale të Sanxhakut të Shkodrës e informojnë pushtetin qendror për ekspeditën në fjalë duke i rrëfyer se janë gjetur mjaft eksponate në Shas si: afreska, statuja e shenja apo nishane, pa u dhënë detaje nga shtetasi austriak Ebju. Mbi vendet e gërmuara janë vendosur disa lule të zeza (karagül).
Lidhur me këtë kemi kërkuar për studiuesit austriakë që kanë vepruar në këto vite në hapësirën e Perandorisë Osmane, gjegjësisht në Sanxhakun e Shkodrës, ku prej sa kam mundur të shoh përafrimin e emrit Ebju apo Ebjo të jetë ndoshta mbiemri Boue i studiuesit Ami Boué. Ai u lind në vitin 1794 në Hamburg dhe ka vdekur në vitin 1881 në Vjenë. Ai udhëtoi shumë në Gjermani, Austri, Evropë Jugore dhe Ballkan (Perandorinë Osmane), duke studiuar formacione të ndryshme gjeologjike dhe duke u bërë një nga pionierët në kërkimet gjeologjike. Akademinë Perandorake të Shkencave në Vjenë ai e kompletoi me dokumente të rëndësishme mbi gjeologjinë e shteteve të Ballkanit (1859-1870) etj, dhe gjithashtu botoi veprën me titull “Mémoires géologiques et paléontologiques” (Paris, 1832) dhe “La Turquie d’Europe; observations sur la geographie, la géologie, l’histoire naturelle” (Paris, 1840) etj.
Ai në librat e tij ofron mjaft të dhëna për Sanxhakun e Shkodrës dhe shumë vende të Perandorisë Osmane, ku përmend kalatë antike e mesjetare të shumë qyteteve, por interesant është fakti i mospërmendjes së Shasit. Duke qenë se tre librat e tij janë botuar përpara viteve 1840, ndërkohë që hulumtimet në Shas i realizon në vitin 1864, na e lë enigmë hulumtimin e tij në Shas. Por siç u pohua më lart që autori Akademinë Perandorake të Shkencave në Vjenë ta ketë kompletuar me dokumente të rëndësishme mbi gjeologjinë e shteteve të Ballkanit (1859-1870), autori ndoshta ka formuar ndonjë dosje për Shasin të cilën mund ta ketë dërguar në Vjenë apo edhe në Stamboll. Por në dokumentin e Arkivit Osman të vitit 1864 nuk ceket se si është vepruar me eksponatet e gjetura. Ka gjasa që autori t’i ketë dërguar në Vjenë këto eksponate, pasi në Stamboll akoma nuk ishte formuar Muzeu i Pallatit dhe nuk kishte një ligj të miratuar rreth trajtimit të tyre (Në vitin 1869 u përgatit një rregullore nga Osman Hamdi Beu, e cila i definonte si pronë shtetërore monumentet e vjetra të gjetura në territorin administrativ osman. Por si shkak i mangësive që ka pasur, kjo rregullore u plotësua në vitin 1874, 1884 dhe 1906. Por se në vitin 1874 me miratimin e ligjit për monumentet e vjetra mund të themi se u vunë themelet e arkeologjisë osmane). Nga Arkivi Osman shohim të kenë ndodhur edhe raste të pahijshme pasi në disa raste hulmtuesit i kanë vjedhur eksponatet e gjetura. Kështu nga një dosje e vitit 1292 h./ 1875 vërejmë se një agjenci e cila kryente gërmime arkeologjike në Perandorinë Osmane në emër të shtetit austriak, të ketë vjedhur shumë eksponate dhe se për këtë arsye organet perandorake njoftojnë se nuk do t’i jepet leja rishtazi. (BOA, MF.MKT, 26/170.) Po kështu edhe në vitin 1329 h./ 1911 shohim që të jenë vjedhur disa eksponate të shenjta të gjetura në Kudus-Palestinë dhe për këtë u kërkua që të formohet një komision për zgjidhjen e këtij problemi (BOA, DH.İD, 23/6).
Andaj duhen të bëhen hulumtime të mëtejshme në Akademinë Perandorake të Shkencave në Vjenë, por edhe në Stamboll në mënyrë që të shihet qartësisht se çfarë është gjetur nga eksponatet e gjetura në Shas dhe shpjegimet që mund t’u jenë bërë.
Nga librat e Ami Boué-së vërehet interesimi për të hulumtuar në territoret e Perandorisë Osmane, ndërkohë që nga dokumenti arkivor për hulumtimet në Shas vërehet që motiv kryesor i kësaj ekspedite të ketë qenë gjetja e thesarit. Nuk e kemi të qartë nëse autori i kërkimeve në Shas e ka pasur për objekt studimi vetëm thesarin apo të dyja së bashku, por gjithsesi përfundimet e arritura tregojnë se fushë interesi e tij në mënyrë të tërthortë kanë qenë edhe eksponatet e gjetura në Shas.
Ami Boué në librin e tij “La Turquie d’Europe” pohon: “Në Drisht (Drivasto), në lindje të Shkodrës gjenden rrënoja antikitetesh dhe megjithëse banorët besojnë se aty ka thesare të fshehura, nuk guxohet të gërmohet; leja e pashait do të nxirrej me vështirësi, por një kërkesë e tillë do të shihej me sy të keq”. (Ami Boué, “Shqipëria në Turqinë Evropiane”, Plejad, Tiranë, 2011, f. 75.) çka lë për të kuptuar se autori i ka pasur për synim të dyja – studimin dhe thesarin.
Legjendat e popullit tonë për thesarin e arit të ruajtur në Shas mund ta kenë shtyrë autorin që të bëjë hulumtime në Shas. Akoma në memorien e popullit tonë ruhen gojëdhëna nga të parët tanë që flasin për arin apo tezgjahët e arit në Shas, të cilat kohët e fundit janë regjistruar nga disa autorë vendas si Dr. Ismail Doda, Muhamet Nika, Gazmend Kovaçi, por këtij fenomeni i kanë kushtuar edhe prozë e poezi shkrimtarët vendas si Prof. Dr. Basri Çapriqi, Dr. Bahri Brisku, Ibrahim Berjashi, Hajredin Kovaçi, Gazmend Çitaku e deri te brezi i ri, Argëzon Sulejmani etj.
Kurse Dr. Ismail Doda në një artikull të publikuar në gazetën “Koha Javore”, duke iu referuar etnologut kuças Stevan Duçiqit, i cili e pat publikuar atë në vitin 1931, rrëfen një tregim interesant të cilit në vitin 1920 t’i ketë thënë një ulqinak, pa iu cekur emri, që sipas gojëdhënave të banorëve vendas testamenti i Skënderbeut ndodhet i fshehur në Shas. Sipas tij, ky testament përmban tre (3) qypa, nga ku dy prej tyre janë plot me ari, ndërsa i treti ka armët e Skënderbeut (Dr. Ismail Doda, “Motiv me rreze historike”, Koha Javore, 3 shtator 2009).
Prandaj ky artikull le të jetë një fener ndriçues për studiuesit në të ardhmen që të hulumtojnë raportet e gjetjeve të Ami Boué-së në Kalanë e Shasit. Këto mund të jenë edhe gërmimet e para arkeologjike në Shas.
Lartmadhërisë z. Kryeministër
Fshati Shas, i cili është pjesë e kazasë së Shkodrës, duke qenë se është i pasur me thesare, nënshtetasi austriak me emrin Ebjo (Ami Boue) ka kërkuar leje të gërmimeve për thesar, të cilit i është dhënë ajo. Si shoqërues, në dispozicion të tij janë vënë disa zabitë ushtarakë (policia ushtarake) dhe nëpunësit e shërbimit civil (pronës publike). Me shumë siguri ekzistojnë pritshmëritë për gjetjen e thesarit në vendin e gërmuar. Por edhe pse janë identifikuar disa afreska dhe statuja, akoma nuk është gjetur thesari. Duke mos pasur të holla (akça) për shpenzimet e gërmimeve më tej, bëhet sqarimi se me një shumë tjetër të vogël mund të bëhen kërkime në një pjese tjetër të lokacionit, si edhe të vihet në dispozicion logjistika e mësipërme. Mbi vendet e gërmuara në fshatin Shas janë vendosur lule të zeza (karagyl). Në vendin e gërmuar janë identifikuar monumente dhe shenja nishane, por duke qenë se pritshmëritë janë më të mëdha, kërkohet leja dhe mbështetja nga pasuria publike në mënyrë që të bëhet e mundur për kërkimet e mëtejshme. Urdhri dhe fermani i takojnë të zotit të çështjes.
Shkodër, më 16 muharrem viti 1281
9 qershor viti 1280 / 21 qershor 1864
Marshal Ismail Hakki
Komandant i Ushtrisë dhe Mytesarif i Shkodrës
Shkresa e përkthyer nga osmanishtja, dërguar Kryeministrisë (Sadrazamit) nga Mytesarifi i Shkodrës
