Pajisje mjekësore për Spitalin e Tivarit

Donacioni me vlerë 158 mijë dollarë amerikanë është shfrytëzuar për blerjen e mjeteve dhe pajisjeve mjekësore prioritare për Spitalin e Përgjithshëm në Tivar - një automjeti të ndihmës së shpejtë, tavoline të operacionit për sallën e kirurgjisë, tavoline për repartin e ortopedisë, aparati ultrazë dhe aparaturave të tjera për repartin e pediatrisë së këtij institucioni shëndetësor

Çifti Dina dhe Ahmet Kurmemaj, të cilët jetojnë në ShBA, përmes Fondit Humanitar “Trojet Tona” – Nju Jork, kanë realizuar donacionin e radhës në ndihmë për vendlindjen. Ata kanë dhuruar 158 mijë dollarë amerikanë për Spitalin e Përgjithshëm në Tivar, me të cilat janë blerë disa mjete dhe pajisje mjekësore – një automjet i ndihmës së shpejtë, tavolina e operacionit për sallën e kirurgjisë, tavolina për repartin e ortopedisë, aparati ultrazë dhe aparatura të tjera për repartin e pediatrisë së këtij institucioni shëndetësor.
Ceremonia e dorëzimit të donacionit është zhvilluar të enjten, ku kanë marrë pjesë ministri i Shëndetësisë, Dragosllav Shqekiq, kryetari i Komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviq, kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, koordinatorja e Fondit Humanitar “Trojet Tona” për Malin e Zi, Vjollca Lika – Çobaj, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm – Tivar, Dr. Igor Karishik etj.
Përfaqësuesja e Fondit Humanitar “Trojet Tona”, Vjollca Lika – Çobaj, ka thënë se familja Kurmemaj, ndonëse që një kohë të gjatë jeton në ShBA, ka dëshmuar përherë një lidhje të posaçme me vendin e tyre dhe dëshirën për të ndihmuar jo vetëm grupet më të rrezikuara, siç janë fëmijët, të moshuarit, të sëmurit, por edhe instituciont shëndetësore.
Ajo ka përkujtuar se në fillim të vitit të kaluar kjo familje ka bërë donacion 100 mijë dollarë për personat me diabet të tipit 1 nga Ulqini, Tivari, Gucia dhe Plava.
Duke folur për Fondin Humanitar “Trojet Tona”, Lika – Çobaj ka thënë se ky fond e ka filluar veprimtarinë e tij pikërisht me qëllim për të ndihmuar dhe kontribuar në vendlindje përmes donacioneve dhe aktiviteteve të ndryshme si ndihma për grupet më të rrezikuara, rastet sociale, fëmijët jetimë, pastaj ndarjen e bursave për studentë, si dhe mbështetjen për organizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive dhe edukative për fëmijët dhe të rinjtë.
Ministri i Shëndetësisë Dragosllav Shqekiq ka shprehur kënaqësi për donacionin dhe ka thënë se ai paraqet një nxitje të madhe për sistemin shëndetësor të Malit të Zi.
“Donacioni i familjes Kurmemaj është një mesazh se çfarë do të thotë kur jeni i përgjegjshëm ndaj komunitetit dhe kur këtë e dëshmoni përmes investimit të mjeteve aty ku është më e nevojshme”, ka theksuar ai.
Drejtori i Spitalit të Tivarit, Dr. Igor Karishik, ka treguar se paratë e donacionit janë shfrytëzuar për blerjen e mjeteve dhe pajisjeve mjekësore prioritare.
Ai e ka vlerësuar donacionin e familjes Kurmemaj si shumë të rëndësishëm, duke thënë se Ahmeti dhe Dina ata nuk i kanë harruar njerëzit të cilët kanë nevojë.
“Kjo nuk është hera e parë që ata bëjnë donacion, por jam i sigurt se nuk do të jetë e fundit”, ka theksuar Karishik.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, ka thënë se e gëzon fakti që nga komuniteti ynë në ShBA kemi dikë si Ahmet dhe Dina Kurmemajn të cilët në vazhdimësi ndihmojnë me donacione të vlefshme qytetarët e Malit të Zi.
Ai ka thënë se pas donacionit të vitit të kaluar për personat që vuajnë nga diabeti, ky është një donacion tjetër “shumë i mirëpritur dhe i nevojshëm për Spitalin e Tivarit, të cilin e përdorin edhe qytetarët e Komunës së Ulqinit”.
Të pranishmit në ceremoninë e dorëzimit të donacionit kanë nënvizuar bashkëpunimin e shkëlqyer të të gjithë aktorëve për realizimin me sukses të këtij donacioni.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat