U nënshkrua marrëveshja për sanimin e urës në Lumin Luça

Guci – Tash sa vite gjendja e konstruksionit të urës në Lumin Luça, e cila gjendet në rrugën lokale të gjatë 1.200 metra që lidhë rrugën magjistrale Guci-Martinaj-Plavë, në fshatin Martinaj, në anën e majtë të lumit në fjalë, me rrugën rajonale Guci-Krushevë-Vojno Sellë-Plavë, në anën e djathtë të lumit në fshatin Vishnjevë, e cila është në fazën e rikonstruktimit është shumë e keqe, ngase këmbëza e djathtë mbështetëse e shtratit të urës në drejtim të Vishnjevës është fundosur disa dhjetra centimetra në shtratin e lumit ku gjendet, ashtu që një pjesë e dukshme e shtratit të saj ka marrë pozitë të pjerrtë për disa dhjetra shkallë, dhe si e tillë paraqet rrezik për automjete të udhëtarëve e madje edhe për ato transportuese, të cilat në vazhdimësi kalojnë nëpër të edhe përkundër rrezikut që u kanoset në çdo moment e për të cilin vozitësit janë apo nuk janë të vetëdijshëm.
Në dy-tri raste organet kompetente të Komunës së Gucisë kanë intervenuar në bllokimin e urës për qarkullimin e automjeteve nëpër të, duke shkarkuar nga kamionët grumbuj zalli e gurësh në të dy anët e saj, mirëpo personat e pandërgjegjshëm pengesat në fjalë i kanë mënjanuar për t’i realizuar qëllimet e veta afariste.
Me qëllim të zgjidhjes sa më të shpejtë të këtij problemi vërtetë madhor, vitin e kaluar Komuna e Gucisë ka shpallur tenderin për angazhimin e kryerësit të punëve në sanimin e saj. Në tenderin e shpallur në të cilin janë paraqitur ca subjekte të interesuara, kryerës i punëve është zgjedhur ndërmarrja SH.P.K. “MOSTING” nga Podgorica, vlera e të cilave kap shumën e përgjithshme 113.626,57 euro, me përfaqësuesin e të cilës kohë më parë kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq ka nënshkruar kontratën.
Përgatitjen e dokumentacionit të projektit e ka financuar Komuna e Gucisë, ndërsa realizimin e projektit në fjalë do ta financojë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Komuna e Gucisë.
Pos marrëveshjes për kryerjen e punëve sanuese të urës është arritur edhe marrëveshja lidhur me shërbimet mbikëqyrëse të zhvillimit të punëve të cilat i janë besuar SH.P.K. “Ingenijum” nga Podgorica.
Punët do të fillojnë posa të mundësojnë kushtet atmosferike dhe niveli i ujit në lum, kurse planifikimi i kryerjes së tyre është 30 ditë nga dita e fillimit.
Me sanimin e urës në fjalë padyshim do të mundësohet qarkullimi i sigurtë i automjeteve nëpër të, i cili deri më tani ka munguar sidomos për banorët e fshatrave Vishnjevë e Krushevë të cilët më së shumti e kanë shfrytëzuar.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat