Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Malit të Zi që situatën aktuale politike në vend ta tejkalojë vetëm me mjete kushtetuese, në mënyrë që vendi kandidat të mund të vazhdojë rrugëtimin në procesin e integrimeve evropiane.
Mali i Zi ka qenë një prej temave të diskutimit në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, që është zhvilluar të hënën në Bruksel. Për situatën në Malin e Zi kanë raportuar së bashku
ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg.
Ata kanë vizituar së fundmi Malin e Zi në emër të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Zyrtarët e BE-së thonë se këto vizita të dy ministrave të Jashtëm të dy vendeve anëtare në Podgoricë ishin të suksesshme.
Ata kanë thënë se udhëheqësve politikë në Mal të Zi u është dërguar mesazhi i qartë se situata e tashme mund të zgjidhet vetëm me mjete ligjore, duke kërkuar edhe zgjedhjen e dy gjykatësve, në mënyrë që të funksionalizohet Gjykata Kushtetuese.
Ky vlerësohet si një parakusht për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të rregullta në Mal të Zi.
Mali i Zi është konsideruar vend udhëheqës nga rajoni i Ballkanit Perëndimor në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE. Por problemet e brendshme politike kanë ndikuar që procesi të ngadalësohet.
Disa burime diplomatike në Bruksel madje kanë tërhequr vërejtjen se i tërë procesi mund të ndalet nëse nuk sigurohet sundimi i ligjit dhe funksionalizimi i Gjykatës Kushtetuese.
(Kohapress)
Escobar: Mali i Zi në prag të kolapsit institucional
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, paralajmëroi për “shumë pasoja të mundshme” nëse Mali i Zi nuk e zgjidh krizën e thellë politike dhe institucionale.
“Mali i Zi është në një krizë shumë të thellë. Është afër një kolapsi institucional që nuk e kam parë në asnjë vend. Nuk ka qeveri. Dy qeveri janë rrëzuar dhe nuk ka pasur përparim në formimin e një qeverie tjetër. Nuk ka një kuorum në Gjykatën Kushtetuese që mund të konfirmojë zgjedhjet e reja”, ka thënë ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit kujtoi se mandati i presidentit Milo Gjukanoviq do të përfundojë në pranverë, ndërkohë që kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijella Gjuroviq, ka shpallur së fundmi datën e zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen më 19 mars 2023.
