Këngët e kurbetit në folklorin shqiptar janë të shumta. Ka një fond të pasur me këto këngë nga të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë. Poeti popullor ka krijuar një mori këngësh popullore që trajtojnë këtë plagë të pashërueshme të shqiptarëve. Kjo shpjegohet me vendin e gjerë që ka zenë kjo dukuri ku shkaqet janë të ndryshme si ato ekonomike, politike etj. Drama që shpaloset në këngët e kurbetit është e ndryshme, diku vajtohet për ata që shkojnë nëper botë pa dërguar as lajm as letër, diku i shohim ata që kthehen përkohësisht apo rishtazi pasi më nuk e kanë energjinë e dikurshme etj. Sot edhe pse më të rrallë, hasën poetë popullor që e ndjejnë këtë plagë në qenien e tyre dhe atë e shprehin me fjalë. Krahasuar më kohët e shkuara ata janë më të paktë por prapëseprapë hasim aty këtu ndonjë këngë të re të dalë nga goja e krijuesit popullor që shpreh ndjeshmërinë shpirtërore të individit dhe të komunitetit të caktuar. Sot pa dashje më ra në dorë një e tillë e thurur me mjeshtri nga Ahmet Smajli Bolaj nga Bolajt e Ostrosit të Madh që jetoi për shumë vjet në kurbet, ku atje edhe ndërroi jetë dhe u varros. Poeti popullor në fjalë (autori i këngës) siç duket nga përmbajtja e saj sikur ia ka ndie zemra se do “humbë” (tretë) eshtrat diku larg vendit të vet atje në kurbet. Përndryshe ai ka ndërruar jetë në gusht të vitit 2022 në moshën 91 vjeçare në Nju Jork. Sipas të dhënave që posedojmë këngën e paska krijuar në maj të vitit 2020, dy vjetë më para se të ndërrojë jetë. Për të mos humbur këngën ai ia rrëfen nipit të tij Samirit i cili e shënon në letër ashtu si ka mundur e ka ditur dhe në rrethana që jeton.
SHUMË JAM PLAKË E JAM VJETRUE
Shumë jam plakë e jam vjetrue,
N’paçi qef me u kallxue,
Për jetën time si e kam kalue,
Kur i mbusha gjashtëdhjetë vjet,
Mora rrugën për kurbet,
Diku rreshtnat për me i tretë,
Në kurbet unë kur kam shkue,
Punë fizike kam punue,
Tuj punue në kurbet,
Nuk m’lijshin andrrat me fjetë,
E më jepshin shumë ezjet,
Për natë dojsha me fluturue,
Në vendlindje për me shkue,
Fluturim o për hava,
N’abarr tem unë kur kam ra,
Prishë aborri e prishë avllija,
Ish çartë shkalla dhe shpija,
Ish tha molla e zerdelija,
Ish tha fiku e ardhija,
Ish tha dardha e qershija,
Ishin tha të tana marë
Si mas t’ishte kush i gjallë,
Kush të gvesë o për kajshi,
Nuk kanë met veç dy tri shpi,
Tuj shetitë unë nëpër Krajë,
Kuj s’i thaç unë puna marë,
Si t’mos ishte kush i gjallë,
Nuk punonte rob i gjallë,
Në Ostros unë kur kam dalë,
Aty gjeta popull ball,
Kush teposhtë e kush përpjetë,
Vlojshin gjin’ja porsi bletë,
Disa erdhën me më pevetë,
Si kam kjen me shëndet,
Disa dojshin për me dijtë,
Si isht jeta n’Amerikë,
Unë të drejtën mu kallxue,
Kurrë atje s’kisha me shkue,
Disa rrijshin tuj u ankue,
S’jena sue me punue,
N’Amerikë dona me shkue,
Po nig’joni o milet,
Kun se gjeni venin e vet,
Edhe na e kena lshue,
Shumë pej nesh kishin mu kthye,
Shumë po kisha për mu thanë,
Por se koha nuk m’premton,
Sa shumë malli më ka marrë,
Një ditë në mal për me dalë,
Në mal dola në Tri Lera,
Ish çartë ubla e ish mbyllë lera,
Plat me thi e mush me ferra,
Mrizat rrijshin tuj gjimue,
Shelqet rrijshin tuj vajtue,
Aty shumë jam përmallue,
Disa pika lot kam lshue,
O medet mori Tri Lera,
Çka u solli ju pranvera,
Çabanë s’nihen tuj këndue,
Grigjë nuk shihet tuj mallue,
Erdh nji zog tuj fluturue,
Të lumtë goja more shpend,
Se s’po ndiej za n’kët vend,
S’jam bylbyl si ke mendue,
Jam qyqe unë me vajtue,
Po vajtoj për djelmtë e ri,
Të tanë kanë ik, të tanë kanë tretë,
E kanë lanë vendin të shkretë,
Të tanë kanë ikë, të tanë kanë shkue,
Ktu ka metë vetem për mue,
Niset shpendi e po pëvetë,
O ti plak, o plak i shkretë,
Kah po vjen e ku ke kjenë,
A ke kjenë ndonjerë n’kët vend
Ti moj qyqe n’daç me dijtë,
N’Krajë kam le e këtu jam rritë,
Kam ruejt dele, kam ruejt dhi,
Furka e lasa kam gaditë,
Nëpër maje tuj këndue,
Edhe grigjes tuj i vishkllue,
Ma shumë kishe për me t’thanë,
Porse koha nuk m’lejan,
Ktu po la nji amanat,
Mos e lshoni vendin e vet,
Kun se gjeni kët lexet,
Prej këtushit kush ka dalë,
Kurrë mrapa ma nuk ka ardhë,
M’ka ardhë vakti për mu nisë,
Me kajshi mu hallashtisë,
Të mramën herë edhe nji fjalë,
Kush të doje t’ma bajë hallall,
Fjala e mrame që due me thanë,
Krejt shqiptarëve u baj selam.
Këndoi Ahmet Smajli Boli
16.5.2020
E shënoi Samir Boli
Korektor Ali Gjeçbritaj
më 14.1.2023
Sqarim: rreshtnat-eshtrat, ezjet-vështirësi, abarr-oborr, aborri-oborri, zerdelia-kajsia, ardhija-hardhia, marë-të gjithë, gvesë-pyes, kajshi-fqinj, ball-boll (shumë), gjin’ja-njerëzit, pevetë-pyet, kjen-qenë, sue-mësue, milet-popull, Tri Lera- (Tri Lerat, mikrotoponim), lera-gropim në tokë që mbanë ujin, aty barinjtë i paitnin bagëtinë), plat – plotë, çaban-çoban (bari), djelmtë-djemtë, lasa-mjet në formë të lopatës së zgjatur nga druri që është përdorur dikur për larjen e teshave (janë rrahur me las), gaditë-punuar (latuar, gdhendur), vishkllue-fishkëllye, këtushit-nga këtu (prej këtu) vakti-koha, me kajshi mu hallashtisë-me fqinjë me u përshendetë, hallall –falje, selam-i përshendes.
